Sot një nga pyetjet që shtrohet është: a duhet më Ilir Meta dhe partia e tij LSI në politikën shqiptare? Në prag të zgjedhjeve kjo pyetje shtrohet edhe në formën: pse duhet votuar Ilir Meta?
Duhet ta pranojmë se Ilir Meta e ka pasur një karizëm si politikan që e ka veçuar disi prej shumë të tjerëve. Po ku qëndronte kjo karizëm? Shpejt e shpejt do të thoja se antropologjikisht ishte më i ngjashëm me liderët karizmatikë Berisha, Nano, Rama: ambicioz për të qenë i parë si ata, i aftë për të bërë njerëz pranë vetes si ata, i aftë për të korruptuar si ata, energjik dhe kurajoz për të ndërmarrë veprime si ata, ndoshta edhe më realist edhe më i aftë për të dëgjuar të tjerët se ata, autoritar më me lezet se ata gjithashtu. Tek e fundit “burrë shteti” sipas një modeli që ne kemi trashëguar nga regjimi autoritar i Hoxhës. (Së fundi kam lexuar me dhe pa çmeri se ish presidentit Moisu ka thënë se kryeministri më i sukseshëm që ka pasur Shqipëria ishte Mehmet Shehu!)
Ilir Metën edhe pse i ngjizur sipas këtij modeli autoritar e kanë mbështetur jo pak njerëz për disa arsye ku do të rendisja tre më kryesoret: së pari, mu pse qe një më shumë si Berisha e Rama ai krijonte shpresën se do të qëndronte dhe do të krijonte ca hapësira më të mëdha lirie me ambicien e tij për të thënë se është edhe ai në politikë si gjeneral dhe jo si ushtar. Së dyti, në krye të herës Ilir Meta mblodhi rreth LSI ata politikanë të PS që, për shkak të rritjes së autoritarizmit dhe delirit të Nanos më herët dhe të Ramës më pas ndjenë se në Partinë Socialiste do të depersonalizoheshin gjithnjë e më shumë, dhe kjo krijoi përshtypjes e një partie me personalitete, gjithsesi. Së treti, Ilit Metën, me meritë apo pa meritë, e kanë mbështetur të gjithë ata socialistë dhe jo që u zhgënjyen me socialistët e korruptuar dhe të papërgjegjshëm, por që kurrsesi nuk mund të shkonin tek Berisha. Këtë tre arsye bënin që ai të shihej si një mundësi ekuilibrimi dhe moderimi të politikës shqiptare, duke patur parasysh konfliktualitetin e fortë PD – PS.
Pyetja që shtrohej që në fillim ishte: a mjaftonte kaq për të krijuar një parti të re që do të mund të konkurronte me dy partitë e mëdha? Koha provoi se jo. Pyetja që shtrohet sot është: a ishte i qartë Ilir meta që në fillim, duke patur parasysh edhe përvojën e ish Aleancës Demokratike të Cekës e Imamit apo të Social Demokrates së Gjinushit e Milos se kaq nuk mjaftonte? Ndoshta edhe jo, por një gjë është e sigurt: se tashmë ai duket se e ka mësuar mirë se me kaq mund të krijosh një grup shokësh e miqsh e klientësh e të rrish për një kohë të mjaftueshme në pushtet sa për të zgjidhur problemet e pasurimit personal e të klientëve të grupit; se Ilir Metën dhe partinë e tij do ta votojnë sot vetëm ata që kanë përfituar apo presin të përfitojnë direkt duke gjetur punë e mbështetje. Nuk di të them se sa janë këta, por di të them se ndonëse nuk duhet ta mohojmë se partitë janë edhe në vende demokratike një mundësi karriere dhe punësimi për militantët e vet, ato duhet të kenë edhe diçka më shumë për t’u quajtur parti e për të mbijetuar si parti. Sepse ndjenja e përkatësisë në një parti nuk mund të jetë e barabartë me atë të përkatësisë në një ndërmarrje biznesi aq më pak kur ky merr edhe forma kriminale. Një parti, që të mos falimentojë si një biznes i pasuksesshëm dhe kriminal duhet të krijojë edhe një aureolë besimi dhe shprese tek ajo. Kjo u mungon të gjitha partive tona dmth. edhe atyre të mëdhave, por mbi të gjitha i mungon partisë së Ilir Metës. Sepse Partia Socialiste, përtej asaj që mund të quhet bërthama e saj e pushtetit, që është ajo e biznesmenëve të lidhur me Ramën, ruan sadokudo një aureolë në të cilën vazhdojnë të notojnë shumë nga ata ish komunistë që shohin tek ajo kush Enver Hoxhën, kush të kaluarën, kush të vetmen forcë që mund t’i kundërvihet Berishës që kërkon t’u shkatërrojë edhe çfarë u ka mbetur. Po ashtu PD, përveç asaj bërthame që gjeneron politikën e saj që është edhe ajo e lidhur me bizneset e fuqishme dhe shpërndarjen e punëve të shteti për njerëzit e saj ruan edhe ajo një aureolë që ia ka krijuar lëvizja antikomuniste e viteve 90 – 91 që e bën ta votojnë të gjithë ata që tek Partia Socialiste shohin persekutorët e tyre të djeshëm.
Ilir Meta dhe LSI nuk e ka këtë aureolë dhe as nuk e ka krijuar dot. Ai kishte një hapësirë për krijimin e saj nëpërmjet krijimit të një të majte të re shqiptare, evropiane, antienveriste, me ndjeshmëri ndaj ambjentit, ndaj politikave sociale, barazisë së mundësve, publikes, por ky është një projekt që s’ka kuptim të diskutohet me Ilir Metën dhe LSI-ne e tij.
Problemi është se Ilir Meta ka humbur sot edhe shansin e fundit pse mund ta votonin: atë që të qëndronte si balancues për të mos lejuar dy partitë e mëdha të kalonin në ekstreme dhe polarizimin shkatërrues që po përjetojmë. Pas publikimit të videos ai po sillet si një kamikaz i gjeneral Berishës duke mos llogaritur as atë se në rast të një fitoreje këtij do t’i leverdiste ta hiqte qafe sa më shpejt. Por edhe rrugë kthimi për tek PS-ja Ilir Meta nuk ka, përveçse si një mercenar i Ramës.
Duke patur parasysh se Ilir Meta iku nga Ministër i Jashtëm i Nanos me ambicien për të ruajtur pavarësinë dhe personalitetin e tij të nëpërkëmbur nga ish kryeministri pyetja që shtrohet sot është: në ç’qafë doli Meta pas këtij rrugëtimi të shkurtër pa lavdi? Për mua ai është ilustrimi më i mirë i asaj se ku të çon konceptimi i politikës thjesht si një mundësi për të zgjidhur problemet e pasurimit personal e të klientëve të grupit në të cilin bën pjesë.
© Panorama.al












