Rrëzohet gërmadha 11-katëshe në mes të Sheshit të Flamurit

Mar 10, 2011 | 10:20

Në vend të saj, pritet të ngrihet një qendër biznesi dhe hotel me pesë yje, nga biznesmeni Sulo Shehu, i cili e ka blerë godinën pas shitjes që u bë menjëherë me rënien e firmave piramidale. Historiku i kësaj godine zë fill 25 vite më parë, kur nga qeveria e asaj kohe u shpronësuan dhe u prishën disa godina të vjetra, për t’u ndërtuar një hotel gjigant, deri në 11 kate, duke qenë në atë kohë një ndër ndërtesat më të larta. Në këtë hotel parashikohej të kishte dhjetëra dhoma e salla konferencash, restorante, bare etj., çka do ta bënte qendrën historike të Sheshit të Flamurit një pikë të rëndësishme jo vetëm për Vlorën, por edhe për vizitorët. Por pas viteve ’90 kjo godinë u la në harresë. Fondet mbaruan dhe u pezulluan punimet për ndërtimin e hotelit 11-katësh. Për 6 vite me radhë, aty nuk u krye asnjë investim, duke bërë që godina të rrënohej pak nga pak. Me lulëzimin e firmave piramidale, ndërtesa e lënë përgjysmë u rikthye dhe një herë në vëmendje nga drejtuesit e tyre. Ka qenë fillimisht firma “Vefa” e më pas “Cenaj” në vitin 1996, që e bleu  këtë godinë për të vazhduar me punën për mbarimin e hotelit. Por dhe kjo nuk ka zgjatur shumë, se me përmbysjen e firmave piramidale, kjo godinë sërish ka ngelur në dorë të shtetit. Në kohën kur shumë ndërtime dhe financime të bëra nga firmat piramidale dolën në ankand për t’u rikthyer një pjesë e parave të lënë nga qytetarët, kjo godinë u ble nga biznesmeni vlonjat Sulo Shehu, me vlerë 1 milion dollarë. Ai kaloi një rrugë të gjatë deri në fillimin e punimeve për ndërtimin e një qendre tregtare, si dhe një hoteli me pesë yje. Shehu është shprehur se ka hasur shumë probleme me këtë godinë, ku shumë herë sipas tij është bllokuar nga Bashkia e Vlorës, si dhe përplasje me pronarët e tokës, të shpronësuar një herë nga shteti. “Me këtë ndërtim unë do t’i kthej identitetin Vlorës, si dhe emrin që ka Sheshi i Flamurit. Shumë turistë që vijnë në Vlorë dhe shohin monumentin e Pavarësisë bëjnë fotografi, por në sfondin e tyre ishte gjithmonë kjo karakatinë e vjetër. Nga sot nuk do të ekzistojë më, por do të jetë një qendër tjetër e Vlorës, me shumë zhvillim dhe hapësira të gjelbra”.
Prej pak ditësh ka filluar dhe shembja e godinës 11-katëshe. Në fillim është menduar që të shembej duke i vënë eksplozivin, por kjo mënyrë është përjashtuar nga rreziku i dëmtimeve të ndërtesave të tjera të Vlorës që janë dhe ndërtesa-muze. Më vonë, për rrëzimin e hotelit të vjetër është marrë një makineri gjigante me punëtorë të specializuar italianë. Sipas biznesmenit, synimi është që hoteli të mbarohet në nëntor të vitit 2012, pikërisht në ditën e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.

Të dhënat e godinës

11 kate, me destinacion hotel

1986 nisi ndërtimi

1990 u ndërpre investimi

1996 nis të rindërtohet nga “Cenaj”

1999 u ble nga biznesmeni Sulo Shehu

2011 nis shkatërrimi i godinës

2012 parashikohet fundi i investimit të ri

 

VLORE/ Qemal Biraku

© Panorama.al

Te lidhura