NGA REDI SHEHU 
Gjithçka që dinim rreth dhunës është përmbysur tashmë. Gjithçka që dinim rreth vrasjes është zhvlerësuar tashmë. ë tretur tashmë dhe gjithçka që dinim rreth vdekjes është vrarë tashmë. Në Gaza po përmbysen konceptet tona. Ne, thjesht paskemi jetuar brenda një tullumbaceje vlerash, e cila nuk i rezistoi gjembit të parë me të cilin u ndesh. Iluzionit të të jetuarit brenda një hipnoze shoqërore të universalitetit të sakrificës, të ndërkombëtarizimit të konsensusit dhe të reagimit parandalues, duket se i ka ardhur fundi. Ndoshta është më mirë. Më mirë se sa të jetosh brenda një bote iluzive i papërgatitur për traumën që të pret, sepse më mirë të jesh në muzgun e një sistemi hipokratik, se sa në agimin e tij, sigurisht, më mirë se sa një rend i cili përpiqet vazhdimisht të vrasë kujtesën e të gjithëve ne. Tashmë gjërat duken qartë. Gaza e gjeti të papërgatitur sistemin ndërkombëtar për të ndërtuar alibinë e vet. E fotografoi ashtu lakuriq me të gjithë shëmtinë, të cilën askush prej nesh nuk e shihte. E ekspozoi ditë pas ditë, javë pas jave dhe muaj pas muaji në kapjen fatale të tij nga një grusht njerëzish qëllimin e fshehtë të të cilëve e sheh tashmë qartë në muret e rrënuara të qytetit, si dhe në fytyrat e vyshkura prej urisë të banorëve të saj. Në Gaza nuk ka vetëm gjenocid do të thoshte Soulayma Mardam Bey dhe Tatiana Krotoff, në “L’Orient le Jour”, atje ka “Urbicide” (vrasje e qyteteve), “domicide” (vrasje e banesave), “ekocide” (vrasje e ambjentit), “scholasticide” (vrasje e shkollave), “culturicide” (vrasje e kulturës), “futuricide” (vrasje e së ardhmes).
Pyetja legjitime që të vjen menjëherë në mendje është se çfarë mund të ketë përtej asaj që ndodh në Gaza dhe në Palestinë. Ku janë kufijtë e njerëzimit? Cili është fundi me të cilin ne përkufizojmë veten tonë si qenie njerëzore? Përgjigjen e këtyre pyetjeve fatkeqësisht nuk e gjetëm dot në Gaza dhe do vazhdojmë të mos e gjejmë. Ekstremizmi fetar nuk na paska qenë e vetëm i një krahu, për të cilin me dekada ka gëluar media, por paska qenë thjesht maskë për të fshehur ekstremin me të cilin i gjithë sistemi qe mbrujtur deri në palcën e tij. Kjo që ndodh ne Gaza, me orkestrimin e urisë si mjeti themelor i gjenocidit, i cili drejton kah eliminimi, është një përsëritje e Auschwitz-it në kohët moderne, pa pasur nevojën e një komande naziste, por me institucione ndërkombëtare dhe me retorikë të luftës kundra terrorizmit. Psikologu i famshëm hebre Gabor Mate, familja e të cilit qe zhdukur në Auschwitz, tregon se gjermanët përdornin urinë deri në ekstrem, pastaj për të realizuar spastrimet etnike, u ofronin të uriturve copa buke me reçel me kushtin e vetëm që të hipnin në trenat e vdekjes. Sot, përdorimi i urisë ndaj palestinezëve, duke i grumbulluar qëllimisht në pak zona shpërndarjeje me qëllim pastrimin e pjesës tjetër të territorit, është një kopje perverse e ndërtuar në një Auschwitz të hapur si Gaza, por me ndryshimin që në vend të reçelit, u jepen plumba. Ajo që habit të gjithë është apatia e Perëndimit kolektiv ndaj sprovës më të madhe që ai ka hasur në raport me ngrehinën që vetë ndërtoi pas Luftës së Dytë Botërore.
Ekziston një justifikim i heshtur që merr trajtat e një alibie ndaj gjenocidit. Më 21 nëntor të 2024, Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve lëshoi urdhër arresti për Netanjahun, ku një ndër akuzat ishte edhe përdorimi i urisë si armë. Kjo ka ndodhur më pak se një vit më parë, në kohën ku akoma kishte ushqim në Gaza. Asgjë nuk u bë, dhe ja tani, kemi gjendjen më të rëndë humanitare në historinë moderne të botës. Duket se refuzimi ndaj gjenocidit nuk kishte qenë kurrë një ndjenjë e vërtetë. Ka qenë pjesë e literaturës, gazetarisë dhe teksteve ligjore, por kurrë nuk paska qenë pjesë e softit të qytetërimit, i cili më së shumti e prodhoi atë gjatë kolonizimeve dhe dy luftërave botërore. Nga krahu tjetër, gjendja e popujve arabë dhe myslimanë duket sikur ka ngelur një kopje e pandryshuar e rezonancës koloniale, e cila edhe pse fizikisht nuk është më aty, ka lënë pasojat e kolonizimit të mendjes, ndërgjegjes dhe moralit shoqëror të atyre vendeve. Pafuqia dhe pamjaftueshmëria nuk janë produkt vetëm i rrethanave sociale, më së shumti janë produkt i rrethanave mendore dhe besimore, të cilat përthyhen në pranimin në heshtje të poshtërimit, fyerjes dhe degradimit. Prandaj, ajo që ndodh në Palestinë tash e 76 vjet, dhe ajo që ndodh në Gaza, duket sikur është një fat i parashkruar në mendjet e myslimanëve, një destin gati-gati i normalizuar, sepse mendja koloniale është mësuar me myslimanin që vuan, shkatërrohet digjet e vritet dhe asgjë e askush nuk mund të jetë përgjegjës. Zhvillimet e kohëve të fundit nuk janë thjesht përpjekjet për të mbijetuar të një populli martir dhe guximtar si palestinezët, por janë përpjekjet e të gjithë myslimanëve për t‘u çliruar nga kurthi shekullor i mpirjes, amnezisë dhe përgjumjes koloniale.
Nëse Perëndimi kolektiv ka sot një përplasje të brendshme, e cila e dyzon mes qytetërimit liberal demokratik dhe mendësisë koloniale që i vërtitet sipër kokës si një fantazmë e së shkuarës, Lindja heterogjene myslimane përpiqet të dalë nga makthi i mendjes së kolonizuar drejt vlerave humane të fesë në të cilën beson. Duket se rruga e të ftilluarit të dy krahëve të botës, po përcaktohet nga një grup i vogël njerëzish që i detyron të kalojnë doemos përmes humnerës së luftës dhe krimit. Në mes të Perëndimit dhe Lindjes ndodhet një qeveri, e cila të gjithë këtë përplasje mundohet ta ushqejë përmes justifikimi me terrorizëm, i cili lehtësisht dekonstruktohet thjesht me lejimin e mediave ndërkombëtare që të hyjnë në Gaza, është po kjo qeveri që ushqen mentalitetin e gjenocidit. Sipas sondazhit të organizuar nga akademiku izraelit Tamir Sorek, profesor i Universitetit të Pensilvanisë në bashkëpunim me kompaninë izraelite të sondazheve “Geocartography Knowledge Group”, realizuan një matje në mars të 2025 dhe të botuar në gazetën izraelite “Haretz”, ku sipas të dhënave dilte se 82% e izraelitëve janë pro spastrimit etnik në Gaza dhe 47% e tyre dëshirojnë vrasjen e çdo burri, gruaje dhe fëmije atje. Kaq mjafton që kjo matje shkencore të na japë një arsye më se logjike dhe të mjaftueshme që civilizim perëndimor dhe ai lindor të kuptojnë se aleanca mes tyre është e vetmja mënyrë për të ruajtur globin nga përçarja, dhuna dhe degradimi. Këtë, jo thjesht duke deklaruar se do njohim Palestinën (që në vetvete është një akt i drejtë dhe i moralshëm), por duke ndërprerë furnizimet si dhe duke vënë nën embargo Izraelin. Këto do ishin masa që realisht do tregonin se Perëndimi e ka seriozisht shqetësimin dhe jo thjesht një maskë për të mbuluar mëkatet e së shkuarës.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al











