Ish ministri socialist, Arben Malaj ka shprehur solidaritet me Petro Koçin dhe me të gjithë ata që sipas tij nuk po marrin vlerësimin e merituar për kontribute në Partinë Socialiste.
Malaj kujton periudhën e vështirë të viteve të para të pluralizmit, duke theksuar se Fieri u shndërrua në një nga qendrat kryesore të rezistencës dhe organizimit të socialistëve gjatë përplasjeve të forta politike të asaj kohe.
“Plotësisht solidar me Petron dhe këdo tjetër që Rama dhe Rilindasit e tij nuk e respektojnë për kontributet përcaktuese në fazën e themelimit, rringritjes dhe modernizimit të Partisë Socialiste.
Është e vërtetë që Fieri u bë kryeqyteti i socialistëve në periudhën e përplasjeve të ashpra, deri kriminale.
Ngjarjet kriminale të rrahjes së socialistëve në Libofshe u bënë lajm ndërkombëtar dhe filluan të tregonin fytyrën e vërtetë të një regjimi kriminal ndaj opozitës së vendit të tyre.
Momenti më i vështirë për Petron, Lad Shehun, për socialistët e Fierit dhe për ne, ishte kur policia e Fierit i arrestoi të dy dhe u qethi kokën në birucë.
Pas vitit 1997, shefi i policisë i PD-së që u qethi kokën u bë deputet i PD-së në parlament, dhe Petro kurrë nuk nxiti urrejtje partiake sepse vendi kishte nevojë për paqe sociale”, shkruan Malaj.
Sipas ish ministrit të Financave, “Rama dhe manikinet e tij nuk mund ta ndryshojnë historinë e themelimit dhe modernizimit te PS-se , deri ne vitin 2005”.
Në fund të reagimit të tij, Malaj shkruan me ironi se “vetëm Zeqineja ka atribute intelektuale dhe patrotike te bej ndonjë retushim te fotografive, përfshi edhe këtë”, duke iu referua deputetes së re të PS për qarkun e Fierit, Zegjine Çaushi.
© Panorama.al












