Sharon Osbourne prek me mesazhin për Ozzy-n në përvjetorin e martesës: Festoj dashurinë që as vdekja nuk mundi ta zbehte!

Jul 6, 2026 | 18:39

Sharon Osbourne ka emocionuar ndjekësit e saj në rrjetet sociale me një mesazh prekës kushtuar bashkëshortit të ndjerë, Ozzy Osbourne, në ditën kur çifti do të festonte 46-vjetorin e martesës.

ozzy_osbourne-sharon

Në një postim në Instagram, ajo publikoi një foto ku duart e tyre janë të bashkuara, duke shkruar: “Sot do të ishte 46-vjetori i martesës sonë. Në vend të kësaj, është një festë e një dashurie që as vdekja nuk mundi ta zbehte. Më mungon dora jote në timen, por e mbaj dashurinë tënde me vete në çdo hap. Përgjithmonë bashkëshorti im. Përgjithmonë zemra ime.”

Ozzy Osbourne u nda nga jeta më 22 korrik 2025, në moshën 76-vjeçare. Pak javë para vdekjes së tij, ai u ngjit për herë të fundit në skenë gjatë koncertit lamtumirës të grupit Black Sabbath, të mbajtur më 5 korrik në Birmingham të Anglisë, qyteti ku lindi grupi legjendar i heavy metal-it.

sharon ozzy

Në shtator të vitit të kaluar, Sharon kishte folur për herë të parë publikisht për humbjen e bashkëshortit. Në një tjetër postim në Instagram, ajo falenderoi fansat për mbështetjen e tyre, duke pranuar se ende po përpiqej të përballonte dhimbjen.

“Ende e kam të vështirë të gjej fjalët për të shprehur sa mirënjohëse jam për dashurinë dhe mbështetjen që më keni treguar. Komentet, postimet dhe dedikimet tuaja më kanë dhënë më shumë ngushëllim sesa mund ta imagjinoni. Ende po përpiqem të ngrihem në këmbë”, shkruante ajo.

Historia e dashurisë mes Sharon dhe Ozzy Osbourne nisi në vitin 1979, gati një dekadë pasi ishin njohur. Në atë kohë, babai i Sharon ishte menaxheri i Black Sabbath, ndërsa më vonë ajo mori rolin e menaxheres së Ozzy-t dhe e inkurajoi të niste karrierën solo.

ozzy-osmporn

Çifti u martua më 4 korrik 1982 në Hawaii dhe sollën në jetë tre fëmijë: Aimee, Kelly dhe Jack. Pas 35 vitesh martesë, ata rinovuan betimet martesore në Las Vegas, në vitin 2017.

Në një intervistë të dhënë në vitin 2022, Sharon kishte rrëfyer se, pavarësisht vështirësive që kishin kaluar ndër vite, ata mbeteshin ende të dashuruar.

“Ne nuk hoqëm dorë kurrë nga njëri-tjetri. Nuk isha shenjtore dhe as Ozzy nuk ishte shenjtor. Thjesht ishte e shkruar që të ishim bashkë. Nuk mund ta ndryshosh një njeri, ndaj një pjesë e madhe e një marrëdhënieje është pranimi”, ishte shprehur ajo.

Ozzy Osbourne Ozzy Osbourne (12)

© Panorama.al

Te lidhura