SARANDE- Vazhdon seriali i grabitjeve në qytetin e Sarandës. Dy subjekte tregtare janë vjedhur gjatë natës së të mërkurës nga persona ende të paidentifikuar. Ngjarjet ndodhën në lagjen Nr.3 të qytetit. Pronarët e supermarketeve “Flora” dhe “Three stars” njoftuan policinë për vjedhjet. Ata konstatuan se dyert prej xhami të supermarketeve janë hapur në mënyrë të sofistikuar, pa u kuptuar në pamje të parë. Pronarja e njërit subjekt tha se i kanë vjedhur një shumë prej 300 mijë lekësh, që ishin gjendje në arkë, si dhe një sasi mallrash, si pije alkoolike etj. Burime nga policia thanë se grabitësit janë kujdesur dhe ia kanë dalë që të çaktivizojnë sistemin e alarmit të montuar në supermarkete, e në këto kushte e kanë kryer të qetë vjedhjen. Deri më tani janë shoqëruar disa persona, por autorët mbeten të paidentifikuar. sh.d











