Rosell: Do bojkotojmë Champions-in

Nov 17, 2011 | 9:12
Rosell-Laporta

Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, po kërkon ndryshime rrënjësore në organizimin e kampionatit spanjoll, por mbi të gjitha të Ligës së Kampioneve. Ai ka shpalosur një ide mbi mënyrën se si duhet të zhvillohet Champions-i dhe ka kërcënuar se, nëse ajo nuk merret parasysh, shumë klube, mes të cilave Barcelona, do të bojkotojnë pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve. Madje, do të krijojnë një kompeticion tjetër të ngjashëm me atë. “Champions-i duhet të shtojë numrin e skuadrave, pasi kjo do sillte më shumë të ardhura dhe mbi të gjitha një nivel më të lartë futbollistik për kampionatet. Gjithsesi, kjo nuk është kërkesa ime kryesore. Unë mendoj se UEFA duhet të planifikojë ndryshe organizimin e ndeshjeve, madje duhet të bëjë një kompromis me kampionatet e futbollit. Unë mendoj se Liga e Kampioneve duhet të luhet në fundjavë, ndërsa kampionati të jetë pushim kur ka Champions. Kjo do të sillte më shumë popullaritet, pasi edhe pjesa më e madhe e njerëzve janë pushim në fundjavë”, deklaroi Sandro Rosell në mbledhjen e klubeve, në Katar. Presidenti i Barçës i ka bërë një kërcënim të hapur UEFA-s, për sa u përket ndryshimeve në Champions. “UEFA dhe Shoqata e Klubeve Europiane kanë një marrëveshje mirëkuptimi me njëra-tjetrën, e cila skadon në vitin 2014. Ne nuk jemi kundër idesë që kompeticione si Champions-i dhe Liga e Europës të administrohen nga UEFA. Por, ne duam që UEFA të marrë në konsideratë kërkesat që kanë klubet. Meqenëse marrëveshja skadon në vitin 2014, është mirë që ata të zbatojnë ndryshimet që kërkojmë. Në rast se bisedimet do të dështojnë, atëherë do krijojmë një kompeticion të ngjashëm me Ligën e Kampioneve”, shtoi Rosell.

Federata spanjolle nën presion
Sandro Rosell i ka propozuar Federatës Spanjolle të Futbollit që të pakësojë numrin e skuadrave pjesëmarrëse në kampionat, nga 20 në 16. Ky shkurtim të bëhet përgjatë dy edicioneve të ardhshme: saktësisht sezoni 2012-2013 të bëhet me 18 ekipe, ndërsa ai pasardhës me 16. Klubi i parë që e refuzoi një ide të tillë ishte Reali i Madridit, rivali historik i katalanasve. Sa për federatën, ajo nuk pranoi të jepte një reagim.

© Panorama.al

Te lidhura