TIRANË- Presidenti Bamir Topi ka deklaruar se pavarësisht debatit të gjerë politik e shoqëror lidhur me regjistrimin e popullsisë, “Të jeni të sigurtë se institucionet shqiptare e kanë në koshiencë të fortë këtë proçes. Do të inkurajojmë që regjistrimi të bëhet në liri të plotë të zgjedhjes, por nuk do të lejohet që asnjë ultranacionalist ngado që të vijë, të deformojë ligjin dhe tendencën natyrore dhe legjitime të Shqipërisë , sepse Shqipëria është e projektuar në mënyrë shumë të qartë në interesat euroatlantike”. Deklarata e Topit është bërë pas një pyetjeje nga mediat maqedonase, se përse në formularin e regjistrimit nuk është përmenduar edhe pakica maqedonase.
“Kur fola për të drejtat e pakicave në Shqipëri, u shpreha duke iu referuar Kushtetutës dhe së dyti iu referova konventave ndërkombëtare ku Shqipëria është pjesë. Ne iu referohemi standardeve që ka përcaktuar KE për të drejtat e minoriteteve dhe delegacioneve të KE që monitorojnë”- tha Topi.
Duke theksuar se pavarësisht debatit, asnjë institucion apo individ në vend nuk është shprehur kundër regjistrimit, Topi ka pranuar se “apendikse të qarqeve ultranacionaliste, pavarësisht se nga cili shtet tentohet që të hidhen parulla, të bëhet politikë presioni dhe dezinformacioni të një procesi që duhet të jetë natyral dhe ligjor”.
Sipas Topit, kur thuhet se regjistrimi është i domosdoshëm, ai duhet të jetë në përputhje me të drejtën për t’u shprehur i lirë dhe për mos të qenë në presion, për interesa të caktuara financiare, politike dhe çdo qëllim tjetër.
© Panorama.al











