TIRANE- Partia Socialiste ka dorezuar dokumentet per regjistrim ne Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke zyrtarizuar pjesemarrjen ne zgjedhjet per pushtetin vendor. Dorezimi i dokumenteve, ne diten e fundit te afatit zyrtar te regjistrimit, u be mesditen e sotme. Pas saj mbylli procedurat per regjistrim edhe PSD-ja. Krahas tyre, mbeten edhe mjaft parti të tjera parlamentare për t’u regjistruar si Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Partia Ligj dhe Drejtësi e Spartak Ngjelës. Ndërkohë, aleati i PS-së që është regjistruar në KQZ është Partia Demokristiane e Nard Ndokës, ndërsa gjatë pasdites në KQZ ka dërguar dokumentet për regjistrim edhe Partia Demokracia Sociale e Paskal Milos.
Aktualisht 37 parti kane konfirmuar pjesëmarrjen në zgjedhjet e 8 majit. Ndërkohë, dje u regjistruan në KQZ edhe 14 parti të tjera. Mësohet se Partia Socialiste do të bëjë sot regjistrimin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për të përmbushur këtë detyrim ligjor dhe formal.
Regjistrimet
Në zgjedhjet vendore të vitit 2007 morën pjesë 48 parti politike. Një shifër e tillë mendohet të jetë edhe në këto zgjedhje, nëse regjistrohen partitë e opozitës. Deri tani janë regjistruar mjaft parti, madje edhe të reja. Mes tyre është Partia Aleanca Demokristiane, e drejtuar nga Zef Bushati. Në këtë mënyrë, do të ketë tri parti Demokristiane, që do të konkurrojnë në këto zgjedhje edhe me Nikoll Lesin e Nard Ndokës. Janë regjistruar edhe dy partitë e Ballit, si Balli Kombëtar Demokrat i Artur Roshit dhe Balli Kombëtar i Adriatik Alimadhit. Për këto zgjedhje janë regjistruar edhe dy Parti Komuniste, por edhe partia e re e drejtuar nga Gjergj Koja, Partia Socialiste e Moderuar.
Nga ana tjetër, KQZ ka bërë të ditur se janë ngritur të 66 KZAZ-të në mbarë vendin dhe ka nisur puna për përgatitjen e zgjedhjeve. PS dhe PBDNJ nuk kanë dërguar ende emrat e anëtarëve të opozitës në KZAZ. Opozita drejton gjysmën e KZAZ-ve, por PS i ka bojkotuar duke vënë kushte për zgjedhje lokale si çështjen e listave dhe rikompozimin e KQZ-së. KQZ, në mënyrë të përsëritur i ka kërkuar Partisë Socialiste dhe Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut të përmbushin detyrimin ligjor dhe të sjellin propozimet për anëtar dhe sekretar të KZAZ-ve. Në 33 KZAZ u emëruan me konkurs 33 anëtarë që i takojnë PS-së dhe në 33 të tjera u emëruan 33 sekretarë sa për të formuar kuorumin prej 4 vetësh, për të marrë vendimmarrjen.
Zëvendësime në KZAZ
Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim propozuan disa zëvendësime anëtarësh në KZAZ, të cilat KQZ i miratoi sipas propozimit të tyre. Kështu u lirua dje nga detyra Denada Kore, sekretare në Gjirokastër, Dhimitër Bime në Korçë, një sekretar në Tiranë. Në këto vende u emëruan Erjon Domi për LSI-në, Roland Haxhia për PD, sekretar dhe Fatjon Ceka, sekretar në një nga KZAZ-të në qarkun e Korçës.
Kodi Zgjedhor
Sipas Kodit Zgjedhor, “çdo parti politike duhet të paraqesë kërkesën për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ, jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor për çdo lloj zgjedhjeje, një parti politike duhet të paraqesë në KQZ: vërtetimin që partia është regjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Tiranë; emrin, mbiemrin dhe adresën e kryetarit të partisë, i cili është personi i autorizuar për të paraqitur kandidatët”.
Partitë e regjistruara
Partia Aleanca Maqedonase për Integrim Europian, AMIE
Lëvizja Socialiste për Integrim, LSI
Partia Lëvizja e Punëtorëve Shqiptarë, PLPSH
Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet, PDIU
Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve të Shqipërisë, PMDPSH
Partia Ardhmëria Shqiptare, PASH
Partia Reformatore Demokratike e Shqipërisë, PRDSH
Partia Aleanca Demokristiane e Shqipërisë, ADK
Partia e Pajtimit Kombëtar Shqiptar, PPK
Partia Demokrate për Integrim dhe Prosperitet, PDIP
Partia Socialiste e Moderuar, PSM
Partia Demoktristiane e Shqipërisë, PDK
Partia Demokracia e Re Europiane, PDRE
Partia e Çështjeve Shqiptare, PÇSH
Erald Kapri
© Panorama.al











