Partia Socialiste do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së kreut të grupit demokrat Patozi për tryezën e partive parlamentare për zgjedhjet e 8 majit.Burime pranë selisë rozë pohuan dje se kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, do të marrë pjesë në tryezën e partive parlamentare, ku do të diskutohet problematika e zgjedhjeve të 8 majit. Po sot, si një qëndrim reflektues në përpjekje për të përmirësuar klimën parazgjedhore, KQZ do të miratojë listën e komisionerëve të PS dhe PBDNJ-së për 66 KZAZ-të në të gjithë vendin, ndërkohë që do të shkarkojë anëtarët dhe sekretarët e këtyre KZAZ-ve të miratuara prej saj pak javë më parë nga shoqëria civile, përmes një konkursi të hapur. Emërimi i tyre u bë si pasojë e bojkotit të opozitës për të dorëzuar në KQZ listën e komisionerëve të saj. Pritet që pas këtij veprimi, të ulen në KQZ dhe tre anëtarët e propozuar nga opozita në këtë institucion, të cilët e kanë bojkotuar atë prej disa javësh, pas vendimit për djegien e kutive të fletëve të votimit.
Tryeza
Në tryezën e thirrur nga Astrit Patozi, përveç përfaqësuesve të partive parlamentare, do të marrë pjesë dhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wolfarth, i cili dje zhvilloi takime me përfaqësuesit e lartë të PS në selinë rozë. Rreth orës 12:00 Wolfarth ishte në zyrën e kreut socialist, ku në qendër të bisedës ishte tryeza e sotme e iniciuar nga përfaqësuesi i maxhorancës, në një përpjekje për t’i hapur rrugë një procesi të pakontestueshëm zgjedhjesh. Mësohet se Wolfarth është njohur me qëndrimin që socialistët do të mbajnë në tryezën e sotme, e cila do të mblidhet në orën 11:00 në ambientet e kryesisë së Kuvendit. Socialistët u qëndrojnë tri kushteve të tyre për t’i konsideruar zgjedhjet të ligjshme në nisje të procesit, siç është kontrolli i monitoruar i listave zgjedhore. Socialistët kërkojnë që deri në 8 prill, datë kur do të afishohen listat përfundimtare, të punohet bashkërisht për heqjen e dublantëve. Gjithashtu, socialistët kërkojnë vendosjen e aparatit të identifikimit të kartave të identitetit ditën e votimit, por dhe vendosjen e garancive për të bërë transparencën paszgjedhore në çdo rast që do të kërkohet nga partitë politike. Gjithashtu, dje selinë rozë e ka vizituar dhe Ambasadori i Bashkimit Europian, Ettore Sequi, i cili ka zhvilluar një takim me kreun socialist Rama, ku në fokus ka qenë situata parazgjedhore. Kreu i grupit kuvendor të PD-së, Astrit Patozi, iu drejtua të enjten e shkuar me një letër homologut të tij, Gramoz Ruçi, ku propozonte mbledhjen e tryezës së partive politike për situatën parazgjedhore.
ARISTIR LUMEZI











