Sezoni i ri “Pasdite në TCH”, një prezantuese e re në vend të Genta Popës

Sep 3, 2011 | 13:04

Në këtë lëvizje të prezantuesve në sezonin e ri televiziv, do të kemi ndryshime dhe në emisionin e përditshëm në “Top Channel”, “Pasdite në TCH”. Pas një viti eksperiencë, mësohet se Genta Popa nuk do të prezantojë sërish këtë program. në vend të saj do jetë një gazetare e mirënjohur e atij televizioni. Genta Popa ishte për një vit prezantuesja e “Pasdite në Top Channel”, një format, prezantimin e të cilit e nisi Arbana Osmani dhe që nuk e vazhdoi më tej, pasi iu rikthye drejtimit të “Big Brother”. Ndërkohë që për Gentën kjo ishte hera e parë që provonte të moderonte një emision me të ftuar, pas një eksperiencë 15-vjeçare si spikere lajmesh. Propozimi iu bë pikërisht Genta Popës, duke u menduar si prezantuesja më e përshtatshme për të drejtuar një program të tillë familjar, ku ndiqet linja e kronikave me histori njerëzore, të ftuar në studio dhe lidhje direkte me gazetarë në terren, nga e hëna deri të premten, në orën 18:35. Nga ana tjetër, për Gentën ishte një ndryshim i ritmit të punës, e cila si një nga spikeret e para të lajmeve në TCH, i duhej të ndryshonte krejtësisht pozicionin e saj televiziv. Ndërkohë, ende nuk dihet nëse ajo do të rikthehet sërish në redaksinë e lajmeve apo për të është menduar ndonjë format i ri. Gjithsesi, jemi kureshtarë të shohim ndryshimet në këtë program dhe prezantuesen e re, që natyrisht ka qenë një ide e autorëve për të rifreskuar formatin dhe për t’u dhënë më shumë ritëm pasditeve në “Top Channel”.

© Panorama.al

Te lidhura