Këngëtarja, së bashku me motrën, do të menaxhojnë një TV në Kosovë.
Ajo i këndon “Kanagjegjit”, por i këndon edhe “Mallit”, nga këngët argëtuese deri tek ato patriotike. Është vendosur prej një kohe në Prishtinë për shkak të punëve që duhet të realizojë atje, ndërsa ne mësojmë se këngëtarja së bashku me motrën e saj janë në finalizimin e projektit për menaxhimin e një televizioni privat.
Rovena ka kohë që po qëndron në Prishtinë, punë, këngë, klipe e video, si po zhvillohet jeta juaj atje?
Kam kohë që lëviz mes Tiranës e Prishtinës. Puna ime si artiste që këndon për të gjithë trevat shqiptare, si në Jug ashtu edhe në Veri, e kërkon që të jem shpesh edhe në kryeqytetin tjetër shqiptar, Prishtinën. Muzika e shoqëria janë ato që më kanë lidhur shumë me Kosovën prej vitit 2002.
Keni marrë dhe një apartament së bashku me motrat, cila fiton më shumë dhe cila përkujdeset për shpenzimet?
Sa u përket shpenzimeve, dihet se secilin artist po ta pyesësh, do të thotë se ka shpenzime të shumta, mbi të gjitha edhe për faktin se të gjithë muzikën tonë na duhet ta investojmë vetë dhe të presim pastaj rezultate në një treg muzikor, i cili gjendet aktualisht në krizë për shkak të mosfunksionimit të të drejtave të autorit.
Sa të ndihmon Elisa në menaxhimin e karrierës, është më mirë të kesh motrën apo dikë tjetër si menaxher?
Ndihem shumë e lumtur dhe me fat që kam Elisën menaxhere, jo për faktin se e kam motër, por sepse është shumë e zonja, dhe shumë shpejt asaj “ka për t’ia parë hajrin” edhe e gjithë bota muzikore shqiptare. Ajo më ka ndihmuar mjaft në rritjen time artistike dhe profesionale.
A mos vallë e keni fjalën për një projekt të dëgjuar në biseda tavolinash, se Elisa dhe ju po ndërmerrni një projekt të rëndësishëm në Prishtinë, ku ju ndër të tjera do të realizoni edhe një show?
Shumë shpejt do të flasim diçka më konkretisht rreth kësaj. Sa për tani, mund të them se ne po punojmë shumë për të ndryshuar pozitivisht, për të bërë një revolucion në showbiz-in shqiptar. Artistët dhe populli ynë e meritojnë të kenë një cilësi më të madhe, një nivel artistik më të lartë, pasi nuk na mungojnë talentet dhe aq më pak mundësitë për t’i shfaqur ato.
Sipas një sondazhi në Youtube dhe një gazete të njohur në Kosovë, videoklipi juaj “Malli”, në Youtube ka 8.250.950 klikime deri tani. Ndoshta është videoja më e parë për shkak të veshjes suaj në bikini në prani të një djali seksi?
Unë së pari jam shumë e lumtur për këto klikime dhe pashë nga ky sondazh i bërë se klikimet vijnë nga e gjithë bota, pra jo vetëm nga shqiptarët. Së dyti, ka shumë vite që njerëzit vazhdojnë të kërkojnë arsyet e suksesit të dikujt dhe këtë e lidhin me veshjen apo zhveshjen e tij. Më duket demode tashmë, kur shohim se nuk është më interseante të shohësh dikë me bikini.
Makinën e re të markës “Jaguar” e ke dhuratë nga vetja apo nga dikush tjetër?
Makinën ma ka bërë dhuratë “Babagjyshi” i Vitit të Ri.











