“S’e mbyll dot më në kasafortë korrupsionin!”- Provat për arrestimin e Ballukut, Bardhi thirrje Peleshit: Vendosi materialet në dispozicion të deputetëve!

Dec 17, 2025 | 15:14

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, i ka bërë thirrje kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, t’i vërë në dispozicion deputetëve materialet dhe provat e dorëzuara nga SPAK për Belinda Ballukun, krahas kërkesës për dhënien e autorizimit për arrestimin e saj.

bardhi balluku peleshi

Bardhi reagoi pasi Kuvendit në një deklaratë sqaroi se materialet e dërguara nga SPAK janë klasifikuar si “sekret hetimor” dhe ndodhen në kasafortë.

Por deputeti demokrat shprehet se Peleshi nuk “e mbyll më dot në kasafortë korrupsionin e Edi Ramës, pasi është sheshit, në çdo punë publike”!

Ai theksoi se SPAK, sipas ligjit, ka detyrimin të sjellë në Kuvend relacionin, shoqëruar me provat mbështetëse dhe këto nuk i sjellë për t’i mbyllur në kasafortën e Protokollit të Kuvendit, por për t’ia vënë në dispozicion anëtarëve të Këshillit të Mandateve dhe deputetes së marrë të pandehur, që të jenë të përgatitur për vendimmarrjen në mbledhje.

“Për të zbatuar ligjin s’ka nevojë të pyesësh as SPAK as Edi Ramën! Vendosi në dispozicion deputetëve materialin e plotë, përfshirë provat shoqëruese të relacionit dhe urdhrin e prokurorit të datës 16.12.2025”, bën thirrje Bardhi.

REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI

Niko e ke gabim! Nuk e mbyll më dot në kasafortë korrupsionin e Edi Ramës! Është sheshit, në çdo punë publike!

SPAK, sipas ligjit, ka detyrimin të sjellë në Kuvend relacionin, shoqëruar me provat mbështetëse. Këto nuk i sjellë për ti mbyllur në kasafortën e Protokollit të Kuvendit, por për t’ia vënë në dispozicion anëtarëve të Këshillit të Mandateve dhe deputetes së marrë të pandehur, që të jenë të përgatitur për vendimmarrjen në mbledhje.

Për të zbatuar ligjin s’ka nevojë të pyesësh as SPAK as Edi Ramën! Vendosi në dispozicion deputetëve materialin e plotë, përfshirë provat shoqëruese të relacionit dhe urdhrin e prokurorit të datës 16.12.2025.

DEKLARATA E KUVENDIT

SPAK dërgoi një ditë më parë (16 dhjetor) kërkesën në Kuvend për heqjen e mandatit të Belinda Ballukut, me qëllim arrestimin e saj. Por dosja me përgjimet nuk i janë vënë në dispozicion anëtarëve të Këshillit të Imunitetit. Në një reagim Kuvendi sqaroi se materialet e dërguara nga SPAK janë klasifikuar si “sekret hetimor” dhe ndodhen në kasafortë.

Kuvendi sqaron se këto materiale do të diskutohen në prani edhe të prokurorëve të posaçëm që do të jenë të pranishëm në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit.

“Materiali me karakter “sekret hetimor”, në zbatim të Urdhrit të Prokurorisë së Posaçme, datë 16.12.2025, “Për ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit të akteve”, i nxjerrë në mbështetje të neneve 103, 104 dhe 279 të Kodit të Procedurës Penale dhe nenit 295/a të Kodit Penal, mbart detyrimin e Kuvendit për zbatimin e këtij urdhri në ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit ose shpërndarjes së akteve të tilla. Materiali me karakter “sekret hetimor” ndodhet në kasafortën e specialistit të protokollit për dokumentacionin e klasifikuar”, sqaron Kuvendi.

Në njoftim ritheksohet detyrimi i të gjithë deputetëve të vënë në dijeni për respektimin e rreptë të sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit ose shpërndarjes së akteve, në përputhje me urdhrin e prokurorit të çështjes.

Mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit do te mblidhet te premten ne orën 10:00.

Njoftimi:

Kuvendi i Shqipërisë, në zbatim të dispozitave kushtetuese dhe të Rregullores së Kuvendit, si dhe të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si edhe të urdhrit të prokurorit të çështjes “Për ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit të akteve”, Kryetari i Kuvendit ka nxjerrë Urdhrin nr. 41, datë 16.12.2025, për thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

Administrata e Kuvendit (Sekretaria e Këshillit) u vuri në dispozicion anëtarëve të këtij Këshilli aktet procedurale përkatëse, si edhe kërkesën dhe urdhrin e prokurorit për ruajtjen e sekretit hetimor, me detyrimin e shprehur që këto dokumente të mos bëhen publike.

Materiali me karakter “sekret hetimor”, në zbatim të Urdhrit të Prokurorisë së Posaçme, datë 16.12.2025, “Për ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit të akteve”, i nxjerrë në mbështetje të neneve 103, 104 dhe 279 të Kodit të Procedurës Penale dhe nenit 295/a të Kodit Penal, mbart detyrimin e Kuvendit për zbatimin e këtij urdhri në ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit ose shpërndarjes së akteve të tilla.

Materiali me karakter “sekret hetimor” ndodhet në kasafortën e specialistit të protokollit për dokumentacionin e klasifikuar.

Kjo çështje dhe mënyra e njohjes me këtë informacion do të diskutohen në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në prani të prokurorit të SPAK-ut.

Gjejmë rastin të ritheksojmë edhe një herë, për të gjithë deputetët që janë vënë në dijeni, detyrimin për zbatimin e rreptë të ruajtjes së sekretit hetimor, në përputhje me urdhrin e prokurorit të çështjes.

Të gjitha veprimet e deritanishme të Kuvendit janë të bazuara dhe në zbatim të Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit dhe urdhrit të prokurorit.

© Panorama.al

Te lidhura