Mijëra njerëzit të evakuuar nga zona e impiantit nuklear janë skanuar për ekspozimin radioaktiv, ndërsa autoritetet japoneze luftojnë për të përballuar lëkundjet e reja të tokës pas tërmetit masiv dhe cunamit.Masa u mor pasi pati një shpërthim në impiantin Fukushima 1, pranë epiqendrës së tërmetit dhe besohet se rrjedhjet radioaktive kanë nisur. Në impiantin Fukushima 1 zyrtarët kanë identifikuar cezium, një nga elementet e lëshuara kur nga mbingrohja u shkaktua dëmtimi i sipërfaqes së impiantit. Ku impiant ka gjashtë reaktorë, tre prej të cilëve janë mbyllur. Kompania e energjisë elektrike në Tokio (Tepco) tha se nuk beson të ketë rrjedhje, por Ryohei Shiomi, një zyrtar në komisionin e sigurisë nukleare në Japoni, tha se mundësia e rrjedhjeve nukleare ekzistonte. Impianti Fukushima 2 ka katër reaktorë dhe në njësitë 1, 2 dhe 4 të tij, operatori tha se e ka humbur aftësinë e ftohjes. Sipas “Tepco”, presioni në impiant është i qëndrueshëm, por nivelet e radioaktivitetit po rriten. Në të dy impiantet është deklaruar gjendja e jashtëzakonshme nga qeveria. Disa ekspertë nuklearë besojnë, se nëse nuk do të ketë një ndërhyrje të shpejtë dhe sukses për të ftohur impiantet, Japonia rrezikon një Çernobil të ri. Impiantet Fukushima Daini (2) dhe Fukushima Daiichi (1) ndodhen në qytete të ndryshme të prefekturës Fukushima. Temperaturat e ujërave ftohëse kanë shkuar mbi 100 gradë celsius dhe sistemi i ftohjes vazhdon të mos funksionojë. Agjencia japoneze e sigurisë nukleare ka urdhëruar hapjen e valvuleve në impiante për të çliruar reaktorët nga rritja e presionit atomik. Sipas zëdhënësit të qeverisë, Yukio Edano, po përdoret ujë deti për të ftohur reaktorët e centralit Fukushima 1. Ai tha se reaktori nuk është dëmtuar dhe se niveli i radioaktivitetit nuk po rritet. Edhe pse qeveria japoneze vazhdimisht deklaron se nivelet e radioaktivitetit janë të ulëta pas shpërthimit në impiant, rrezja e zonës së evakuimit u dyfishua nga 10 në 20 kilometra. Në qendrat e evakuimit, punëtorët e veshur me maska të bardha, me veshje mbrojtëse kanë përdorur skanerë dore për të kontrolluar të gjithë të ardhurit për ekspozim nga radioaktiviteti. Sipas banorëve të Fukushimës, është e dukshme se ka rrjedhje të radioaktivitetit dhe mundësia e kontaminimit të tyre është e lartë. Njerëzit që kanë jetuar brenda zonës së evakuimit dhe tregojnë shenja të ekspozimit në radioaktivitet, ndaheshin nga të tjerët në çadra të veçanta. Të gjithë ata po marrin jod.
Tre të kontaminuar nga radioaktiviteti
Tre njerëz janë kontaminuar me radioaktivitet, pasi, të trembur nga lëkundjet e vazhdueshme në zonën e Fukushimës, ishin afruar për t’u strehuar në ndërtesën gjigande të impiantit. Impianti Fukushima, shpërtheu për arsye që ende nuk janë shpjeguar dhe vala radioaktive ka prekur te tre personat që ndodheshin aty pranë. Ata janë izoluar dhe ndodhen nën kujdesin mjekësor.
Paralajmërimet e injoruara të sizmologut
Raportimet e një prej korrespondentëve, të britanikes “Guardian”, nga terreni flasin për injorimin që iu ka bërë qeveria japoneze paralajmërimeve të një sizmologu vendas për rrezikun që i kanosej vendit. Sizmologu Ishibashi Katsuhiko, tha se aksidenti ishte i pritshëm dhe se impianti nuklear është “shumë i prekshëm” nga tërmetet e mëdha. Impianti i Fukushimës është ndërtuar në vitin 1971 dhe nuk i ka kriteret moderne të mbrojtjes nga tërmetet.
Jod kundër radioaktivitetit
Autoritetet japoneze po shpërndajnë jod për banorët e evakuuar nga zona e Fukushimës, nga të dy impiantet nukleare, Fukushima 1 dhe Fukushima 2, sipas njoftimeve nga Agjencia ndërkombëtare e Energjisë Atomike. Jodi mund të përdoret për të ndihmuar trupin të mbrohet nga ekspozimi radioaktiv. Ata duhet të sigurojnë jod të mjaftueshëm për 300 mijë personat e evakuuar.
Shtohen furnizimet e energjisë nga Rusia
Japonia ka kërkuar rritjen e furnizimit me 150 mijë tonë gaz të lëngshëm, pas takimit të zv/kryeministrit japonez, Igor Sechin me Kryeministrin rus, Vladimir Putin. Ndihma do të transferohet shumë shpejt. “Japonia është fqinja jonë dhe, me gjithë problemet e ndryshme, ne duhet të jemi partner i besueshëm dhe të bëjmë më të mirën tonë për ta furnizuar me energji”, tha Putin.
© Panorama.al











