Serial krimesh në Selenicë, qëllohet në pritë 41-vjeçari

Sep 28, 2011 | 13:04
Policia në vendin ku u vra pak muaj më parë Baftjar Llanaj

Pas dy të vrarëve në Selenicë të Vlorës, seriali i hakmarrjes për pak shkaktoi viktimën e tretë. Dje, rreth orës 12:30, shtetasi N. Xhaferri i shpëtoi mrekullisht një prite, kur dy persona të maskuar kanë qëlluar me armë automatike. 41-vjeçari ka mundur t’i shpëtojë mrekullisht breshërisë së plumbave, ndërsa autorët janë larguar me shpejtësi për t’u arrestuar disa momente më vonë. Burime të Policisë bënë të ditur se arrestuan në vendin e quajtur “Depoja e ujit”, në fshatin Kocul, Altin Aliajn, 34 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje, si dhe shtetasin Armando Shakaj, 24 vjeç, që të dy lindur në Selenicë dhe me banim në Vlorë. Pas kontrollit të kryer në mjetin e tyre u janë gjetur veshur doreza llastiku, kapele dhe kominoshe të zeza, një bidon 5-litrosh me benzinë, i cili u sekuestrua bashkë me benzin 200 ngjyrë gri pa targa, i cili, pas verifikimeve, rezultoi se ishte vjedhur në Tiranë më 15 shtator 2011, si dhe armën e zjarrit, kalibri i së cilës korrespondon me ato të gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes.
Nga hetimet e kryera dyshohet se dy të arrestuarit tentuan të vrasin për motive hakmarrje. Vëllai i 41-vjeçarit, Sako Xhaferri, tashmë i arrestuar, dyshohet të ketë vrarë me armë zjarri të afërmin e tyre, shtetasin Baftiar Llanaj disa muaj më parë. Ngjarja ndodhi në rrugën që lidh qytezën e Selenicës me Vlorën, në vendin e quajtur “Bishti i malit”. 62-vjeçarit Llanaj i është zënë pritë duke u qëlluar me breshëri automatiku nga të paktën dy persona. Sapo makina “Benz” me targë VL 6368 C e Llanajt është afruar, autorët kanë nisur të qëllojnë drejt saj me automatik. Makina përfundoi në një kanal, ndërsa viktima gjeti vdekjen e menjëhershme.

HAKMARRJA
Viktima Baftjar Llanaj u ekzekutua më 14 qershor të këtij viti për motive hakmarrje. Gjashtë vjet më parë ai kishte vrarë pas një sherri babanë e shënjestrës së djeshme, N.Xhaferrit, ndërsa vëllai i këtij të fundit kishte mbetur i plagosur duke humbur edhe njërin sy.

VLORE/ QEMAL BIRAKU

© Panorama.al

Te lidhura