Që njeriut, në një vend demokratik, i jepet mundësia të thotë fjalën e tij pa ngurrim, tashmë dihet. Dhe fakti është që në Shqipëri po shkruhet e zezë mbi të bardhë dhe e bardhë mbi të zezë, sipas qejfit dhe interesit të çastit apo të një qëllimi politik të caktuar. Sepse vetëm kështu mund të lexohen fjalë që mendonim se i përkitnin një kohe tjetër, të varrosur njëherë e përgjithmonë, kur dordoleci i imperializmit perëndimor u nxirrej përpara shqiptarëve sa herë që duhej shtrënguar dara e diktaturës. Kujtonim se nuk do të shihnim në faqet e shtypit shqiptar akuza kaq të drejtpërdrejta dhe veresie, aq më pak nga njerëz që kanë pasur një raport dashurie dhe urrejtjeje me regjimin e Hoxhës. E kam fjalën për intervistën e zotit Spartak Ngjela dhënë zotit Skënder Minxhozi dhe botuar në revistën “MAPO”, në datën 20 mars 2011.
Sepse nuk u zura besë syve kur lexova fjalët e Ngjelës: Nëse ka një element që po dëmton demokracinë në Shqipëri … janë ndërkombëtarët. Jo tjetër kush? Dhe vetvetiu më lindi pyetja tjetër: qysh kur? Nëse deri dje, të djathtë e të majtë, apo edhe deledashë nga pikëpamja politike, i kanë pas kthyer sytë drejt këtyre ndërkombëtarëve duke shpresuar se do të ndihmoheshin prej tyre të zgjidhnin lëmshin e ngatërresave politike shqiptare, si ta shpjegojmë këtë qëndrim kaq kritik të sotëm të një përfaqësuesi të një pjese të së majtës? Sepse avokati vijon e thotë: Asnjëherë politika ndërkombëtare nuk e ka dashur demokracinë reale në Shqipëri. Asnjëherë? Me të vërtetë asnjëherë? Mos do të kujtojmë këtu edhe përrallat e ndihmave gjysmake të aleatëve gjatë Luftës, që parashutonin vetëm këpucë të majta apo me numra të stërmëdhenj dhe në këtë mënyrë sabotonin luftën kundër pushtuesve? Apo që organizuan reaksionin shqiptar kundër “pushtetit popullor”, duke filluar që nga misioni ushtarak anglez i Hodgsonit e deri te shkolla e spiunit Harry Fultz? Me këtë gjuhë mund të flitej atëherë kur gojët ishin të kyçura. Sot jo. Sot nuk e besoj se mund të ndodhë. Dhe kur ndodh, ma do mendja se të gjithë mendojnë se kemi të bëjmë me një rravgim. Në rastin më të mirë.
Dhe besoj se rezultat rravgimi janë edhe fjali të atilla si … bojkoti është sistem; si disiplinë dhe persistencë me variant logjik që rrjedh përditë me arsyen e fjalimeve publike dhe pas kësaj njerëz të shumtë që e përkrahin. Dua të besoj se kur është kopjuar teksti i intervistës të jetë lënë jashtë ndonjë fjalë që, meqë i mungon, e ka bërë fjalinë të mos ketë as kokë dhe as bisht. Në pastë njeri që të më ndihmojë ta kuptoj, do t’i them falemnderit. Le të më falë zoti Ngjela për injorancën time.
Zoti Ngjela arsyeton si do ai të arsyetojë dhe është e drejta e tij. Por nuk besoj se ka të drejtë kur thotë që ODIHR-i dhe OSBE-ja janë shkaktarët e kësaj gjendjeje. Me një fije ndjesie autokritike duhej të pranonte se një pjesë të fajit (të vogël apo të madh, varet nga simpatitë politike të individit), e ka edhe ai grupim politik ku militon zoti Ngjela sot. Theksoj, sot, se nuk i dihet ku do të militojë nesër Avokati!
Mendoj se opinioni e dha vlerësimin e tij për politikën e rrugës dhe të shesheve. Zoti Ngjela i rikthehet këtij argumenti. Duhet t’u drejtohemi shqiptarëve, të cilët masivisht duhet të dalin në rrugë për të sjellë një zgjidhje demokratike… Nuk e di pse kjo mospërputhje midis zgjidhjes demokratike dhe daljes në rrugë më kujton paradoksin e përgjakur: diktatura e proletariatit është demokracia më e vërtetë. Sa për ta kujtuar: e ka pas thënë Hoxha.
Nuk dua të merrem me analizimin e intervistës. Këto që them janë thjesht përshtypje (të hidhura) mbas leximit të saj. Sepse një pohim tjetër i zotit Ngjela më kujton kohë të tjera. Sipas Avokatit, nuk qenka i shkolluar ambasadori amerikan? Gjynah që sot nuk ka më një shef kuadri që në dosjen personale të zotit Arvizu të mbante kopjen e diplomës së tij dhe të na e tregonte si qëndron e vërteta. Pa më kujton kohë të tjera edhe për një gjë tjetër: nuk besoj të ketë njerëz aq naivë në Shqipëri, sa të mendojnë se një ambasador i SHBA nuk na qenka i shkolluar. Sepse Shtetet e Bashkuara (dhe këtë e di edhe bufi), nuk emërojnë ministra apo ambasadorë njerëz që e kanë a s’e kanë një shkollë nate a një shkollë partie!
E, edhe një gjë tjetër. Po citoj fjalët e zotit Ngjela: Mos u habitni kur të shihni një akuzë penale kundër tij para Gjykatës së Uashingtonit, të shoqëruar edhe me një peticion që mund t’i kalojë të 100 000 personat. Kush mund të më thotë nëse në këtë shifër përfshihen edhe ata të 13 000-tët që ishin gati të sakrifikoheshin pas 21 janarit? Sepse, në fund të fundit, “hiç asgjë s’janë!”
I kujtohen këto fjalë zotit Ngjela?
© Panorama.al












