Kryeministri italian është paraqitur dje në gjykatë, në seancën e parë kundër tij për evazion fiskal, në blerjet e rrjetit televiziv “Mediaset”. Ndërkohë, atë e pret gjykimi edhe për një sërë çështjesh të tjera të rëndësishme, si prostitucioni me minorene, apo edhe shfrytëzimi i postit për t’i nxjerrë ato nga burgu. Kur ka dalë nga gjykata, i pyetur nga gazetarët se si shkoi, Berluskoni është përgjigjur: Gjithçka mirë. Ai tha se çdo gjë që është hedhur kundër tij, bëhet për arsye politike dhe se ai është njeriu më i akuzuar i planetit. Kryeministri italian tha se të gjitha akuzat kundër tij do të bien, sepse janë thjesht qesharake. Sidoqoftë, kjo ishte hera e parë që Berluskoni është paraqitur në gjyq në një seancë kundër tij, që kur Gjykata Kushtetuese italiane rrëzoi ligjin e imunitetit të miratuar nga shumica e tij e të kontestuar mjaft ashpër nga opozita italiane. Seanca e radhës për Berluskonin, në gjykimin për evazion fiskal në “Mediaset”, është caktuar më katër prill. Ndërkohë Prokuroria e Milanos ka kërkuar që të vendoset një seancë për të më 6 prill, për akuzat e “prostitucionit me minorene” dhe “shfrytëzimit të postit” për shërbime ndaj tyre. Silvio Berluskoni është më i pasur se i gjithë Parlamenti italian. Pasuria e tij prej deklaratës së kaluar deri në deklaratën e këtij viti, është rritur me 77 për qind. Ndërsa një vit më parë Berluskoni e kishte deklaruar pasurinë 23.057.981 euro, këtë vit ai rezultoi me 40.897.004 euro në llogaritë e tij. Berluskoni renditet i 118-ti në klasifikimin e njerëzve më të pasur në botë, sipas Forbes.
Protestë
Emigrantët në Lampeduza, Itali, kanë nisur një protestë për kushtet e jetesës. Shumë prej atyre që kanë mbërritur në Itali gjatë ditëve të fundit prej Tunizisë, apo vendeve të tjera, po flenë në natyrë. Kohët e fundit në Itali kanë mbërritur 10 mijë emigrantë dhe fluksi i tyre po rritet, duke pakësuar gjasat që autoritetet t’u përgjigjen kërkesave të tyre.











