Ruçi: Në Tiranë dalin 357 vota tepër

May 29, 2011 | 11:50

Kryetari i Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, akuzoi dje Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se ka manipuluar rezultatin e zgjedhjeve të 8 majit.Për Ruçin, fakti që janë gjetur 357 fletë votimi më shumë se zgjedhës në 117 kutitë e hapura për të vlerësuar fletët e hedhura gabim, tregon se në këto kuti janë shtuar fletë votimi. Sipas tij, kjo është një tentativë e PD-së për të çuar në përsëritjen e zgjedhjeve në Tiranë. “Në analizën e 117 kutive që KQZ mori në shqyrtim, del se në asnjë prej tyre nuk certifikohet rezultati ku votat e zgjedhësve të dalin të barabarta me votat të gjetura në kuti. Pse ndodh kjo? Në logjikën e përgjithshme mund të mendosh se procesi është i shkatërruar. Kjo do të ishte mundësia e vetme që do të lejonte humbësin real Basha të kërkonte delegjitimimin e procesit dhe përsëritjen e zgjedhjeve. Po a mundet? Mjafton të shikosh njërën prej kutive të numëruara nga KQZ, QV 1759 Njësia 3, për të kuptuar se votat e shtuara për kryetar dhe që KQZ-ja ia ka dhënë zotit Basha, janë të futura pas procesit. Kjo implikon në analizë të thjeshtë jo vetëm hedhësit e votave tepër, por edhe KQZ në këtë krim”, u shpreh Ruçi, gjatë një konference para mediave në selinë rozë.
Ka ditë që përfaqësues të PS, në selinë rozë por dhe në KQZ shprehen se janë gjetur më shumë fletë në kutitë e votimit se votues, ndërsa nuk është bërë asnjë veprim ligjor për këtë çështje. Deklarata zyrtare nga një përfaqësues kaq i lartë i PS-së, vjen vetëm një ditë pasi ka përfunduar afatet kohore për ta  animuar këtë çështje fillimisht në KZAZ-në e Njësisë Bashkiake nr.5 pas 3 ditësh të daljes së rezultatit e më pas në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Por socialistët duket se po e konsumojnë këtë fakt vetëm për luftë politike. Gjithashtu dhe pse Ruçi shprehet se PS do t’i adresohet përfaqësive diplomatike në Tiranë, nuk ka asnjë lëvizje drejt organeve të drejtësisë për ta denoncuar. Por mungesa e një ankimimi për këtë çështje në KZAZ dhe KQZ vjen dhe për faktin se kjo mund të çonte më tej në hapjen e kutive të tjera të së njëjtës qendër votimi. Hapja e këtyre kutive mund të nxjerrë vota të tjera të panumëruara për kryetarin e Bashkisë.
Akuzat
Numri dy në PS ka treguar përmes tabelave të shfaqura me videoprojektor mosrakordimet e shifrave mes votave të gjetura në kutitë e votimit dhe votuesve të qendrave të votimit. Sipas tij, PD, për të arritur shkatërrimin e zgjedhjeve, ka shtuar vota në kutitë e votimit pas përfundimit të numërimit të kutisë së fundit në Njësinë Nr.5 në Tiranë. “Me një vështrim empirik dhe me pak sekonda kuptohet se: të legjitimosh vendimin e marrë nga KQZ do të thotë të shtosh në numrin e votave për kryetar të Bashkisë së Tiranës plot 357 vota më tepër se sa votues. Që në këtë moment kuptohet se rezultati është i manipuluar nga KQZ, pa asnjë lloj justifikimi. Në analizën tonë, e cila është elementare për çdo njeri që di aritmetikë, është të pohosh se këto vota janë hequr nga kuti të tjera siç edhe e paraqitëm në procesverbalin e treguar më parë. Ka shumë kuti të tilla që tregojnë se prishja e procesit ka filluar pas rënies së gongut apo mbylljes së procesit të votimit për kryetar të Bashkisë”, u shpreh Ruçi.

PS: Berisha cenoi zgjedhjet

Partia Socialiste i është përgjigjur deklaratës së Partisë Demokratike. “Sali Berisha tregoi edhe sot që është ai dhe vetëm ai orkestruesi i kanibalizmit elektoral në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kryetari i Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, foli me shifra, jo me fjalë. Dhe shifrat u treguan shqiptarëve se çfarë kanë bërë Saliu e Ristani për të përmbysur rezultatin në tavolinë, pasi numërimi nxori humbës Saliun në sytë e miliona shqiptarëve dhe të komunitetit ndërkombëtar’, u shpreh anëtarja e Asamblesë së PS, Megi Ajtyresa.

Reagimi i PD

Partia Demokratike reagoi menjëherë ndaj akuzave të bëra nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi. Zëdhënësja e selisë blu, Albana Mustafaraj, deklaroi se akuzat e Ruçit janë të pabaza, pasi Partia Socialiste nuk ka paraqitur asnjë ankesë në lidhje me problemin që ai parashtron. “Edi Rama ka problem mospjesëmarrjen në procesin ligjor për të mos njohur rezultatin, kur ai nuk është në favor të tij. Me zërin e Gramoz Ruçit PS shtroi problemin e mospërtuthjes së rezultatit dhe nuk ka paraqitur asnjë ankesë në Kolegj, edhe pse kishte afat 72 orë dhe nuk ka paraqitur asnjë ankesë në KQZ, edhe pse kishte një afat prej 72 orësh. Nga 8 maji deri sot, Edi Rama ka paraqitur 5 ankesa absurde, por nuk ka paraqitur asnjë për mospërputhje të të dhënave”, u shpreh Mustafaraj.

Konkluzionet e PS për 117 kuti votimi

.    357 fletë votimi më shumë se votues

.    Në 45 QV ka 322 vota më tepër në katër kutitë e votimit;

.    Në 53 QV ka 436 vota mangët, në të katër kutitë e votimit;

.    Në 19 QV ka përzierje votash të subjekteve, që janë objekt i  votimit.

 

ERALD KAPRI

© Panorama.al

Te lidhura