SEVIMN ARBANA: “Unë isha në politikë, por ika për gratë”

Mar 6, 2011 | 12:38

Turbullirat dhe trazirat e një sistemi në prag përmbysjeje e çuan pa e ditur drejt politikës, por kur e kuptoi, ndryshoi rrugë, sepse ajo çfarë dëshironte Sevim Arbana nuk ishte një karrige në Kuvend, por një vend pranë grave në nevojë.
Tashmë e ka atë, madje edhe më shumë. Diku te “Rruga e Kavajës”, Sevim Arbana që prej 17 vitesh ka hapur dyert e katit të dytë të një ndërtese, ku pret vajza e gra që u duhetn ndihmë, por edhe fëmijë. Të dhunuara fizikisht apo psiqikisht, ajo i fton brenda strehës për të gjetur dhe ofruar një zgjidhje. Vetëm fton, pasi dëbimi nuk ekziston në moralin e shoqatës, që drejton qysh prej 1993 “Në dobi të gruas shqiptare”. Madje, edhe nëse femrat tentojnë të ikin nga aty pa u zgjidhur problemi, Sevim përpiqet t’i bindë për të kundërtën. Nëse nuk ia del dot, atëherë i lë të largohen, por duke lënë derën gjysmë hapur, sepse e di, që shumë shpejt do të kthehen sërish… Të dhunuarat ikin e vijnë, disa ia dalin mbanë, të tjerat pajtohen me mizerjen, por ajo që ngelet aty prej gati dy dekadash, është Sevim Arbana.
Apo jo Sevim, mos po gaboj në vite?
Jo, sa u përket viteve, je në rregull, por nuk jam e vetme në shoqatë. Bashkëthemeluese e shoqatës është edhe Fabiola Egro-Laço, e cila mban njëkohësisht postin e zv/presidentes së NDGSH-së. Po ashtu, Brigitt Huni, kemi edhe bashkëthemeluesen e drejtoren e projekteve për Shqipërinë në 1993-1999, që na ka ndihmuar shumë. Pra, jemi 3 femra që nga fillimi për të ndihmuar gratë në nevojë, por rrugës jemi shtuar shumë. U formuam si grup i pavarur grash, të cilat ishin të gatshme për të ofruar një lloj ndihme praktike për gratë shqiptare në një kohë kur problemet politike, sociale dhe ekonomike, dukshëm po vinin në disavantazh dhe po veçonin një numër të madh të grave shqiptare dhe fëmijëve të tyre.
Si ju erdhi ideja për një shoqatë joqeveritare, kur ende nuk njihej si koncept?
NDGSH-ja hyri në këtë lëvizje, në fillimet e 1991-1992, pa shumë teori dhe eksperiencë praktike, pa atë çelës që duhej të lëvizte sektorin e tretë, kështu ishte e qartë që ne hymë në këtë lëvizje pa trashëguar asgjë nga e kaluara. E vetmja gjë që ne kishim ishte: dëshira për të bërë diçka për të drejtat tona dhe grave të tjera; rruga idealiste për t’u përballur me realitetin e krijuar nga lëvizja demokratike në Shqipëri.
Lëvizja Demokratike në Shqipëri ka pasur karakter politik. Ç’lidhje keni ju me të?
Ka pak lidhje, por jo shumë. Në fund të vitit 1990, fillimi 1991, ne ishim disa gra që u grupuam rreth Lidhjes Demokratike të Gruas, që në fillim nuk ishte lëvizje politike, por si grupim i gjinisë sonë për të luftuar për të drejtat dhe liritë tona. Pra, “Demokratike” nuk kishte aspak nocion politik, por më pas na u bë presion që të bëhej e tillë.
Kush ua bëri këtë presion?
Më saktë nuk ishte presion i mirëfilltë, por një kërkesë e përsëritur nga demokratët e parë të asaj kohe. Ai që po këmbëngulte më shumë ishte Sali Berisha dhe në një farë mënyre kishte të drejtë. Në ato muaj tranzicioni, duheshin sa më shumë grupime politike dhe mbështetje të tilla, në mënyrë që të përmbysej njëherë e mirë regjimi komunist. Nga ana tjetër, ne gratë ndërmorëm disa turne në qytete të Shqipërisë dhe më pas në Kosovë e Maqedoni, ku u ndamë keq dhe me sharje, sepse ende nuk pranoheshim nga mentaliteti i vjetër politik. Për shembull, në Prizren na dëbuan nga salla dhe mbledhja me gratë dështoi, vetëm pse shamë Enver Hoxhën. Ata ishin ende shumë të dashuruar me Enver Hoxhën dhe e kishin mit. Atë e njihnin vetëm nëpërmjet broshurave dhe librave të tij, pa ditur anën tjetër të historisë. Kur arritëm në kufi duke u kthyer për në Shqipëri, mbi pasaporta na vunë vula refuzimi. Kjo gjë vijoi për disa kohë, ndërkohë Lidhja Demokratike e Gruas u politizua.
Edhe ju bashkë me të?
Jo, jo, sepse politika nuk ishte qëllimi im. Unë iu bashkova atij grupimi për të ndihmuar gratë, për të qenë sa më afër tyre dhe politika e asaj kohe, por edhe e kësaj ku jemi, nuk të ofron një gjë të tillë. Përkundrazi, të çon edhe më larg…
Jeni penduar pse u larguat nga politika?
Unë u futa pa dashur, pa e kuptuar, por dola me vetëdije të plotë. Klima politike ka qenë po kaq e ashpër sa tani, vetëm fjalori ishte më “i moderuar”. Ideja për t’u larguar një orë e më parë më erdhi gjatë një mbledhjeje me gratë në Dhjetor 1992. Ishim rreth 800 zonja në një sallë të Bashkisë së Tiranës dhe po diskutoja kur njëra prej tyre, më drejtohet: “Ti je komuniste… Vjehrri yt është komunist…”. Nuk ia vlente të debatoja dhe t’i tregoja asaj zonje përndjekjet e komunizmit, që ishin bërë familjes sime dhe “njollat në biografi” që kisha, vetëm i thashë vetes që është e pamundur në atë lloj mënyre për të luftuar për të drejtat e grave. Duhej një mënyrë tjetër!
Dhe si e gjetët mënyrën tjetër?
Atë fjalimin që më ndërprenë në Bashkinë e Tiranës, e kishte dëgjuar një zvicerane, që kishte qenë aty dhe ishte e interesuar për zhvillimet që po ndodhnin me gratë në Shqipëri. E emocionuar më ndjek nga pas teksa po dilja jashtë dhe bisedon me mua për idetë që kisha në dobi të grave dhe sa larg shihja në këtë vizion. U ndamë aty dhe pas 2 muajsh, në shkurt 1993 kthehet me një zarf ku ishin 2000 dollarë. Ai ishte kapitali i parë për të ndërtuar shoqatën, ndërkohë që kishte folur në një emision në radio në Zvicër. Pas kësaj historie, me këto para dhe ndihma të tjera nga Zvicra dhe më vonë shtete të tjera, themeluam shoqatën “Në dobi të gruas shqiptare”.
Si ka mundësi që është themeluar më 1993, kur dihet që në atë kohë nuk lejoheshin OJQ-të?
Keni të drejtë dhe ua sqarova pak a shumë në fillim. Ne ishim si lëvizje femrash, të cilat tentuam të regjistronim shoqatën në Ministrinë e Drejtësisë. Në atë kohë, ky dikaster drejtohej nga Kudret Çela dhe ai na tha që kjo është e pamundur. Të çuditura kërkuam arsyen se pse nuk regjistrohej dhe ai na sqaroi se Qeveria nuk kishte një ligj për shoqatat. Megjithatë, ai na orientoi drejt Ministrisë së Punëve dhe Çështjeve Sociale, ku ishte ministër Dashamir Shehi. Kështu, ne u regjistruam në këtë ministri më 24.09.1993, me urdhër nr. 3. Ndërsa kur doli ligji tjetër nga Ministria e Drejtësisë shoqata u regjistrua juridikisht në Gjykatën e Tiranës me vendim nr. 285, datë 24.01.1996.
Tani që ktheni kokën pas, çfarë shihni?
Guxojmë sot të kthejmë kokën pas dhe shohim rrugën ku ne kemi udhëtuar. Ndjehemi krenare, që ishim protagoniste të këtij momenti historik të lëvizjes. Shkruajtëm një kapitull revolucionar, shumë të veçantë në llojin e tij…

 

SEVIM ARBANA

© Panorama.al

Te lidhura