“Republika e Absurdísë”- Satira si pasqyrë e realitetit shqiptar

Nov 7, 2025 | 13:42

FRANO KULLI/ Më 1907, Fishta i boton satirat e deriatëhershme në vëllimin “Anzat e Parnasit”, siç dihet. Po se ç’ndjesi e vlerësim kishte vetë Fishta për to, posë të tjerash na e bën me dije edhe një ndodhi e shënuar e kohës. Ngjarjen na e përshkruan At Pashk Bardhi një bashkëvëlla françeskan: “Në vjetë 1907, nuk më bje në mend se në ç’muej, nëpër liqe të Shkodres kthete prej nji udhëtimi qi kishte bâ në Vjenë Abâti i Mirditës, Emzot Doçi. At Fishta, At Benardin Shllaku e unë i duelem përpara ku ndaloi vaporri. Kur hime n’lunder për me ardhë në qytet (Shkoder) e thirri Fishten me ndjejë bri tij e i kallxoi se në Vjenë të gjithë, profesora e studenta e të gjithë qi u merrshin ndopak me gjuhë shqype ishin t’entuzjasmuem per “Oso Kuken” [Kënga e dytë e Lahutës] e lavdet qi i kish ndie prej sish nuk dijte me i shprehë. N’ket kohë Atë Fishta e pveti: “Po per “Anza t’Parnasit”, monsinjore, shka thojshin?”…

Marash Mirashi

Është i vetëmjaftueshëm edhe pohimi i kësaj bisede për të ndaluar te vendi që zinte satira në aspiratën krijuese të Fishtës që herët. Unë e solla këtë shembull edhe pse i bindur se çdo krahasim çalon. Kam tri dekada e gjysmë që e lexoj poezinë e Marash Mirashit dhe e lexoj përtej miqësisë sime me të, sikundërse e ndjek me po të njëjtin respekt e dashuri publicistikën e tij, e cila ka ecë pa u ndalë një korsi krejt të përveçme nëpërmjet një hapësire të blertë plot jetë, prej fiks tri dekadash. Por prej një viti e këndej, kur ai pati sjellë në shtëpinë tonë botuese romanin e tij “Brirët”, jam ndje për një çast në pezullinë që të shkakton një e papritur e fortë, fort e gëzueshme. Poeti dhe publicisti, prej një pozite të dallueshme ku tashmë gjindej në hierarkinë e poezisë moderne dhe të letrave shqipe bashkëkohore përmes dy zhanreve të sipërpërmendura, na surprizon së fundi me satirën e tij. Mbasi ka kaluar fiks një vit nga botimi i romanit “Brirët”, do të ishte modesti e tepruar e autorit, po edhe e imja si botues sikur të thoshim vetëm se është mirëpritur a ka qenë i suksesshëm. Feed back-u (reagimet) që kemi përftuar prej tij është i përmasave përtej sa thashë; jo vetëm se është vlerësuar me çmim në një prej konkurseve kombëtare më prestigjioze që bëhen sot në Shqipëri, por se është çmuar si njëra prej veprave më të mira letrare të zhanrit të prozës së gjatë satirike, kaq pak e lëvruar në letërsinë tonë bashkëkohore, sidomos kohës postregjim. E vetëmjaftueshme kjo për ta shënuar poetin e talentuar e publicistin par exellence edhe si një lëvrues-mjeshtër të kësaj gjinie. “Vula” është romani tij i dytë satirik ku një vulë bëhet epiqendra e një komedie politike. Republika e Absurdisë shfaqet si një laborator grotesk, ku personazhet luftojnë jo për ideale, po për një copë metali që vulos më shumë imagjinatën sesa realitetin.

PERSONAZHET KOMIKË

-Në Republikën e Absurdisë, logjika nuk kishte më vlerë – citon diku autori-E, me të vërtetë, në një qytet ku bashkëjetojnë kullat, pallatet mjerane të një kohe të shkuar dhe thashethemet, kishin me qenë shtrati e sfondi i denjë pamor e thelbësor i një republike të kësisojshme. Me humor të mprehtë, dialogje të një çmendurie të ëmbël dhe situata që shpesh ngrihen dhe bien si skena të një teatri absurd, “Vula” është një reflektim komik dhe tragjik i politikës së sotme ku absurdi është ligj dhe grotesku normalitet. Që mbartet prej personazhesh, të cilët, po kështu, thirren me emra komikë, Baz Gardhi, Sul Moka, Eduardo, moderatori Çun Hasi, Blind Kuku; analistë Star Kolonja, Armend Shijaku, Niko Leci, vetë ajo Eli Libovari. Që të gjithë navigojnë nëpër detin e boshit; flasin pa mendim dhe mendojnë pa fjalë. Ose struktura qeveritare imagjinare, e Partisë së iluzionit demokratik, gjithashtu po kaq komike me ministra në heshtje, pa shpallje publike; ministër i Iluzioneve të Integrimit, Zëvendësministër për Rrëfimet Heroike, Sekretar Shteti për Ëndrrat e Shkurtra me Efekt të Madh etj.. Neologjizma që e përmbushin romanin me plot konotacion sarkastik. Personazhe të tillë komikë, duke livruar (lëvizur) e jetuar në një terren flu po kaq komik, krijojnë për lexuesin ndjesi e frymë fluturake plot nënqeshje e përqeshje. Po edhe me ndjesi dhimbjeje në skutat e shpirtit, që mbajnë vulën e sarkazmës së thellë. Çka kishte me qenë edhe thelbi i një letërsie të mirë të kësaj gjinie. Dhe autori e ka arritë këtë pa e pasë të nevojshme t’i krijojë këto gjendje me fantazinë e tij; ato ia dhuron realiteti i përjetuar. E gjitha sa ngjet në roman nuk është thjesht një histori, është e tashme që po ngjet, është diagnoza e një sistemi që ka humbur logjikën, por jo aftësinë për spektakël. Dhe spektakli është sa gazmor aq edhe drithërues.

“SKORJA E NDRYSHKUR”

Dhuntia e spikatur shkrimore e Marash Mirashit veç sa e luçidon farsën e vëzhguar, i heq asaj skorjen e ndryshkun me mjetet e tij stilistike me të cilat e ka pasuruar përvoja e gjatë krijuese me përdorimin e përpunimin me art të fjalës. Boshi i gjithë asaj çfarë ndodh mbushet figurshëm me fantazinë mjeshtrore përshkruese të autorit. Një gjuhë romanore e begatë me sintaksë të zgjedhur që i përcjell kumtet e ngjarjet me një elegancë të pashoqe: Kompjuteri nuk punonte, jo nga mungesa e energjisë, po e arsyes për të funksionuar; zëdhënësja zyrtare e njohur për artikulimin pa përmbajtje, kasaforta qesh me të dy…Diku tjetër: Sipas teorive, minjtë i paraprijnë transformimit. Kur miu hyn, historia del. Dhe kjo e fundit ka filluar të lëvizë… Ky nuk është një duel mes dy burrash. Është një duel mes dy boshllëqeve.. Strategjia e luftës përfshin edhe një marshim simbolik që përzien folklor, mit dhe absurditet zyrtar. E shumë e shumë përzgjedhje leksikore sqimatare të kësisojshme, që e mbajnë lexuesin në një pezulli të ëmbël.

“Në Selinë e Lanës, me një kaçavidë dhe përkrenare… Selia e partisë kthehet në manastir politik. Juli lutet përpara kasafortës, doktori është nisur për luftë.” Kështu përshkruhet Lideri i interjereve të Selisë, ku ruhet vula, ajo copa metalike e kthyer në bestyt. Kurse së jashtmi, Trupat e Doktorit shfaqen të pajisur me shigjeta dhe harqe të mprehtë. Vetë Doktori, dikur njeriu që vuloste historinë, sot endet pas një cope metali, si një fantazmë që kërkon të rikthejë veten në skenën e të gjallëve. Duke ndjekë hullinë e leximit a nuk të vjen këtu një asosacion (bashkëshoqërim) ndjesish e përjetimesh estetike të kohës moderne me satirën e epërme të Servantesit të shekullit të 17, “Don Kishoti” i të cilit është ndër perlat e pakontestuara të letërsisë botërore të kësaj gjinie? E që autorin Mirashi e radhit ndër lëvruesit më në shenjë të kësaj gjinie edhe këndej Fishtës, në radhë me Dritëroin, Kolë Jakovën, Dionis Bubanin, Qamil Buxhelin, Hyskë Borobojkën (pseudonim i Gaqo Veshit), e Paulin Selimin a përpjesshëm edhe me ndonjërin prej romaneve të Stefan Çapalikut. Vetëmjaftueshëm për t’u ndjerë i suksesshëm.

/Gazeta Panorama

© Panorama.al

Te lidhura