Salsano dhe Eneida: Zënkat tona në “Portokalli”

Mar 5, 2011 | 14:07

Duket se e kanë marrë me shumë qejf prezantimin e spektaklit të humorit “Portokalli” dhe batutat mes njëri-tjetrit nuk i kursejnë. Kështu na u shfaqen tek “Pasdite në Top Channel” Salsano Rapi dhe Eneida Tarifa teksa rrëfenin se kjo eksperiencë është ekzaltuese për ta. Gjithçka ka filluar me një numër të spektaklit të Vitit të Ri ku Salsano dhe Eneida bënë një numër së bashku. Aty ata ranë në sy të regjizorit Altin Basha, i cili pa që mes tyre ka një komunikim shumë spontan dhe të këndshëm dhe mbas largimit të Agron Llakajt dhe Amarda Toskaj, ata shiheshin prej tij si zëvendësuesit më të gjetur. Lajmi gëzoi më së shumti Eneidën, e cila do bëhej pjesë e një stafi të tërë me humoristë dhe më në fund do kishte mundësi të tregonte për publikun që është jo vetëm një këngëtare e mirë, por ka edhe shumë sens humori si dhe aftësi aktrimi.
Edhe në prezantim Salsano do bëjë këngëtarin ndërsa do dialogojë përmes batutave me Enedën, të cilat i vazhdojnë edhe jashtë skenës. Salsano do t’i tregojë Eneidës se është këngëtar më i mirë  se ajo dhe për këtë arsye zihen pa fund. Ata kanë edhe një të përbashkët që e rrëfejnë po me sens humori, partnerët e tyre tashmë zyrtarë kanë të njëjtin emër, Erjoni dhe Erjona, dhe ata janë shumë të lumtur për eksperiencat e reja të të dashurve të tyre. Salsano do të jetë i angazhuar edhe me rolet e shumta tek Atentatori, perosnazhe që pëlqehen shumë. Stafi i “Portokalli”-së ka bërë një sondazh nëpër Shqipëri për të kuptuar më mirë se cilët nga përsonazhet e kësaj shfaqjeje humori pëlqehen më shumë dhe kanë dalë në konkluzionin që duhet të risjellin në skenë disa personazhe që ata i mendonin si të konsumuar, por që pëlqehen akoma nga publiku. Një tjetër detaj interesant do të jenë skeçet me personazhet e “Big Brother”, spektakël i cili pëlqehet shumë por po aq shumë pëlqehen edhe imitimet e tyre tek “Portokalli”.

© Panorama.al

Te lidhura