Ryshfeti, Paro Laçi merrte aksione të kompanive

Mar 21, 2011 | 9:55

Paro Laçi, aksioner i klubit të futbollit “Partizani”, i akuzuar tashmë për korrupsion dhe mashtrim, është bërë “pronar” në dy kompani që vepronin në fushën e minierave, vetëm pak kohë para arrestimit.Biznesmeni që u kap me 40 mijë euro në makinën e tij, të marra ryshfet për një licencë minerare, sipas Prokurorisë ka pasur lidhje me biznesin në fjalë. Personi që ka paguar shumën mësohet se është shtetasi Altin Xhuma, i arrestuar me Paro Laçin ditën e diel. Kompania e parë, në të cilën Paro Laçi është bërë aksioner, është “Miti 03” e themeluar në vitin 2003 me seli në Dibër, Bulqizë dhe me kapital 100.000.00. Objekti i kësaj kompanie është veprimtaria në fushën e import-eksport e tregtimi me shumicë e pakicë i mallrave industrialë e ushqimorë, materiale ndërtimi, hidrosanitare, kinkaleri, kozmetike, transport udhëtarësh e mallrash. Më tej, objekti i kësaj kompanie vazhdon me ndërtimin dhe montimin e impianteve për prodhimin e energjisë nga burime të ndryshme, tregti me pakicë të karburanteve e vajrave lubrifikant dhe, më tej, kërkim, zbulim, nxjerrje, prodhim e shfrytëzim të mineraleve të ndryshme metalore dhe jo metalore, me shumicë e pakicë, ndërmjetësim për tregje të mineralit të kromit, prodhim koncentrati, shpime nëntokësore, etj. Paro Laçi nuk ka pasur lidhje me këtë kompani deri në datën 18 mars 2011 (një ditë para se të arrestohej). Në këtë datë, personazhi i njohur është bërë aksioner në këtë subjekt, ku ka hyrë edhe shtetasi Altin Xhuma, i cili sipas Prokurorisë, ka dhënë ryshfetin 40 mijë euro tek Paro Laçi. Sipas dokumentacionit ligjor, kompania ka bërë transferim kuotash, duke ndryshuar të dhënat mbi përkatësinë e aksioneve dhe duke futur kështu emrin e Paro Laçit në listën e pronarëve. Deri në 18 mars, numri i aksioneve në këtë kompani ka qenë 100.00 në emër të shtetases Dhurata S. Por, në datën 18 mars 2011, aksionet janë ndarë dhe ish-pronarja ka mbajtur 25 për qind të aksioneve, duke transferuar pjesën tjetër të pronësisë. Kështu, Paro Laçi është bërë aksioner me 25 për qind me kontribut 25.000.00 lekë. Janë shtuar si aksionerë edhe shtetasit Radvest Dima me 25 për qind dhe Altin Xhurra, me 25 për qind të aksioneve. Pikërisht, përfshirja e Paro Laçit në këtë kompani po hetohet pasi dyshohet se kalimi i pronësisë së aksioneve ka qenë pikërisht favor shtesë, që i është bërë kundrejt nxjerrjes së licencës që kishte premtuar të ndërmjetësonte në Ministrinë e Ekonomisë.
Biznesi i dytë
Aktiviteti i Paro Laçit duket se ka qenë i dendur pak ditë para arrestimit. Më 15 mars 2011, ai së bashku me Altin Xhurën, i arrestuar edhe ky në aksionin e së dielës, kanë themeluar kompaninë me emrin “L.D.XH”. Objekti i veprimtarisë së kësaj kompanie është i njëjtë me kompaninë “Miti 03”, ku Paro Laçi ishte bërë aksioner një ditë para arrestimit. Vetëm se, në subjektin e ri, Paro Laçi zotëronte një numër më të madh kuotash pronësie, konkretisht 34 për qind. Dy anskionerët e tjerë të subjektit, që kishte në qendër të aktivitetit fushën e minierave, ishin shtetasit Altin Xhuma, me 33 për qind të aksioneve dhe Radvist Dhima, me 33 për qind të aksioneve, duke konfirmuar si aksioner maxhoritar, Paro Laçin.

Dyshohet se trukoi edhe 5 ndeshje futbolli, Paro Laçi s`dëshmon në qeli

TIRANË – Biznesmeni Paro Laçi, personazh i njohur si aksioner i Futboll Klub Partizani, aktualisht në proces gjyqësor me Fatos Xhanin, ka refuzuar të japë deklarime pas arrestimit në Tiranë. Pasi është vënë në pranga ditën e diel, mësohet se Paro Laçi ka refuzuar të japë shpjegime në lidhje me akuzat që janë ngritur ndaj tij. Grupi i hetimit ka shkuar ta marrë në pyetje në paraburgim, por Paro Laçi ka thënë se nuk dëshiron të japë shpjegime pa praninë e një avokati të zgjedhur me prokurë prej tij. Prokuroria pohon se gjatë hetimeve që kanë nisur që në maj 2010, ka mbledhur informacione, sipas të cilave presidenti i ekipit të Rubikut (kategoria e II-të), ka trukuar edhe pesë ndeshje të tjera futbolli kundrejt përfitimeve financiare. Këto dyshime janë krijuar nga hetuesit, pasi telefoni i Paro Laçit dhe personave të tjerë është mbajtur në përgjim për një kohë të gjatë në funksion të hetimeve. Prokuroria ka të dhëna për trukimin e këtyre ndeshjeve, por burimet thanë se ende nuk është arritur të faktohen ato, si në rastin e barazimit të Rubikut me një skuadër tjetër kur është arritur të provohet se Paro Laçi i kishte dhënë 50 mijë lekë të reja arbitrit për të ndikuar në rezultatin barazim. Gjyqtari që kishte marrë shumën në fjalë, u arrestua ditën e diel me urdhër të Prokurorisë. Shkëlqim Balliu, 45 vjeç, banues në Berat, me profesion gjyqtar sportiv, u arrestua nga policia me akuzën e korrupsionit. Ai mësohet se ka marrë 50 mijë lekë të reja nga Paro Laçi, duke paracaktuar rezultatin e ndeshjes mes Rubikut dhe një skuadre tjetër. Prokuroria është në fazën e mbledhjes së materialeve përfundimtare të akuzës, para se të dërgojë në gjykatë kërkesën për caktimin e masës së sigurisë ndaj Paro Laçit dhe tetë personave të tjerë të arrestuar në të njëjtin aksion.

 

Trazhgim Sokolaj

© Panorama.al

Te lidhura