Ai e di, me mijëra fansa që e ndjekin nga pas nuk janë për të. Ata nuk duan t’ia dinë se kush është ai në të vërtetë. Ata ndjekin një vampir, të famshmin Eduard. Por atij kjo nuk i intereson aspak, fundja nuk është i lindur për të qenë një star.
Kush nuk do të donte të ndiente në qafë dhëmbët e një vampiri si ai, megjithatë ai vetë nuk është shumë i ngazëlluar nga manteli i vampirit dhe tufa e fanseve që e ndjekin nga pas. Ndërsa kudo, në kinematë e botës po shfaqet pjesa e radhës së sagës “Twilight”, “Breaking down”, Robert Pattinson i çudit të gjithë me ndrojtjen dhe tërheqjen e tij. Është tashmë një yll, megjithatë, duke e dëgjuar nuk duket. “Nuk besoj se jam i prerë për të gjithë këtë. Me siguri, jo për të qenë një yll, madje as për të qenë aktor”, thotë Robert Pattinson. “ka shumë që e dëshirojnë suksesin që të rinj dhe bëjnë gjithçka për t’u bërë të famshëm. Dhe nëse ia arrin, kur hyn në një dhomë plot me njerëz, arrin të rrëmbejë vëmendjen e të gjithëve. Dhe ai moment kënaqësie e justifikon gjithë lodhjen dhe kompromiset e bëra për t’ia arritur qëllimit”, shpjegon Pattinson në një intervistë ekskluzive dhënë për të përjavshmen italiane, “Gioia”.
Por ndërkohë për aktorin që tashmë po korr suksese njëri pas tjetrit, nuk është e njëjta gjë. “Unë u gjeta në këtë situatë krejt rastësisht. Nëse duke hyrë në një sallë të gjithë më shohin, ndihem në siklet. Shpesh herë më duket vetja si një kafshë në kopshtin zoologjik. Dhe kjo nuk është e këndshme”.
Pattinson ngul këmbë të mos identifikohet me personazhin e famshëm tek saga e vampirëve “Twilight”, Edward Cullen, dhe duke folur për fansat e shumtë shton: “Atyre nuk u intereson se kush jam unë, çfarë bëj, apo si interpretoj. Njerëzit nuk më flasin mua, nuk bërtasin për mua, nuk shkulin flokët për mua, por për Edward. Vijnë për të parë atë dhe atëherë mua më duhet të shkëputem prej atij emri. Ia mbath, hipi në makinë dhe jam një njeri tjetër”.
Sa i përket propozimit për të punuar me regjisorin dhe skenaristin e njohur David Cronenberg thotë: “Erdhi pikërisht në momentin kur nisa të mendoj se nuk do të punoja dot kurrë me një regjisor të mirë. Shpesh fama nuk të ndihmon të luash në një film cilësor. Por është e vërtetë: Cronenberg më kërkoi”. Dhe kjo i ka dhënë jo pak kënaqësi aktorit me pamje paksa të hutuar, por me një buzëqeshje rrezëllitëse. “I thashë se më duhet të marr një javë kohë për të vendosur. Ndërkohë kërkoja mënyrën për t’i thënë që nuk isha i duhuri, se nuk kisha kuptuar skenarin dhe se nuk do ta pranoja pjesën. Më e fundit ishte ta merrja në telefon e t’i thosha: Nuk e pranoj sepse jam një i mbaruar. Por pastaj u mendova dhe nuk doja të isha një i mbaruar dhe kështu.. i thashë po!”.











