SHBA, Donald Trump kërkon Shtëpinë e Bardhë

Mar 28, 2011 | 11:52

Paratë nuk mjaftojnë, as bukuroshet që e rrethojnë. Donald Trump tani kërkon të jetë në krye të Shtëpisë së Bardhë. Miliarderi amerikan tha në një emision televiziv se është i gatshëm që të paguajë 600 milionë dollarë për fushatën e tij si president i Shteteve të Bashkuara. Madje, edhe një shumë më të madhe, dhe “nuk ka qenë asnjëherë më serioz”. “Kam shumë më shumë sesa kaq. Nëse duhen 600 milionë, unë do t’i vendos. Kjo është përparësia ime ndaj kandidatëve të tjerë në garë”, tha Trump. Trump besohet se do të garojë për republikanët, pasi është parë disa herë në darkat e liderëve të kësaj partie. Ai ka nisur sulmet që tani kundër Presidentit demokrat, Barak Obama, duke kërkuar me insistim certifikatën e tij të lindjes, për autenticitetin e së cilës ka pasur edhe më parë dyshime nga kundërshtarët. Trump tha se e njeh mirë situatën politike në vend. Dhe se Sarah Palin, kryetare e degës së republikanëve, “Tea Party”, është një politikanë shumë më e aftë se sa Presidenti aktual, Barak Obama. Por sidoqoftë, Trump ka shprehur bindjen se kandidimi i tij për president, do të jetë një eklips edhe për vetë Palin, e cila ka shprehur gjithashtu ambicien për të kandiduar si presidente e Shteteve të Bashkuara, pas dështimit në zgjedhjet e kaluara si kandidate për zv/presidente përballë republikanit Xhon Mekei.

© Panorama.al

Te lidhura