Këtë shqetësim ka shprehur kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi, në letrën e tij drejtuar ambasadorëve të huaj në Tiranë. Që në fillim të letrës, kreu i grupit socialist i njeh ambasadorët me zhvillimet më të fundit në parlament. “Në vijim të informacionit të mëparshëm për situatën politike në Shqipëri, do të doja t’ju informoja në lidhje me zhvillimet e fundit në Kuvend, të cilat kanë për qëllim të asfiksojnë rolin e opozitës, duke dobësuar në të njëjtën kohë mekanizmat kushtetues të kontrollit mbi qeverinë”, shprehet Ruçi në letër. Sipas tij, hartimi dhe zbatimi i kësaj rregulloreje po e bën të pamundur vendosjen e një dialogu politik në Kuvend, siç edhe pritej nga të gjithë. “Në 24 shkurt 2011, maxhoranca qeverisëse në mënyrë të njëanshme ndryshoi Rregulloren e Kuvendit, për herë të pestë brenda këtij legjislacioni. Sipas amendimeve të fundit, masat disiplinore kundër anëtarëve të Kuvendit që i përkasin opozitës, janë bërë më të ashpra. Në vend që të krijojnë një mjedis politik realisht gjithëpërfshirës, çka është një parakusht për funksionimin demokratik të Kuvendit, maxhoranca qeverisëse po ndjek një rrugë që konsiston në marrjen e masave represive kundër opozitës”, shprehet Ruçi në letrën e tij. Duke risjellë edhe një herë në vëmendje debatin e ndodhur në seancën e fundit parlamentare, kreu i grupit socialist e cilëson përjashtimin e deputetit Taulant Balla në seancën e kaluar si dëshminë më dramatike të situatës që mbizotëron në Kuvend. “Sesioni plenar i 3 marsit 2011 përbën një dëshmi të gjallë të situatës dramatike në Kuvend. Në këtë seancë, Kryetarja e Kuvendit, në mënyrë publike kërkoi përjashtimin e deputetit Taulant Balla, sepse ai po i zbulonte publikut aferat korruptive, ku janë përfshirë pjesëtarët e qeverisë, përfshirë dhe Kryeministrin. Për më tepër, Kryetarja e Kuvendit vendosi të ndërpresë debatin parlamentar në mënyrë të njëanshme, në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit”, shpjegon Ruçi në letër. Duke shprehur përpjekjet e opozitës për të ndihmuar në vendosjen e një dialogu politik në institucione e veçanërisht në parlament, Ruçi shprehet se maxhoranca injoroi propozimet e PS për një reformë parlamentare në zbatim të rekomandimeve të lëna nga Komisioni Europian. “Në reagim ndaj konkluzioneve dhe dymbëdhjetë prioriteteve të parashtruara nga Komisioni Europian në Opinionin mbi Shqipërinë, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste në fund të vitit që shkoi, paraqiti një rezolutë, ku merrej parasysh përmbushja e dymbëdhjetë prioriteteve, të cilat, ndër të tjera përfshijnë një reformë të thellë parlamentare, si dhe reforma që do të sillnin përfitime të prekshme për qytetarët. Për fat të keq, maxhoranca qeverisëse e refuzoi rezolutën tonë”, u shpreh kreu i grupit socialist. Duke u bërë apel ndërkombëtareve që të marrin në konsideratë këto zhvillime dramatike në Kuvend, pasi siç tha ai, ato po pengojnë demokracinë në vend dhe po pengojnë reformat dhe progresin e vendit në rrugën drejt integrimit europian. “Ne u apelojmë partnerëve tanë ndërkombëtarë të marrin në konsideratë faktet e përmendura më lart të cilat po dëmtojnë funksionimin e demokracisë në Shqipëri dhe po pengojnë reformat e rëndësishme, që nevojiten për progresin e vendit në rrugën drejt integrimit europian dhe vendosjes së shtetit ligjor. Mbetem në pritje të bashkëpunimit tonë të mëtejshëm në lidhje me këtë çështje të rëndësishme”, përfundon letra e Gramoz Ruçit, drejtuar diplomatëve të huaj në Tiranë.
Letra e Gramoz Ruçit për ambasadorët
Në vijim të informacionit të mëparshëm për situatën politike në Shqipëri, do të doja t’ju informoja në lidhje me zhvillimet e fundit në Kuvend, të cilat kanë për qëllim të asfiksojnë rolin e opozitës, duke dobësuar në të njëjtën kohë mekanizmat kushtetuese të kontrollit mbi qeverinë.
Në 24 shkurt 2011, maxhoranca qeverisëse në mënyrë të njëanshme ndryshoi Rregulloren e Kuvendit për herë të pestë brenda këtij legjislacioni. Sipas amendimeve të fundit, masat disiplinore kundër anëtarëve të Kuvendit, që i përkasin opozitës, janë bërë më të ashpra. Në vend që të krijojnë një mjedis politik realisht gjithëpërfshirës, çka është një parakusht për funksionimin demokratik të Kuvendit, mazhoranca qeverisëse po ndjek një rrugë, që konsiston në marrjen e masave represive kundër opozitës.
Për këtë arsye, dialogu politik është përkeqësuar edhe më tej, duke u bërë tejet konfrontues dhe jo produktiv, si pasojë e retorikës provokuese të Kryeministrit dhe abuzimit me detyrën nga ana e Kryetares së Kuvendit, në veçanti përmes ndërprerjes së debateve mbi projektligjet dhe imponimit të vendimeve të njëanshme në konferencën e kryetarëve.
Sesioni plenar i 3 marsit 2011 përbën një dëshmi të gjallë të situatës dramatike në Kuvend. Në këtë seancë, Kryetarja e Kuvendit në mënyrë publike kërkoi përjashtimin e deputetit Taulant Balla, sepse ai po i zbulonte publikut aferat korruptive, ku janë përfshirë pjesëtarët e qeverisë, përfshirë dhe Kryeministrin. Për më tepër, Kryetarja e Kuvendit vendosi të ndërpresë debatin parlamentar në mënyrë të njëanshme, në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit.
Në reagim ndaj konkluzioneve dhe dymbëdhjetë prioriteteve të parashtruara nga Komisioni Europian në Opinionin mbi Shqipërinë, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste në fund të vitit që shkoi, paraqiti një rezolutë ku merrej parasysh përmbushja e dymbëdhjetë prioriteteve, të cilat ndër të tjera përfshijnë një reformë të thellë parlamentare, si dhe reforma që do të sillnin përfitime të prekshme për qytetarët. Për fat të keq, maxhoranca qeverisëse e refuzoi rezolutën tonë.
Ne u apelojmë partnerëve tanë ndërkombëtarë të marrin në konsideratë faktet e përmendura më lart, të cilat po dëmtojnë funksionimin e demokracisë në Shqipëri dhe po pengojnë reformat e rëndësishme, që nevojiten për progresin e vendit në rrugën drejt integrimit europian dhe vendosjes së shtetit ligjor.
Mbetem në pritje të bashkëpunimit tonë të mëtejshëm në lidhje me këtë çështje të rëndësishme.
Sinqerisht,
Gramoz Ruçi
Kryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste











