Regjistrimi, Topi: Stop presioneve

Mar 18, 2011 | 9:35

Presidenti Bamir Topi shprehet pro regjis-trimit të popullsisë, por foli për ultranacionalistë që kërkojnë të deformojnë ligjin për këtë proces.Kreu i shtetit u pozicionua dje për herë të parë për debatin disamujor të regjistrimit gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun e tij maqedonas, Gjorgje Ivanov. I pyetur nga gazetarët për këtë çështje, kreu i shtetit shqiptar u shpreh se “ndjeshmëria e madhe publike dhe qytetare, të cilën edhe unë si President, por edhe si qytetar, e ndjek me shumë vëmendje, është sepse nga individë, nga apendikse të qarqeve ultranacionaliste, pavarësisht se nga cili vend, nga cili shtet tentohet që të hidhen parulla, të bëhet një politikë presioni dhe deformacioni të një procesi që duhet të jetë natyral dhe ligjor”. Sipas tij, “kur themi ‘regjistrimi është i domosdoshëm!’, duhet që ky regjistrim të jetë në përputhje të plotë, në radhë të parë me të drejtën bazale të njeriut për t’u shprehur i lirë dhe për të mos qenë në presion, qoftë për shkak të natyrave politike të presioneve apo të interesave të caktuara financiare, ekonomike dhe çdo qëllimi tjetër”. Në të njëjtën kohë Presidenti theksoi se ultranacionalistët nuk do të lejohen të deformojnë ligjin. “Populli shqiptar, institucionet e veta, kanë koshiencë të plotë edhe për këtë proces. Do t’i inkurajojnë që regjistrimi të bëhet në liri të plotë të zgjedhjes, mbi bazën e të gjitha standardeve ligjore, por nuk do të lejojmë që asnjë ultranacionalist, ngado që të vijë, të deformojë ligjin dhe tendencën natyrore dhe legjitime në Shqipëri, sepse Shqipëria është e projektuar në mënyrë shumë të qartë në të gjitha interesat euroatlantike, dhe këtë e ka në radhë të parë mbi bazën e një moderniteti dhe qytetarie që ekziston në mbarë shoqërinë shqiptare”.
Gjatë konferencës për shtyp dy krerët e shteteve biseduan për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, si dhe minoritetet. Kreu i shtetit maqedonas, duke iu referuar problemeve në vendin fqinj me shqiptarët, tha se “shkaku nuk është Marrëveshja kornizë e Ohrit, sepse kjo marrëveshje tani është Kushtetutë dhe, siç tha presidenti Topi, duhet të respektohet rendi kushtetues. Por, ende në hapësirat tona kemi persona që përpiqen të manipulojnë ndjenjat e njerëzve. Dhe ndihet një tendencë e këtyre personave që t’i mashtrojnë njerëzit në bazë të përkatësisë së tyre etnike”.

Berisha: Shkurtohet distanca me Shkupin

Presidenti i Maqedonisë, Ivanov, u takua dje me kryeministrin Berisha, ku një ndër temat e bisedës ishte edhe Korridori 8. “Kryeministri Berisha i bëri të ditur presidentit Ivanov se në 18 muaj qeveria shqiptare do të përfundojë segmentin Tiranë-Elbasan, pjesë e rëndësishme e Korridorit 8 që lidh Tiranën dhe Shkupin, i cili do ta shkurtojë distancën mes dy kryeqyteteve me rreth 100 km”, thuhet në njoftimin për shtyp të Këshillit të Ministrave.

Ivanov flet në Parlament

Gjatë qëndrimit në Tiranë, kreu i shtetit maqedonas ka folur edhe në punimet e djeshme të Parlamentit shqiptar. “Jetojmë në rajon, madhësia e të cilit është në kreativitetin e tij të thellë, në kulturën dhe traditën. Bashkësia maqedonase dhe shqiptare, së bashku me qëllimet tona të nënvizuara europiane dhe euroatlantike, janë ura më e fortë që i bashkon dy vendet tona miqësore; urë, të cilën duhet ta ruajmë së bashku, ta mirëmbajmë dhe ta përforcojmë”, është shprehur Ivanov.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura