KORÇE – Komuniteti rom në Korçë protestoi dje ndaj diskriminimit, duke marrë shkas nga dëbimi i dhunshëm prej barakave të romëve në Tiranë. Në shenjë sensibilizimi kundër këtij diskriminimi, ata dolën në qendër të qytetit të Korçës, në sheshin para katedrales, ku shpërndanë fletëpalosje dhe hodhën firma kundër diskriminimit racor. Ka qenë forumi i romëve “Romë aktivë”, që organizoi këtë protestë me të rinj dhe qytetarë të tjerë të komunitetit rom në Korçë. Erjon Jakupi, kryetar i këtij forumi, u shpreh se “kjo protestë organizohet për të kundërshtuar dhe ndalur veprimet e dhunshme dhe trajtimin diskriminues që i bëhet komunitetit rom”. Ai kërkoi mbështetje nga institucionet shtetërore duke akuzuar se komuniteti rom është lënë në harresë. Jakupi kujtoi se edhe në qytetin e Korçës është shënuar një precedent pak vite më parë me dëbimin e dhunshëm nga banesat e tyre të familjeve të komunitetit rom. Ata u strehuan më pas nga bashkia. Ai gjithashtu kujtoi se një numër i madh familjesh të komunitetit rom në Korçë jetojnë në kushte të vështira ekonomike dhe për këtë kërkoi më shumë interesim nga shteti dhe Bashkia me përkrahje sociale. g.a











