Rrokadë në Policinë Rrugore, ja kush lëviz

Sep 3, 2011 | 10:13

Kokalari ikën nga Tirana, ndryshime në Vlorë e Durrës

Firmosen ndryshime të reja në strukturën e Policisë së Shtetit, ku më e prekura është Policia e Qarkullimit Rrugor. Burime në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë thanë dje se janë firmosur emërimet e reja në strukturat e rendit, ku ndryshimet janë bërë kryesisht në njësitë e Policisë Rrugore.Shefi i Njësisë së Qarkullimit të Tiranës, Fatos Kokalari, është larguar nga kjo detyrë, duke u emëruar në të njëjtin funksion në Vlorë, në vend të Gëzim Gosturanit. Ky i fundit mësohet të jetë emëruar në krye të Rrugores së Fierit. Në vend të Kokalarit në kryeqytet, është emëruar Ali Allaraj, i cili aktualisht kryente detyrën e shefit të Qarkullimit të Lezhës. Rokada mësohet të jetë kryer në kuadër të përmirësimit të punës nga ana e strukturave të Policisë. Sipas burimeve jozyrtare, bëhet e ditur se shkak për këto ndryshime kanë qenë edhe aksidentet automobilistike gjatë sezonit turistik.
Ndryshimet në polici
Nga statistikat e Drejtorisë së Qarkullimit Rrugor, rezulton që, edhe pse sivjet ka pasur më pak viktima se një vit më parë, numri i aksidenteve gjatë 3 muajve të verës, ka qenë më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa, ndryshe nga numri i lartë në qytetet e tjera të vendit, në Tiranë gjatë këtij viti ka pasur një rënie të lehtë të aksidenteve automobilistike. Burime nga Policia e Shtetit thanë se, rokada në njësitë e qarkullimit rrugor ka prekur pothuajse të gjitha qytetet kryesore, por gjithashtu janë kryer edhe disa ndryshime në nivel shefash komisariatesh. Në nivel drejtuesish të njësive të qarkullimit, veç Tiranës, rezulton të jenë kryer ndryshime në Qarkullimin Rrugor të Durrësit, Fierit, Elbasanit etj. Ndërsa në nivel shefash komisariatesh, ka pasur ndryshime në Kavajë, Shijak, Sarandë, Krujë, Elbasan, Korçë etj. Të njëjtat burime konfirmuan largimin e shefit të Komisariatit të Kavajës, Selman Tema, i cili mësohet se është emëruar në detyrën e shefit të Njësisë së Qarkullimit Rrugor të Elbasanit. Ndërsa në vend të Temës në Kavajë, është emëruar Agron Sulshabani, i cili aktualisht drejtonte Komisariatin e Elbasanit. Shefi i Qarkullimit të këtij qyteti është emëruar shef Komisariati në Korçë, në vend të Genc Pekës, që është emëruar në të njëjtën detyrë në Krujë. Burime nga Policia e Shtetit thanë se këto janë ndryshime në rang drejtuesish me gradën “Kryekomisar”, por gjatë muajit shtator priten edhe ndryshime në drejtori qarqesh. Herë pas here Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kryen edhe rifreskimin e strukturave të saj për të shmangur familjaritetin e tepërt të drejtuesve me komunitetin në qytetet ku ata drejtojnë për një kohë të caktuar.

Ndryshimet në polici

1. Fatos Kokalari, shefi i Qarkullimit të Tiranës, emërohet shef  Qarkullimi në Vlorë
2. Ali Allaraj, shefi i Qarkullimit të Lezhës, emërohet shef Qarkullimi në Tiranë
3. Gëzim Gosturani, shefi i Qarkullimit në Vlorë, emërohet shef Qarkullimi në Fier
4. Artan Osmani, shefi Qarkullimi në Fier, emërohet shef Qarkullimi në Durrës
5. Ervin Hoxha, shefi Qarkullimi në Durrës, emërohet shef Qarkullimi në Lezhë
6. Selman Tema, shefi i Komisariatit të Kavajës, emërohet shef i Qarkullimit në Elbasan
7. Agron Sulshabani, shefi i Komisariatit të Elbasanit, emërohet shef Komisariati në Kavajë
8. Taulant Kondi, shefi i Qarkullimit në Elbasan, emërohet shef Komisariati në Korçë
9. Genc Peka, shefi i Komisariatit të Korçës, emërohet shef Komisariati në Krujë
10. Altin Mërizaj, shefi i Komisariatit të Krujës, emërohet shef Komisariati në Sarandë
11. Valmir Nikolla, komandant i Trafikut në Tiranë, emërohet shefi i Sigurisë së Qarkullimit të Vlorës

 

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura