Superhajduti Saleo Stojani rrëfen vrasjen e policit

Mar 31, 2011 | 9:33
Bashkëshortja e efektivit të vrarë, Lina Likaj

Superhajduti Saleo Stojani e ka përjashtuar veten dhe mikun e tij 17-vjeçar nga autorësia për vrasjen e oficerit të policisë së Vlorës, Roland Likaj.Personazhi i njohur për policinë, Saleo Stojani, me një profil kriminal në rritje, është marrë në pyetje ditën e djeshme, vetëm 24 orë pas arrestimit me akuzën e pjesëmarrjes në vrasjen e policit të Vlorës. Stojani ka pretenduar se nuk ka “gisht” në këtë krim, duke thënë se autor i ngjarjes nuk është as adoleshenti tjetër që akuzohet nga policia. Stojani mësohet se ia ka faturuar krimin të arrestuarit të tretë Jetnor Nakoleci, i cili nga ana e tij ka pranuar që ka shkrepur armën në drejtim të policit. Saleo Stojani, gjatë dëshmisë së tij, ka pranuar faktin se natën kur ndodhi ngjarja ai dhe dy shokët e tij do të kryenin një vjedhje në Vlorë. “Unë nuk kam kryer asnjëherë në jetën time krim tjetër përveç vjedhjes. Çdo polic e di që unë sa herë kam kryer vjedhje, e kam pranuar autorësinë. Ndërsa për vrasjen, unë nuk kam “gisht në këtë punë. Faji im i vetëm është se nuk tregova në polici, pasi e mora vesh se çfarë kishte ndodhur dhe për këtë unë mund të akuzohem vetëm për ‘moskallëzim krimi’ dhe jo bashkëpunëtor në vrasje”, ka thënë superhajduti Saleo Stojani. Ai është shprehur se ka pasur frikë të tregonte. Personazhi i njohur për policinë, i cili aktualisht ndodhet në burg, i dënuar me 20 muaj për vjedhje, përjashtoi nga krimi edhe 17-vjeçarin me iniciale E.Z, që sipas tij në momentin e vrasjes po priste në një rrugicë të lagjes “Çole”, kur Jetnor Nakoleci qëlloi për vdekje policin. Nga ana tjetër, policia ka marrë në pyetje sërish autorin kryesor të dyshuar për vrasje, 25-vjeçarin Nakoleci. Nga deklarimet e tij rezulton se arma me të cilën është vrarë polici Likaj, është një pistoletë e tipit “Glock”, me kalibër të vogël, që i dyshuari thotë se e ka hedhur në një prej pusetave në lagjen “Çole”, por nuk mban mend saktësisht se ku. Për këtë arsye, efektivat e policisë së Vlorës kanë kryer dje kërkime për gjetjen e armës së krimit në zonën ku ndodhi ngjarja.
Grabitja
Saleo Stojani ka shpjeguar se ai dhe dy miqtë e tij kishin mësuar se një vilë në lagjen “Çole” nuk kishte njerëz më 18 tetor 2010. Ata kishin vendosur ta grabisnin vilën, duke shfrytëzuar mungesën e njerëzve, por shfaqja e papritur e oficerit të policisë i ka trembur. “Jetnori ka bërë gjithçka me mendjen e vet, ne nuk e dinim as që ai kishte armë me vete. Na ka treguar më vonë se çfarë kishte ndodhur, vetëm kur shkuam te shtëpia e gjyshes së tij ku filluam të ziheshim”, ka shpjeguar në dëshminë e tij Saleo Stojani. “Atje ne kishim shkuar për të vjedhur një vilë, sepse kishim informacion që aty nuk ndodhej njeri atë natë. Kur po shkonim në drejtim të vilës, Jetnori na tha se dyshonte se po na ndiqte policia. Na la në një rrugicë ta prisnim, ndërsa vetë nuk e di se nga shkoi. Pak minuta pasi ishim ndarë, dëgjuam të shtëna. U trembëm, por nuk dyshuam se Jetnori mund të bënte një gjë të tillë. Dyshimet filluam kur ai erdhi me vrap tek ne dhe na tha se nuk duhet ta bënim vjedhjen që kishim planifikuar”, ka shpjeguar Saleo Stojani. Ai ka thënë se shoku i tij i kishte treguar çfarë kishte bërë dhe ka kërcënuar që të mos tregonin asgjë, përndryshe do të hynin në burg të gjithë bashkë.

Arrestimi i tre autorëve

Operacioni i Krimeve të Rënda të Policisë së Shtetit, i koduar “Shtegtari”, identifikoi dhe arrestoi autorët e vrasjes së oficerit të policisë së Vlorës, Roland Likaj. Sipas policisë, të akuzuarit janë Jetnor Nakoleci, Saleo Stojani dhe një 17-vjeçar me iniciale E.Z., të tre të skeduar disa herë për vjedhje. Bashkëpunimi në vrasjen e oficerit të policisë është zbuluar duke përdorur metodat speciale të hetimit, gjurmime dhe përgjime nga oficerët e grupit hetimor.

Bashkëshortja e policit të vrarë:  Rolandi të shpallet Dëshmor i Atdheut

Bashkëshortja e punonjësit të policisë, Roland Likaj, që u vra në krye të detyrës më 18 dhjetor të vitit të kaluar, kërkon dënimin maksimal të autorëve. Lina Likaj po rrit e vetme dy vajzat e saj, 3 dhe 5 vjeçe. Në banesën ku jeton e veja dhe dy vajzat e mitura hyjnë e dalin njerëz, të afërm e fqinj të familjes. “Të paktën autorët do të vuajnë dënimin”. Ky është ngushëllimi i vetëm që ata mundën t’i japin gruas së përlotur gjashtë muaj pasi i shoqi u vra në makinën e tij teksa po mbante në survejim një grup hajdutësh. Ai i sinjalizoi kolegët për përforcime, por papritmas, teksa i priste në mjetin e tij, një person i është afruar te xhami i makinës duke e qëlluar atë për vdekje.
Lina Likaj tashmë e ka më të lehtësuar dhimbjen për humbjen e bashkëshortit. Bashkë me ngushëllimin e të afërmve të saj pajtohet edhe vetë ajo: të paktën vrasësit u arrestuan. Ajo falënderon strukturat e shtetit dhe kryeministrin për angazhimet dhe interesin ndaj familjes së policit të vrarë, zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e autorëve. Edhe motra e Rolandit i falënderoi kolegët e vëllait të saj, të cilët mundën të zbardhnin ngjarjen dhe të kapin vrasësit. “Jemi të bindur se shteti do ta ketë në qendër të vëmendjes familjen e Rolandit, ashtu si deri sot. U jemi mirënjohës strukturave të shtetit dhe Kryeministrit për gjithçka”, u shpreh ajo.
Znj. Likaj, si ndiheni tashmë që autorët e vrasjes së bashkëshortit tuaj janë arrestuar?
Nuk po e besoja në momentet e para. Më pas pata emocione, por m’u lehtësua pak shpirti që u kapën autorët e vrasjes së bashkëshortit tim, i cili ishte në krye të detyrës dhe punonte për të ushqyer familjen e tij. Në momentin që mësova lajmin e arrestimit të tyre mora dy vajzat pranë dhe lotova. M’u duk sikur m’u lehtësua pak dhimbja, edhe pse e di se askush s’ma kthen dot më bashkëshortin e vrarë.
Kush jua dha lajmin për arrestimin e autorëve?
Lajmin ma dhanë drejtues të lartë të Policisë së Shtetit mbrëmjen kur u kapën vrasësit. Më njoftuan se ishin kapur autorët e vrasjes së Rolandit. E rëndësishme është që strukturat e shtetit kanë qenë gjatë gjithë kohës pranë familjes së Rolandit. Vazhdimisht kanë kontaktuar fizikisht përmes linjës elektronike, ku shpeshherë janë interesuar për problemet dhe hallet e familjes sonë. Janë interesuar vetë kryeministri Berisha, drejtori i Policisë së Vlorës, drejtori i Policisë së Shtetit etj. Madje Berisha më nisi një mesazh pas arrestimit të autorëve.
Çfarë thuhej në mesazhin e Kryeministrit, mund të na e thoni?
Po. Shprehimisht mesazhi i Berishës citonte: “Zonja Likaj! Duke shprehur nderimin tim më të madh për ju, familjen tuaj dhe kujtimin e bashkëshortit tuaj të dashur, Roland Likaj, që ra në krye të detyrës, ju siguroj se do të bëjmë gjithçka që autorët e krimit të shëmtuar të marrin ndëshkimin më të rreptë ligjor. Miqësisht, Sali Berisha”.
Besoni se personat e arrestuar janë autorët e vrasjes së bashkëshortit tuaj?
Kam besim te strukturat e shtetit. Them se ata janë autorët, por gjithçka do t’ia lëmë kohës së hetimeve dhe procesit gjyqësor. Do të jetë drejtësia ajo që do të gjykojë dhe kam besim se do të marrin dënimin e merituar.
Çfarë kërkoni apo prisni nga shteti?
Që në momentet e vrasjes së bashkëshortit tim të gjitha strukturat e shtetit, ato të Policisë dhe të qeverisë, na kanë ndenjur shumë pranë për çdo problem dhe hall që kemi pasur. Madje dhe vetë kryeministri më ka kontaktuar disa herë. Duam që Rolandi të zyrtarizohet si Dëshmor i Atdheut, si punonjës i policisë i rënë në krye të detyrës. Pra, kërkojmë të na jepet statusi. Për këtë gjë janë hedhur hapat e nevojshëm, por ne jemi të ndërgjegjshëm se këto procedura duan kohën e duhur. Gjithsesi, kemi besim te strukturat e shtetit se Rolandit do t’i japin meritat e duhura si punonjës i policisë i rënë në krye të detyrës për garantimin e jetës së qytetarëve.
Cilat janë ndihmat që të kanë dhënë strukturat e shtetit?
Dy vajzat i çoj në kopsht dhe nuk paguaj asgjë, ua paguan shteti. Ndërkaq, Drejtoria Arsimore më ka krijuar kushtet që të punoj në një shkollë që është në afërsi të kopshtit të vajzave, me qëllim që të jem pranë tyre. Pra punoj, por kam mundësi t’i çoj dhe t’i marr vajzat nga kopshti. Gjithashtu shteti më ka paguar edhe një hyrje, e cila është në proces e sipër në ndërtim.
Keni besim se personat e arrestuar do të ndëshkohen nga shteti?
Kam besim se po, por nëse do të ndodhë e kundërta, plaga do të më hapet dhe më shumë. Nëse autorët e vrasjes së bashkëshortit tim do të marrin dënimin e merituar, do më lehtësohet disi dhimbja. Tashmë i kemi autorët e vrasjes në qeli, do të marrim vesh cila ka qenë arsyeja që kanë kryer krimin. Unë pres dënimin e tyre maksimal nga drejtësia.

Vrasja e Likajt

Roland Likaj u vra më 18 dhjetor 2010, në lagjen “Çole”, gjatë kryerjes së shërbimit. Vrasja e tij është bërë nga një person, i cili i është afruar makinës ku kishte ndaluar dhe mbasi i ka folur nga xhami, ka nxjerrë armën e zjarrit duke e qëlluar për vdekje. Në vendin e ngjarjes mbërritën pak minuta më pas efektivë të policisë së Vlorës, të cilët ishin njoftuar më parë nga viktima për përforcime, pasi ai ishte vënë në ndjekje të tre personave të dyshuar. Por blutë nuk arritën t’i kapnin në vend autorët, të cilët u arrestuan gjashtë muaj pas krimit të rëndë.
Roland Likaj ishte diplomuar në vitin 1988. Ai ka punuar para viteve ’90 në kufi, më pas është liruar nga detyra duke u rikthyer në polici në vitin 2008. Prej asaj kohe ai punoi në Komisariatin e Vlorës, në detyrën e komandantit të grupeve të gatshme.

 

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura