Hamdi Salihi është “perandori i ri i futbollit” në Vjenë. Falë golit të tij të 13-të sezonal, Rapidi fitoi 1-0 në derbin me Austrinë, duke i zbritur këta të fundit në renditje. Sulmuesi shkodran shënoi në minutën e 72-të golin e vetëm të derbit të 296-të midis dy skuadrave, duke përsëritur, në fakt, atë fitore të 28 nëntorit 2010, ku Rapidi fitoi po 1-0 dhe po me një gol të Hamdi Salihit. Edhe pse Austria ishte favorit në këtë takim, nuhatja natyrale e sulmuesit të Kombëtares shqiptare u dha “Grün-Weiß” (jeshil-bardhëve) fitoren e çmuar. Një fitore e rëndësishme në transfertë, teksa Salihi bëri të heshtë tifozët kundërshtarë dhe çoi në delir 13 100 të pranishëm në stadiumin “Generali Arena”. Me golin e tij sezonal, Salihi i dha fitoren e 124-t Rapidit në derbi.











