Ndërsa forcat e Geddafi-t po korrin vazhdimisht fitore kundër rebelëve në Libi, të cilët tashmë janë rrethuar në qytetin e Benghazi-t, i biri i kolonelit Libian guxon të kërcënojë ish-vendet mike, mes të cilave Italinë, se do ta paguajnë tradhtinë e tyre. Ushtarët e Geddafi-t i janë afruan më shumë Benghazi-t, kryeqendrës së Komitetit Nacional të rebelëve. Saif al-Islam, djali i liderit libian, Muammar Geddafi, tha se “gjithçka do të marrë fund brenda 48 orëve”. Rebelëve vazhdimisht u bëhet thirrje të hedhin armët. Dita e djeshme ka vazhduar me luftime intensive në pjesën e rebeluar të Libisë. Avancimi i trupave libiane vjen pas dështimit të unifikimit të zërave në samitin e G8-s, për vendosjen e një bllokade ndalim-fluturimi mbi vendin afrikan. Sipas disa vendeve, kjo masë do të përbënte hapin e parë të një lufte. Qeveria libiane këmbëngul shumë për të mbajtur në terr informacionin jashtë vendit. Janë zhdukur katër gazetarë të “New York Times”, sipas drejtorit të së përditshmes amerikane, Bill Keller, i cili ka shtuar se redaksia e tyre ka pasur informacione të dorës së dytë nga njerëz të tjerë të pranishëm në luftimet e qytetit Ajdabiya, se gazetarët janë marrë nga forcat qeveritare. Bëhet fjalë për shefin e zyrës së “NYT” në Bejrut, Anthony Shadid, për Stephen Farrell (i rrëmbyer më parë nga talebanët në 2009-ën) dhe fotografët, Tyler Hicks dhe Lynsey Addario. Ndërkohë, Presidenti francez, Nikolas Sarkozy ka bërë thirrje në OKB për domosdoshmërinë e vendosjes së ndalim- fluturimit. Sarkozi ka kërkuar mbështetje për nismën e përgatitur së bashku me Britaninë dhe të mbështetur nga Libani, si zëdhënës i Ligës Arabe, për të kërkuar sanksione më të ashpra kundër Libisë dhe Geddafi-t. Vendet e Këshillit të Sigurimit mbeten të ndara në këtë pikë. Geddafi ka sulmuar veçanërisht Francën, për insistimin pro vendosjes së një zone ndalim-fluturimi mbi Libi. “Të godisni Libinë? Jo, do të jetë Libia që do t’ju godasë ju. Ne ju mundëm në Algjeri, në Vietnam. Doni të na godisni? Ejani provojeni njëherë”, tha Geddafi, duke e cilësuar më tej Perëndimin si “të çmendur” dhe Presidentin francez, Sarkozi, si “të sëmurë mendor”. Deklarata më e fortë erdhi nga djali i kolonel Geddafi-t, Saif al Islam, i cili tha se Libia e ndihmoi financiarisht fushatën elektorale të Sarkozisë, në vitin 2007. “Ne e financuam atë dhe ne kemi të gjitha detajet. Jemi gati të zbulojmë çdo gjë”, tha Saif al Islam. Pallati presidencial në Francë e ka mohuar deklaratën e tij. Një ditë më parë, televizioni shtetëror libian foli për një sekret që do të sillte në rrëzimin e Presidentit Sarkozi.











