Këto javët e fundit, po flitet e po shkruhet shumë për regjistrimin e ardhshëm të popullsisë në Republikën e Shqipërisë. Sidomos për regjistrimin shtojcë të njëkohshëm të përkatësisë fetare dhe atë të përkatësisë etnike të shtetasve shqiptarë. Mendimet janë të ndryshme, të ndara, të pjesshme: Disa shprehen se duhen bërë të tria këto regjistrime njëherazi, të tjerë gjykojnë se duhen bërë vetëm dy prej tyre: ai i popullsisë dhe ai i përkatësisë etnike, por jo ai i përkatësisë fetare, të tjerë akoma këmbëngulin që të bëhet vetëm regjistrimi i thjeshtë i popullsisë.
Sigurisht, që ky debat duhet zhvilluar pa pasion, me një frymë racionale, në mënyrë që të jetë i frytshëm. Për këtë qëllim, po i lejoj vetes të shfaq disa ide të qarta për t’u kuptuar edhe nga një adoleshent.
Le ta nisim nga varianti më thjeshtë, pra, nga i treti. Vërtet që regjistrimi i thjeshtë i popullsisë, në vështrim të parë, duket si i mangët, sepse në kuadrin e mbrojtjes së pakicave etnike nga diskriminimet dhe padrejtësitë e mundshme, regjistrimi i tyre mund të rezultojë i dobishëm. Por këtu del një problem ende i pazgjidhur: që të pohohet ekzistenca e një pakice etnike, cili duhet të jetë zyrtarisht numri dysheme i shtetasve të asaj përkatësie etnike? Shembull: nëse sot në Shqipëri ka, ta zëmë dhjetë pakistanezë që kanë marrë shtetësinë shqiptare, a përbëjnë ata mirëfilli një pakicë etnike? Po në qofshin njëqind? Një mijë? Dhjetë mijë? Shembull: në Worcester, pranë Bostonit të SH.B.A-së, thuhet se jetojnë pesë mijë shqiptarë, që kanë marrë shtetësinë amerikane. Lind pyetja: A konsiderohen ata si pakicë kombëtare? Kur regjistrohet popullsia amerikane, a e shënojnë këta shqiptaro-amerikanë në formular përkatësinë e tyre etnike? Po kështu, në vendet fqinjë me tonin, a ka pakica etnike shqiptare? Në regjistrimet e popullsisë atje, a shënohet kjo përkatësi? Shembull: sa “minoritarë” shqiptarë ka në Greqi? Si trajtohen në këtë drejtim pasardhësit e arvanitasve të dikurshëm? Po ata që kanë marrë kohët e fundit shtetësinë greke, ndonëse nuk janë minoritarë grekë të ardhur nga Shqipëria? Së fundi, del edhe një problem tjetër, ai i vendosjes së një lidhjeje të drejtpërdrejtë midis përkatësisë etnike dhe asaj fetare. Shembull: a ka shtetas shqiptarë myslimanë që të kenë marrë shtetësinë greke pa u kthyer detyrimisht në ortodoksë? Dalim kështu, nga filli në gjilpërë, tek regjistrimi i përkatësisë fetare. Këtu përballemi, pra, me variantin e dytë, d.m.th. me regjistrimin vetëm të popullsisë dhe të përkatësisë etnike të saj (sigurisht pasi t’u jepet një përgjigje shteruese pyetjeve që sapo shtrova), por jo të përkatësisë fetare. Përse jo? Sepse Republika e Shqipërisë, sipas Kushtetutës së saj, është një shtet laik, domethënë i ndarë nga feja, e cila është çështje private e çdo shtetasi ose grupi shtetasish. Çka detyrimisht hedh poshtë variantin e parë, pra, atë të regjistrimit edhe të popullsisë, edhe të përkatësisë etnike, edhe të përkatësisë fetare njëherazi. Për hir të së vërtetës duhet pranuar që feja dhe shqiptarët janë dy pole fort të largëta, pa ndonjë lidhje të ngushtë me njëri-tjetrin: kështu, historikisht, shqiptarët kanë ndërruar fe sa herë që trojet e tyre janë pushtuar nga të huaj të një feje tjetër; historikisht, feja e tyre ka qenë ose paganizmi, ose shqiptaria, ose pragmatizmi ekzistencial; nga ana tjetër, për rreth pesëdhjetë vjet rresht, në Shqipërinë komuniste pati një përzierje sistematike të feve nëpërmjet martesave ndërfetare, nëpërmjet bashkëjetesës ndërfetare të banorëve të të njëjtit pallat, të së njëjtës lagje, të të njëjtit fshat, qytet e krahinë: me ndonjë përjashtim të rrallë, nuk ka pasur e nuk ka në fshatrat dhe në qytetet tona, lagje muhamedane, ortodokse, apo katolike. Së fundi, pas shembjes së komunizmit, në Shqipëri pati individë që ndërruan fe ose përqafuan besime fetare të reja për vendin si protestantizmin, fenë bahai, atë mormone e budizmin, pa llogaritur sektet si ai i Dëshmitarëve të Jehovait. Në Shqipëri, përveç atyre që besojnë dhe frekuentojnë pak a shumë rregullisht institucionet fetare, ka edhe besimtarë që nuk i sheh kurrë në këto institucione, ka edhe ateistë, agnostikë, besimtarë me hope, besëtytë etj., etj., të cilët, herë-pas here ndërrojnë pozicion duke hequr dorë nga besimi, mosbesimi apo mëdyshja e tyre për të përqafuar pozicione të tjera, madje nganjëherë edhe të kundërta. Rrjedhimisht, përkatësia fetare në Shqipëri më ngjan të jetë diçka si lëvizja brauniane, me një fjalë diçka që ndryshon apo evoluon aq papritmas e në mënyrë aq tekanjoze, saqë evidentimi apo regjistrimi i saj, qoftë edhe për qëllime statistikore, nuk mund të jetë krejt i besueshëm ose në rastin më të mirë, mund të jetë i besueshëm gjithë-gjithë për një periudhë të shkurtër kohe.
Si përfundim, ashtu siç e lë të nënkuptohet vetë titulli i këtij shkrimi pa pretendime shteruese të temës së trajtuar, unë dyshoj fort se regjistrimi në fjalë diku fsheh një rreng që rrezikon, jo rastësisht, t’i luhet shoqërisë shqiptare nga qarqe të caktuara me synim arritjen e disa qëllimeve gjysmë të nëndheshme, demaskimi i të cilave përbën pa dyshim, të paktën për mua, një përparësi. Për këtë arsye, e konsideroj veten si nënshkrues të peticionit të nënshkruar nga pesëdhjetë intelektualë shqiptarë për heqjen e rubrikave të regjistrimit të përkatësive etnike e fetare nga formulari i regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë në Republikën e Shqipërisë. Për të njëjtën arsye, e konsideroj gjithashtu veten si anëtar të Shoqatës së Patriotëve të Rinj, pavarësisht moshës sime të thyer.
© Panorama.al












