Rreziqet e fushatës negative të Edi Ramës

Mar 23, 2011 | 11:15

KASTRIOT ISLAMI

Rama duket se do të aplikojë në këto zgjedhje një qasje radikale, politike dhe negative. Rama…me shumë gjasa, do të shfaqet në këto zgjedhje si një figurë e vetme; edhe si kryetar i PSSH-së në fushatën kombëtare, edhe si kandidat për Bashkinë e Tiranës. Rama për më tepër do ta shoqërojë fushatën negative e politike me kërkesën për zgjedhje të parakohshme. Kurse PD-ja duket se do të aplikojë dy qasje, Basha në Tiranë, një qasje kryesisht alternative dhe për shqetësimet e qytetarëve, kurse Berisha kryesisht reaktive simetrike ndaj akuzave të Ramës dhe alternative në shkallë kombëtare, për sukseset e qeverisë  së tij dhe premtimet për të ardhmen. PD-ja do të shfaqet në Tiranë kryesisht me Bashën, i cili do të mbajë peshën kryesore elektorale në Tiranë, kurse Berisha do të kujdeset kryesisht për votat në shkallë kombëtare, duke menduar që të konfirmojë minimalisht rezultatin e 2009, të cilin e konsideron prelud të suksesit të 2013. Në këtë ballafaqim taktikash, cilat janë rreziqet për PS-në dhe për Ramën? Jo vetëm për Tiranën në 2011, por edhe për zgjedhjet e vitit 2013?
Taktika radikale e Ramës motivon relativisht më shumë kundërshtarin
Është e vërtete që politizimi e radikalizimi i fushatës nga ana e Ramës, krijon iluzionin e motivimit të militantëve dhe të votuesve tradicionalë socialistë, por kjo nuk është shumë e nevojshme për një forcë politike që është në opozitë, sidomos në mandatin e dytë. Por, fushata radikale dhe negative e shoqëruar me kërkesën për zgjedhje të parakohshme, motivon për induksion në mënyrë ekstremale palën kundërshtare, militantët dhe votuesit tradicionalë demokratë. Në fakt, asimetrikisht kjo taktikë e Ramës nxit e motivon votuesit demokratë, sepse pas gjashtë viteve në pushtet, ata duhet të ishin normalisht më të demotivuar, sesa votuesit socialistë. Pas 21 janarit 2011, votuesit demokratë janë zgjuar nga gjumi, kanë lënë sherret, për shkak të sindromit të mandatit të dytë dhe janë motivuar në mënyrë ekstreme; kjo për shkak të frikës nga humbja e parakohshme e pushtetit, por edhe nga perceptimi për marrjen në mënyrë brutale të pushtetit. Aq më tepër ata kanë marrë nga Rama mesazhin se po fituan socialistët, ai do të kërkojë zgjedhje të parakohshme, pra demokratët nuk do të humbasin vetëm e thjesht Bashkinë e Tiranës (të cilën ata nuk e kanë prej 11 vjetësh), por demokratët paralajmërohen se u rrezikohet edhe pushteti i tyre qendror. Pra, Rama duke zhvilluar një fushatë radikale dhe tejet të politizuar i motivon socialistët që nuk kanë nevojë për motivim shtesë se janë në opozitë, por mbi të gjitha i motivon simetrikisht votuesit demokratë, të cilët duhet të luftojnë për Tiranën jo vetëm se pas 11 vjetësh ky është shansi më i madh, por edhe sepse u rrezikohet edhe pushteti qendror. Ka shumë gjasa që të rritet pjesëmarrja në votime, që në këtë rast do të ndihmonte Bashën. Përmbledhtas, mund të thuhet se kjo taktikë radikale e negative e Ramës, do të kishte efekt negativ relativ mbi Ramën si kandidat për Bashkinë e Tiranës.
Taktika radikale e Ramës demotivon votuesit e lëkundur me tendencë pro socialistë
Në vitin 2009, PS-ja, duke aplikuar një taktikë alternative, pozitive dhe ndryshimi, arriti të merrte më shumë nga votuesit e lëkundur se PD-ja, sepse në përballjen PS-PD apo Rama-Berisha, u tentua qëllimisht të krijohej ideja se Rama është ndryshe nga Berisha, se Rama nuk është konfliktual, gjë që i tërheq shumë votuesit e lëkundur e të moderuar. Kurse veprimet radikale prej gati dy vjetësh dhe fushata e politizuar e negative, që mesa duket do të drejtojë Rama, do të krijojë tek votuesit e lëkundur minimalisht idenë se Rama dhe Berisha janë njëlloj konfliktualë, dhe ndoshta akoma më keq, nëse Basha shfaqet alternativ në Tiranë, kurse Berisha gjysmë alternativ dhe gjysmë reaktiv. Pra, në Tiranë do të shfaqej në rastin më të mirë Rama njëlloj konfliktual si Berisha dhe Basha, jo konfliktual dhe alternativ e pozitiv, duke e favorizuar Bashën përballë votuesve të lëkundur. Kjo do të çonte në uljen e numrit të votuesve të lëkundur, që do të kishin tendencë të mbështesnin socialistët, apo në 2009 kishin mbështetur socialistët. Veçanërisht, kjo do të kishte efekt negativ për Ramën dhe pozitiv për Bashën në Tiranë.
Kërkesa e Ramës për zgjedhje të parakohshme favorizon Bashën dhe defavorizon Ramën.
Me kërkesën për zgjedhje të parakohshme, Rama si kandidat për Tiranën së pari është në situatë paradoksale, sepse edhe do të zgjidhet kryetar bashkie edhe kërkon zgjedhje të parakohshme, duke u shpjeguar votuesve të Tiranës se pastaj do të jepte dorëheqje, nëse do të realizoheshin zgjedhje të parakohshme; shumë demagogjike për t’u besuar. Së dyti, Rama u thotë votuesve të Tiranës “më jepni votën si kryetar bashkie”, por në “fakt unë këtë votë e dua jo për të qeverisur Tiranën”, por “për të shkaktuar krizë për zgjedhje të parakohshme”. Të gjithë ata votues jo socialistë që kanë votuar për Ramën, se besonin se do të punonte për Tiranën, nuk e votojnë më me këtë taktikë. Po ashtu, nga ana tjetër Basha do t’u thotë votuesve të Tiranës “me jepni votën se unë do të qeveris Tiranën” dhe se “duke pasur marrëdhënie të mira me pushtetin qendror jo vetëm nuk do të ketë krizë, por një hop të madh zhvillimi”. Në fakt, Rama ka arritur të bëjë “bumin” në Tiranë në vitet 2000-2005, kur, në krye të Bashkisë së Tiranës, kishte marrëdhënie bashkëpunimi me qeverinë qendrore. Pra, qasja e Ramës për zgjedhje të parakohshme dhe përdorim të Tiranës për konflikt me qeverinë qendrore, është defavorizuese për të në Tiranë dhe indirekt favorizon Bashën, ndërkohë që qasja e Bashës për “një qeverisje të Tiranës jo në konflikt me qeverisjen qendrore”, e rrit dyfish avantazhin e kundërshtarit të Ramës.
Qasja me “1 gjatësi vale” e Ramës e defavorizuar përballë qasjes me “2 gjatësi vale” të PD-së
Rama, duke aplikuar vetë e i vetëm në krye të PS-së dhe si kandidat për Tiranën, vetëm një qasje radikale dhe fushatë negative e të politizuar do të shfaqte në këtë fushatë, simbolikisht me “një gjatësi vale” për të mbuluar elektoratin e tij. Kurse PD-ja, me një qasje të Bashës në Tiranë, pothuajse tërësisht alternative e pozitive dhe një Berishë që “vrapon në të gjithë vendin”, duke promovuar nga njëra anë arritjet e qeverisjes së tij dhe nga ana tjetër duke iu përgjigjur më një gjuhë “pezhorative” fushatës negative dhe politike të Ramës, do të shfaqej me “dy gjatësi vale”. Rama me një gjatësi vale “kap” vetëm votuesit fanatikë, që janë shumë pak për të fituar Tiranën; dhe do të ndodhë për herë të parë që Rama nuk do të mund të fitojë asnjë votë më shumë se sa koalicioni që e mbështet, pikërisht për shkak të kësaj taktike radikale, negative dhe të politizuar. Po ashtu, në shkallë kombëtare “fuqia” e fushatës radikale, negative e politike të Ramës do të përthuhet nëpër “gërxhet” e fushatës lokale e individuale të çdo kandidati socialist që do të veprojë në njësinë e tij vendore, ndryshe nga çfarë i sugjeron Rama; kjo “kakofoni” me shumë gjasa do të çojë në një rezultat në shkallë kombëtare, gjithashtu, për PS-në më të ulët se në vitin 2009. Kurse Basha i përqendruar në Tiranë me fushatë pozitive, alternative dhe me një projekt të ri për Tiranën, ka shumë gjasa të marrë më shumë vota sesa koalicioni që e mbështet. E ndërkohë, Berisha i përqendruar kryesisht në fushatën kombëtare dhe me objektiv zgjedhjet e vitit 2013, ka shumë gjasa minimalisht të përsërisë në shkallë kombëtare rezultatin e vitit 2009, që i garanton të njëjtin sukses në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013. Me një probabilitet të lartë mund të thuhet se në qarqet e Dibrës, Kukësit, Shkodrës, Lezhës dhe Durrësit koalicioni qeveritar në këtë përballje qasjesh do të konfirmonte rezultatin e vitit 2009 (për të mos thënë edhe mund ta thellonte); kjo e përkthyer në mandate në zgjedhjet e vitit 2013 do të thoshte se në këto pesë qarqe, koalicioni qeveritar do të siguronte një avantazh me nëntë mandate më shumë se ai opozitar, njëlloj si në zgjedhjet e vitit 2009.
Në vend të një përfundimi
Kam përshtypjen se një fushatë radikale, negative dhe e politizuar ose është e detyruar nga rrethanat e krijuara nga vetë Rama gjatë këtyre dy viteve dhe mbi të gjitha me kandidimin e tij për Bashkinë e Tiranës, ose e keqmenduar në kushtet e pasigurisë e të panikut e ose e keqkonsultuar. Pa u futur në një analizë të thellë të arsyeve që e kanë diktuar këtë qasje (sepse ka shumë dhe që lidhen kryesisht dhe vetëm me Ramën), por as edhe të efekteve të tjera (sepse nga një analizë e thelluar ka shumë efekte të tjera negative, ndërkohë që në këtë analizë të thjeshtë e publike evidentohen vetëm shumë pak prej tyre) negative mbi rezultatin e PS-së në shkallë kombëtare dhe kryesisht e me shumë gjasa në rezultatin tejet negativ për Bashkinë e Tiranës, mund të them se kjo taktikë e gabuar gati dyvjeçare, e finalizuar me zgjedhjet vendore të vitit 2011, ka shumë gjasa të “ndëshkohet me votën e shqiptarëve të moderuar, të lëkundur dhe racionalë dhe sidomos të votuesve të rinj”. Dhe kjo ndodh sepse në PS mungon debati racional e profesional dhe përplasja e gjykimeve, gjithnjë e më pak nga viti 2005 dhe pothuajse absent nga viti 2009 e sidomos në këtë fushatë. Por, ende nuk është vonë për reflektim…

© Panorama.al

Te lidhura