Ryshfeti me 40 mijë euro, arrestohet Paro Laçi

Mar 20, 2011 | 12:11

Paro Laçi, personazh i njohur në botën e sportit dhe të biznesit, u arrestua dje me tetë persona të tjerë, nën akuzat për korrupsion dhe mashtrim në shuma të mëdha financiare.Ish-administratori i futboll-klub Partizani, aktualisht president i klubit të futbollit të Rubikut, ka rënë në pranga në lagjen Brrakë të Tiranës, fare pranë Prokurorisë së rrethit. Arrestimi ka ndodhur në flagrancë siç tha policia, sapo Paro Laçi kishte marrë në dorëzim një shumë ryshfeti prej 40 mijë euro nga një biznesmen, të cilit i kishte premtuar licencë nga Ministria e Ekonomisë. Akuzat që rëndojnë mbi Paro Laçin kanë të bëjnë me shumat financiare që ai ka përfituar kundrejt premtimeve për ndërhyrje të paligjshme në lirimin e një të akuzuari për vrasje në Gjykatën e Apelit Shkodër dhe mundësimin e një licence minerare për një biznes nga Ministria e Ekonomisë. Një tjetër akuzë e ngritur ndaj Paro Laçit, është ofrimi i ryshfetit prej 500 mijë lekë të reja për gjyqtarin e ndeshjes së klubit të Rubikut me një skuadër të kategorisë së dytë, e cila përfundoi me rezultatin e barabartë 1-1. Ndërkohë që Paro Laçi ishte mbyllur në dhomat e paraburgimit në Tiranë, edhe tetë persona të tjerë, bashkëpunëtorë në skemën e korrupsionit, u arrestuan me urdhër të Njësisë Task Force pranë Prokurorisë së Durrësit.
Ryshfet për vrasësin
Sipas burimeve nga Prokuroria, Paro Laçi akuzohet se ka marrë rreth 30 mijë euro nga të afërmit e një personi me iniciale A.V nga Shkodra, të akuzuar për vrasje. Dosja penale ndaj këtij personi po shqyrtohej në Gjykatën e Apelit, pasi shkalla e parë e kishte dënuar me 25 vjet burg. Duke premtuar lirimin e tij dhe shpalljen të pafajshëm, sipas akuzës, Paro Laçi ka marrë 30 mijë euro nga të afërmit e të akuzuarit. Personi në fjalë kishte kryer vrasje në Itali dhe ishte ekstraduar në Shqipëri në dhjetor 2010. Për lirimin e tij kishte ndërhyrë edhe Agron Arusha, i cili kishte marrë 10 mijë euro, për të cilat u arrestua dje gjatë aksionit, ku ra në pranga edhe Paro Laçi.
Trukimi i ndeshjeve
Zëdhënësja e Policisë së Shtetit, Laura Tutraku, deklaroi dje në një konferencë shtypi se Paro Laçi akuzohet edhe për trukim ndeshjesh sportive. Ndërkohë, nga burime të Prokurorisë, mësohet se trukimi ka ndodhur në një ndeshje të ekipit të Rubikut, president i të cilit ishte Paro Laçi. Sipas akuzës, ndeshja e cila ka përfunduar me rezultatin 1-1, pas favorizimit të Rubikut nga gjyqtari është drejtuar nga arbitri Shkëlqim Balliu, 45 vjeç, i arrestuar ditën e djeshme. Hetimet kanë zbuluar se për ndikimin në rezultatin e ndeshjes, ky gjyqtar sportiv kishte marrë një shumë prej 50 mijë lekësh nga Paro Laçi.
Korrupsioni me minierat
Akt-korruptimi i ditës së djeshme duket se është shfrytëzuar më së miri nga policia, për t’i vënë prangat në flagrancë Paro Laçit. Burime nga Policia e Shtetit thanë se biznesmeni u arrestua në momentin që po merrte 40 mijë euro nga një biznesmen. Kundrejt kësaj shume, Paro Laçi i kishte premtuar këtij biznesi sigurimin e një licence dhe leje minerare për shfrytëzimin e një miniere në veri të vendit. Biznesi në fjalë ishte kompania e të arrestuarit Altin Xhura, me të cilin mësohet se Paro Laçi kishte krijuar një shoqër biznesi me emrin L.D.Xh, në datën 15 mars 2011. Kjo kompani, me zyra në Bulqizë, kishte për objekt kërkimin dhe nxjerrjen e materialeve të kromit. Duket se Paro Laçi ka pasur përfitime pikërisht nga zotimi për ti siguruar kësaj kompanie licencën e nevojshme për ushtrimin e aktivitetit në minierë.

Të arrestuarit

1.Paro Destan Laçi, 42 vjeç, banues në Tiranë, president i ekipit të futbollit të Rubikut
2.Edmond Gjergj Temali, 42 vjeç, banues në Shkodër
3.Agron Gjon Arusha, 36 vjeç, banues në Velipojë, Shkodër
4.Bledar Bashkim Kume, 25 vjeç, banues në Laç, Kurbin, biznesmen celularësh
5.Kozma Lazri Kule, 52 vjeç, banues në Berat
6.Shkëlqim Jashar Balliu, 45 vjeç, banues në Berat, gjyqtar sportiv
7.Endri Ali Dimo, 20 vjeç, nga Elbasani
8. Altin Mehmet Xhura, 34 vjeç, nga Dibra, me aktivitet privat në fushën e tregtimit të gomave të automjeteve
9. Agron Faik Laçi, 34 vjeç, banues në Tiranë.
Akuzat:
1. Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, neni 245/1
2. Paracaktimi i rezultateve në garat sportive, neni 197/a i Kodit Penal.

Sherri mes Laçit dhe Xhanit te Partizani

Disa muaj më parë Paro Laçi u ndalua për disa orë nga policia pas denoncimit për kërcënim nga një zyrtar i klubit Partizani. Ai u la i lirë pas tërheqjes së padisë. Historia filloi dy vite më parë, kur Paro Laçi u afrua te klubi i Partizanit, pasi arriti një marrëveshje me presidentin Albert Xhani, në bazë të së cilës bleu 40% të aksioneve, si dhe do të administronte klubin. Në sezonin e parë, Partizani iu afrua rikthimit në Kategorinë Superiore, por këtë vit, skuadra është pranë rënies nga kategoria pas konflikteve midis dy drejtuesve. Sherri midis të dyve ka shkuar deri në gjykatë me anë të padive të ndërsjella. Aktualisht, të dy drejtuesit janë larg ekipit, me Xhanin që prej tri vitesh nuk duket më e të kuqtë, ndërsa Laçi ka marrë drejtimin e një tjetër klubi, atij të Rubikut, që militon në Kategorinë e dytë. Midis aksionerit Paro Laçi, si edhe presidentit të Partizanit Albert Xhani, ka një proces gjyqësor në Gjykatën e Tiranës. Presidenti është paditur nga aksioneri, sa i përket çështjes së administrimit të klubit kryeqytetas. Vendimi është shtyrë disa herë, data 25 mars është caktuar nga gjykatësja e çështjes për të dhënë verdiktin përfundimtar.

 

Trazhgim Sokolaj

© Panorama.al

Te lidhura