Rezoluta në KE: Prindërit nuk duhet ta dinë seksin e bebeve

Sep 13, 2011 | 11:24

Një Komitet i Këshillit të Europës ka përpiluar një rezolutë, që instrukton stafin mjekësor të mos e tregojë seksin e fetusit të bebeve, për t’i parandaluar prindërit nga “aborti seleksionues”.Rezoluta, nëse miratohet në Parlamentin Europian, do të aplikohet në të 47 vendet anëtare, përfshirë Shqipërinë. Projekt-rezoluta e Këshillit të Europës, e miratuar të premten nga Këshilli citon se seleksionimi i seksit para lindjes kishte arritur “proporcione shqetësuese” në disa vende anëtare, veçanërisht në Shqipëri,  Armeni, Azerbajxhan, ku shkalla është 112 djem me 100 vajza, por edhe Gjeorgji, me shkallën 111 djem për 100 vajza. Rezoluta kërkon një hetim mbi shkaqet asimetrike të shkallës së lindjeve në këto vende dhe thotë se seleksionimi prenatal i seksit duhet të lejohet vetëm me qëllim për të evituar sëmundje serioze trashëgimtare të lidhura me vetëm njërin seks. Por, rekomandimi i tyre është që të gjitha spitalet në 47 vendet nuk duhet t’u thonë prindërve seksin e foshnjave, dhe kjo ka shkaktuar alarm. Rezoluta pritet të paraqitet në Parlamentin Europian për votim në muajin tetor. Kështu, mjekët dhe mamitë nuk do të lejohen t’u thonë prindërve të ardhshëm, nëse bebja e tyre do të jetë vajzë apo djalë. Disa mjekë kanë shprehur shqetësim për këtë masë. Ndalimi i prindërve për të mësuar seksin e bebeve ende të  palindura, pas miratimit të rezolutës fillimisht në Komitetin e Këshillit të Europës për mundësitë e barabarta, ka ngritur polemika të forta. Një grup prindërish janë shprehur se ndryshimi i propozuar do të ishte pa kuptim. Propozimi është reagim për praktikën e seleksionimit të fetuseve për abort, kryesisht atyre femërore, një praktikë që sa vjen e shtohet në shumë vende të botës. Prindërit thonë se njohja e seksit të bebes është e  nevojshme për disa arsye, përfshirë veshjet apo mobilimin e dhomës së bebes.

Masa zbatohet tashmë në disa spitale britanike
Masa, ende pa u miratuar nga Parlamenti Europian, ka nisur të zbatohet në disa spitale britanike, kryesisht në zonat londineze, të cilat e kanë përqafuar këtë zgjidhje, për të shmangur eliminimin e fetuseve femërore, më së shumti nga prindër myslimanë. Edhe pse kanë hasur në protestat e prindërve të ardhshëm, këto spitale kanë vendosur ta  zbatojnë paraprakisht këtë masë me argumentin se tashmë kjo është një praktikë e ndaluar. Këshilli i Europës, me bazë në Strasburg, nuk mund t’u imponojë qeverive urdhra për t’u zbatuar, por ka shumë influencë në politikëbërjen dhe shpesh shihet se vendimet e tij janë pjesë e rëndësishme e konventave dhe marrëveshjeve.

© Panorama.al

Te lidhura