TIRANË- Presidenti i vendit, Bamir Topi duke përsëritur apelin për pjesëmarrje në zgjedhje dhe fushatë aktive nga partitë, ka deklaruar se rikompozimi i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve është çështje e partive politike dhe jo kompetencë e presidentit. Deklarata, sot gjatë takimit me homologun kosovar, Behxhet Pacolli, erdhi në përgjigje të pyetjes, nëse ka mundësi për rikompozim të saj, pas insistimit të opozitës.
“KQZ është një çështje ekskluzive e partive politike. KQZ para ndryshimeve kushtetuese parashikonte jo thjeshtë një komision bipartizan, aty përfshihej edhe presidenti. Me vullnetin e plotë të të dy palëve u përjashtuan institucionet e tjera për të qenë pjesë e supervizionit në këtë institucion. Fakti që ata e kanë ndërtuar të tillë bën të mundur vetëm zgjidhjen përmes tyre. Është çështje e partive dhe jo e presidentit të ndërhyjë për përbërjen e KQZ-së”, tha Topi.
Kreu i shtetit, duke iu referuar institucionit kërkon si President respektimin e Kushtetutës në zgjedhjet e 8 majit. “Kam bërë thirrje për pjesëmarrje në zgjedhje” tha ai, duke i vlerësuar zgjedhjet për pushtetin vendor si shumë të rëndësishme për qytetarët.











