Regjistrimi, PDIU: Qëndrimi i Greqisë shkel sovranitetin

Mar 4, 2011 | 12:49

TIRANË- Të papranueshme, ndërhyrje që shkel sovranitetin dhe të padenjë e ka quajtur Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet deklaratën e zëdhënësit të Ministrisë të Jashtëm të Greqisë, Jorgo Dhelavekuras, sipas të cilit shtyrja e regjistrimit të popullsisë mund të cenojë integrimin e Shqipërisë në BE, botuar sot ne gazeten “Panorama”.

Përmes një deklarate për mediat, PDIU reagon ashpër për këtë qëndrim, duke theksuar se pas këtij regjistrimi mbi baza etnike e feje mund të fshihet nisja e betejës për Vorio Epirin. Sipas PDIU-së, “shteti grek nuk ka të drejtë të ndërhyjë në një çështje që i përket sovranitetit ligjor të shtetit shqiptar. Shkelja e këtij sovraniteti, sidomos nga një shtet me shumë minoritete të panjohura, që nuk ka kryer kurrë regjistrim mbi baza etnike, përbën një përqasje tragjiko-komike të marrëdhënieve ndërshtetërore Shqipëri-Greqi, që dëmton rëndë imazhin e shtetit grek në sytë e gjithë shqiptarëve, duke dëmtuar si pasojë edhe marrëdhëniet e mira që duhet të ekzistojnë mes dy popujve dhe dy shteteve”

Madje, sipas kësaj partie, pyetjet mbi përkatësinë etnike, fetare dhe gjuhësore nuk përfshihen në pyetësorët e shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian, përfshi shtete që kanë minoritete apo grupime të mëdha etnike dhe gjuhësore, si Greqia, Spanja, Franca, Italia, Gjermania, Belgjika, Zvicra, etj.

PDIU kërkon nxjerrjen me urgjencë të të dhënave nga regjistrat e gjendjeve civile për minoritetin në Shqipëri. Për këtë sipas saj, duhet nxjerrja e rezultateve bazuar në regjistrin kombëtar të gjendjes civile, që është cilësuar nga qeveria shqiptare dhe Bashkimi Evropian si një regjistër model.

“Kjo është mënyra më e mirë që kërkesa e minoritetit për të pasur një numër të plotë dhe real të anëtarëve të tij të realizohet. Në bazë të këtyre të dhënave zyrtare, PDIU është e gatshme të votojë apo qoftë edhe të iniciojë çdo ligj në Kuvend për respektimin e të drejtave të minoritetit”, thuhet në deklaratë.

© Panorama.al

Te lidhura