Romët, (jo)si të tjerët

Mar 24, 2011 | 11:34

ELSA BALLAURI

Kur flet për romët, pothuajse çdo shqiptar ka në mend një shprehje gati të njëjtë: Të gjithë vuajmë, edhe romët si të tjerët. Në fakt, kjo gjë, me gjithë ngarkesën e trishtimit që mbart, nuk është një shprehje që mund të mbetet vetëm si një konstatim dhe kaq. I takon më shumë periudhës së diktaturës, kur shumica kishte pothuajse të njëjtat mundësi mbijetese dhe kur mungesa e lirisë vinte me të njëjtin intensitet shkatërrues. Në Shqipëri, “romët si të tjerët” është një shprehje që nuk e ka më kuptimin e parë. Shqiptarët patën shansin ta njohin më mirë veten pas vitit 1991, dhe një nga tiparet më dalluese që vjen gjithmonë duke u plotësuar e dalë në pah është ndjenja dhe sjellja diskriminuese. Ajo që ndodhi “te Stacioni i Trenit” është vetëm një skenar i përsëritur që ka ndodhur prej vitesh dhe në mënyrë periodike rivjen, në mënyrë ironike hap debate në media, në shoqërinë civile, komunitetin ndërkombëtar etj. Mendoj se vërtet ka një mënyrë ironike që e ka shoqëruar gjithë këtë histori.
Disa vite më parë, një shpërngulje e tillë ka ndodhur me romët e Pogradecit, që u shpërngulën me forcë në një periferi të pajetueshme nga ndërtues privatë; e njëjta gjë ka ndodhur disa herë me grupe romësh në Korçë. Në të dyja qytetet nuk ka pasur asnjë ndryshim të gjendjes, romët kanë mbetur të harruar dhe vuajtja e tyre nuk është aspak një arsye për t’i detyruar qeveritarët lokalë të bëjnë punën që u ka caktuar shteti. Në kushtet e një ekonomie tregu të lirë dhe lëvizjeje të lirë, fraza se romët vuajnë si të gjithë shqiptarët nuk është më e justifikueshme dhe duke dështuar në këtë shpjegim të thjeshtuar, shqiptarët nuk kanë ç’të bëjnë dhe po dalin hapur me tezat dhe veprimet e tyre diskriminuese.
Informacioni i fundit mbi romët “te Stacioni i Trenit”, është se deri më sot nuk është bërë asnjë veprim konkret për t’i ndihmuar, ende në zyrat e Ministrisë së Punës nuk është vendosur se kush do të merret me këtë problem. Me sa duket, pritet që të harrohet pak nga pak… ja zgjedhjet po afrohen, kemi të tjera halle…. Romët? Nuk kemi çfarë t’u bëjmë, ata ashtu kanë qejf të jetojnë…
Edhe nëse me ndikimin e komunitetit të shoqërisë civile dhe sidomos nën ndikimin e të huajve, apo të qeverisë, për të mbyllur ca halle në prag zgjedhjesh do të gjendet një vend për ato familje të traumatizuara, jam e bindur se shumë herë, shumë shpejt, do të kemi raste të tjera të ngjashme që do të lihen në mes të rrugës.
Arsyeja e fortë që i bën këto raste të përsëriten si një pamundësi e shtetit për të vepruar është ndjenja e diskriminimit. Diskriminimi shprehet me indiference, ironi, mospërfillje, dhembshuri false, mosveprim e në një shkallë më të lartë me agresivitet, brutalitet, dhunë fizike. Shumica e shqiptarëve nuk e kanë këtë të fundit, por vuajnë shumë nga tiparet e para: që nga indiferenca deri te mospranimi, mosveprimi dhe brutaliteti. Kjo më bën të mendoj se sado të gatshëm të jemi në një moment të caktuar për të bërë disa ndryshime të domosdoshme dhe pragmatiste, ato nuk do të zgjasin shumë nëse nuk i ndiejmë se po i bëjmë, nëse nuk jemi të përgatitur që t’i bëjmë sa më afatgjata dhe sidomos, nëse s’jemi të bindur se ato duhen bërë. Kështu, në veprimet konkrete që kërkojnë bashkëpunim në grup, grupi ka njëqind mendje dhe do të dështojë gradualisht sepse secili individ është i infektuar nga tiparet diskriminuese. Grupi (në këtë rast një departament në një institucion shtetëror që duhet të merret me rehabilitimin e romëve), funksionon shumë mirë duke bashkëpunuar natyrshëm si pasojë e të njëjtit mendim (paragjykues) që ndajnë. Kështu, ata janë preh e ndjenjës diskriminuese, shumë më tepër sesa “preh” e detyrës që kanë për t’iu asistuar shtresave në nevojë. Në balancën ku qëndron kultura individuale e paragjykimit nga njëra anë dhe përgjegjësia e zyrtarit që duhet të bëjë punën e tij me korrektesë nga ana tjetër, fiton e para dhe askush nuk mban përgjegjësi për këtë.
Adriatik Hasantari, drejtor i Roma Active Albania, tregon se shoqata e tyre kishin bërë një test të lirë për të parë se sa diskriminuese janë kategori të ndryshme në shoqëri. Kështu, një grup të rinjsh romë shkuan të frekuentonin disa lokale të Bllokut në Tiranë. Natyrisht që edhe kamerierët që do t’iu shërbenin ishin të rinj. Për çudi, të rinjtë romë nuk u pranuan në asnjë nga lokalet (3 ose 4 prej tyre), me pretekstin se tavolinat ishin të rezervuara….Megjithëse një test i patëkeq joformal, përfundimi është shumë i mjerë dhe shqetësues. Dhe pikërisht kjo është tema mbi të cilën duhet të debatojmë. Brezi i ri, i pamësuar ende me konceptet e vërteta të lirisë dhe respektit ndaj tjetrit, është edhe më shumë diskriminues kur ka përpara vetes modelet e shëmtuara të politikës, shoqërisë, shtetit të së drejtës. Dhe kjo do të thotë se rruga drejt një shoqërie antidiskriminuese për ne shqiptarët do të jetë shumë e gjatë.

© Panorama.al

Te lidhura