Rreshtimi ideologjik i PS-së dhe modelet qeverisëse

Nov 10, 2011 | 10:17

ILIR KALEMAJ
Me gjithë kundërshtimet e hershme ndaj ideologjizimit politik dhe favorizimit të një rruge të tretë pragmatike, duket se kursi i ri i kryetarit të PS-së është kthimi i timonit majtas, duke i dhënë kësisoj një drejtim të ri përfaqësimit politik në vend. Një vështrim shumë sipërfaqësor i përmbajtjes programore përgjatë zgjedhjeve të fundit tregon qartë se PD arriti të fitojë zgjedhjet e 2005-s kur në vend të kritikave të ashpra, të forta dhe opozicionit radikal që e karakterizonte në vitet 1997-2004 (me përjashtim të detantës së shkurtër të 2002-shit), ofroi një qasje të re programore, përfaqësuese dhe që ndryshonte kryekëput në stil dhe përmbajtje me modelin e mëparshëm. Model që u pranua dhe votua nga shqiptarët edhe pas konsumimit nga pushteti të qeverisë “Nano” dhe modelit të korrupsionit kapilar dhe të institucionalizuar që ishte kthyer në një emblemë të asaj qeverie.
Modeli i taksimit proporcional, vendosja e taksës së sheshtë, shkurtimi i numrit të ministrive dhe fokusimi te një qeverisje më e vogël dhe futja e prokurimit elektronik, one stop shop-et për regjistrimin e bizneseve, lejeve dhe licencave, ishin vetëm disa nga reformat me kurs të qartë orientuar djathtas nga maxhoranca aktuale. E cila, nga ana tjetër, nuk hezitoi gjithashtu të ndërmerrte projekte punësh publike me kosto shumë të lartë, ku vlen të veçojmë Rrugën e Kombit, por edhe rrugët e bregdetit, të fshatrave etj. Ndërkohë që kohë pas kohe theksi është vënë te rritja e rrogave dhe pensioneve, dhe jo thjesht indeksimi i tyre. Investimi në projekte infrastrukturore, plus rritja e rrogave dhe pensioneve, me theks të veçantë atyre minimale apo të fshatit për një shpërndarje më të drejtë të të ardhurave, përveçse japin një orientim drejt punëve publike dhe nxisin politikat sociale, janë parë disi me dyshim nga FMN dhe BB për arsye të faturës financiare që mbartin dhe impaktin direkt që kjo kosto ka në borxhin publik dhe deficitin buxhetor, ndër të tjera.
Pra, nga 2005-a e këndej kemi pasur të bëjmë me një të djathtë që shpeshherë me politikat e saj ka rënë ndesh me parimet e konservatorizmit fiskal, ku shkalla e ndërhyrjes qeveritare si rregullatore dhe shpërndarëse e të ardhurave në shoqëri duhet të jetë minimale, duke favorizuar lirinë dhe të drejtën e sipërmarrjes. E parë në rrafsh të përgjithshëm, elementë të konservatorizmit janë, ndër të tjera, tradita, pragmatizmi, besimi se qeniet njerëzore janë imperfekte dhe, për rrjedhojë, kanë nevojë për forcën e ligjit për të garantuar rregullin, qetësinë dhe harmoninë shoqërore, hierarkia autoriteti dhe prona. Nga ana tjetër, parime apo principe të përgjithshme të socializmit, lëvizjeve progresiste dhe social-demokrate janë ato që barazohen në stimulimin e zhvillimit të mëtejmë të komunitetit, shpërndarjen pak a shumë barazitare të të ardhurave, politika sociale të drejta të bazuara në nevojën e grupeve margjinale dhe veçanërisht të prekura nga zhvillimet e tregut të lirë e me radhë.
Kemi gjithashtu dhe prirje postideologjike që argumentojnë se ideologjitë konvencionale të së majtës dhe së djathtës kanë dalë jashtë funksioni në një shoqëri të karakterizuar nga globalizmi, rënia e traditës dhe përhapja e refleksivitetit social, atëherë përfundimet janë të ndryshme. Në fakt, “përtej së majtës e së djathtës” apo “rruga e tretë” e Klintonit apo Blerit ishte diçka anames që bazohej në mbajtjen dhe stimulimin e një ekonomie tregu dinamike, por ku edhe qeverisë i njihet një rol i rëndësishëm socio-ekonomik. Kjo e fundit mund ta bëjë këtë duke ndërmarrë reforma të qenësishme në lëmin e edukimit dhe trajnimit të vazhdueshëm për ta bërë forcën punëtore kompetitive me kushtet e reja të punës, me teknologjinë e re dhe me kërkesat e reja të tregut. Parime të tilla si “të ndihmojmë njerëzit, të ndihmojnë vetveten” apo “një dorë e shtrirë, jo një dorë e mbledhur” nga ana e qeverisë i vesh një fytyrë njerëzore dhe sociale kapitalizmit tradicional dhe preferohet si rrugë e tretë më elastike dhe produktive sesa politikat e tipit “welfare” që shpërndajnë gratis ndihmë ekonomike dhe nxisin dembelizmin apo politikat e ashpra neoliberale që mund të lënë grupe të caktuar të përjashtuar dhe në varfëri.
Ndër vendet e Lindjes që u bënë pjesë e BE-së pas 2004-s, vendet balltike për shembull, kanë pasur një strategji laissez-faire në krahasim me modelin neokorporatist slloven, duke huazuar mjaft prej neoliberalizmit. Ndërkohë, të dyja modelet kanë funksionuar. Pra, edhe efektet pozitive të këtij cikli reformash (libertariane) kanë rezultuar të suksesshme përsa i përket rritjes ekonomike, ndërsa përsa i përket mbrojtjes sociale, këto vende janë dukshëm larg standardit protektiv që vëmë re te rasti i Sllovenisë dhe marrëdhëniet punëdhënës-punëmarrës janë larg të qenit të institucionalizuara. Kjo edhe për inekzistencën thuajse të plotë të unioneve dhe sindikatave në këto vende që normalisht duhet të ishin palë në kryerjen e reformës. Por kjo nuk përbën aspak një handikap për këto vende që besojnë në forcën vetërregulluese të tregut dhe operojnë me metoda “alla-Thatçriane”. Nga ana tjetër, kemi edhe modelin e vendeve të Evropës Qendrore, i cili qëndron ndërmjet dy modeleve të artikuluara më sipër dhe që kombinon aspekte të qenësishme të të dyja llojeve. Vendet e Europës Qendrore kanë ndjekur një rrugë të mesme ndërmjet dy modeleve të mësipërme dhe kanë provuar një lloj kombinimi të politikave për arritjen e një kohezioni më të madh social, por duke stimuluar ndërkohë rritjen ekonomike në mënyrë konstante. Po ashtu, raporti i forcave politike në këto vende është pak a shumë i ekuilibruar ndërmjet dy blloqeve të mëdha (qendrës së djathtë dhe asaj të majtë), çka bën të mundur një ndërthurje të politikave. Por, nga ana tjetër, mund të prodhojë edhe mungesë stabiliteti politik, me periudha zgjedhore të çrregullta dhe efekte anësore në aspekte të tjera të jetës së këtyre vendeve. Gjithsesi, vlen të përmendet se këto vende kanë ndjekur një politikë makroekonomike përgjithësisht të qëndrueshme, duke filluar nga vitet ‘90 dhe me reforma shpesh të formës “shock terapi”, si në rastin e Republikës Çeke, por e kombinuar me programe bujare për kategoritë më të prekura nga kjo reformë.
Për të përmbledhur disa nga argumentet kryesore të ilustruara këtu, duhet thënë se idelogjizimi i partive politike dhe rreshtimi i tyre reciprok në mbrojtje të interesave të kategorive shoqërore që mbrojnë, është një hap fillestar i domosdoshëm që mundëson zhvillimin e politikave koherente dhe programeve qeverisës jo populist. Në periudhë afatmesme dhe afatgjatë kjo eliminon ndarjen e votës në vija krahinore, nepotike, klienteliste dhe rrit nivelin e përfaqësimit politik duke ndihmuar njëkohësisht cilësinë e tij. Programet qeverisëse që bazohen në filozofi të caktuara djathtas apo majtas, në vetvete janë modele që kanë prodhuar si sukses (kur janë zbatuar siç duhet dhe me konsistencë), ashtu edhe dështim (kur janë ndjekur politika populiste dhe me idenë për të rritur fiktivisht koshin e votave). Evidenca, qoftë nga vendet perëndimore, qoftë nga ish-vendet e Lindjes, tregojnë qartë suksesin e reformave të kryera sipas një qëndrimi të qartë ideopolitik dhe përfaqësues. Shpresojmë që politika shqiptare do të jetë më së fundmi e përqendruar te debati i shifrave, projekteve dhe ideve dhe jo sulmet personale që nuk kandisin më askënd.

© Panorama.al

Te lidhura