Të ndihmuar nga bombardimet e ndërkombëtarëve, ushtria e rebelëve libianë që përfshin mes të tjerësh edhe studentë e mësues, është afruar më në perëndim të vendit, duke shkuar deri në kufi të Tripolit.Ata kanë arritur të rimarrin qytetet e rëndësishme si Brega, Uqayla, Ras Lanuf dhe Bin Jauad, të gjitha me burime nafte, ndërsa janë udhëhequr nga bombardime të furishme artilerie të koalicionit ndërkombëtar kundër forcave të Gedafit, pa iu dashur kështu të përballeshin me ndonjë betejë në tokë. Forcat qeveritare u larguan vetë. Në fund të ditës, rebelët ishin fare afër Sirtes, baza kryesore e Kolonel Gedafit dhe shtëpia e lindjes së tij. Udhëtimi i rebelëve ka nisur të dielën nga rruga jashtë qytetit Benghazi. Tanket dhe artileritë ende nxirrnin tym në qytetin Ajdabiya të dielën, pasi ishin qëlluar nga avionët “RAF Tornado”. Edhe jashtë Ras Lanufit ka pasur bombardime të tjera të mjeteve ushtarake, të cilat janë bërë të pavlefshme. Koalicioni ndërkombëtar ka sulmuar gjatë natës forcat besnike të Muamar Gedafit, përgjatë të gjithë rrugës që lidh qytetin Ajdabiya me Sirten. Lajmin e ka konfirmuar edhe një zëdhënës i qeverisë. Sipas tij, ka “shumë viktima në ushtarë dhe civilë nga sulmet me predha”. Por, Presidenti Obama ka deklaruar se ndërhyja e koalicionit ndërkombëtar ka ndihmuar për të shpëtuar mijëra jetë që do të merreshin nga forcat e Gedafit. Në sulmet e tyre, avionët francezë kanë shkatërruar pesë avionë të forcave libiane dhe dy helikopterë. Zëdhënësi i ushtrisë franceze në Libi tha se avionët ndodheshin në një bazë ajrore në Misurata. Sipas “Reuters”, luftimet në terren kanë ndaluar menjëherë, pasi avionët e forcave aleate u panë në qiellin e Misuratës. Sipas autoriteteve libiane, gjatë bombardimeve kanë mbetur të vrarë rreth 100 civilë. Por sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts, duke iu referuar informacioneve të shërbimeve sekrete, tha se forcat e kolonelit kanë marrë trupat e vrarë gjatë sulmeve të tyre dhe i kanë vendosur në zonat e bombarduara, për të fajësuar forcat e koalicionit. Kryengritja e libianëve nisi në mes të shkurtit, duke kërkuar fundin e pushtetit 40-vjeçar të kolonelit 68-vjeçar, Muamar Gedafi. Ndërkohë, në Sirte pritet të kryhen të tjera luftime të ashpra gjatë natës me bombardime të koalicionit, nëse do të ketë sërish mjete të rënda luftarake të Gedafit që do të nisen në ndërhyrjen kundër rebelëve. Sidoqoftë, mediat ndërkombëtare, bazuar në burimet e tyre, thonë se beteja më e fortë mes rebelëve dhe forcave të Gedafit do të jetë në Sirte, pasi ky qytet është hapi i fundit që i ndan nga Tripoli, ndërkohë, jozyrtarisht janë shtuar zërat se Libia mund të ndahet më dysh, në zona të qeverisura nga qeveria rebelë dhe në zonat e qeverisura nga Gedafi. Për hir të së vërtetës, ka shumë njerëz që e mbështesin liderin libian, duke dalë në rrugët e Tripolit për të sakrifikuar veten në mbrojtje të tij. Ende ky variant nuk është shpallur zyrtarisht, por thuhet se përflitet në tryezat e liderëve.
56 per qind
e gjermanëve besojnë se Kancelarja Anxhela Merkel ka marrë vendimin e duhur për të mos u përfshirë në luftën në Libi edhe pse brenda vetë partisë së saj, CDU-ja ka pasur kritika të ashpra për këtë vendim.
21 trupa
janë gjetur dje pas luftimeve të forcave qeveritare në qytetin Adjabiya, sipas një mjeku të qytetit, Osama Al-Qasy, i cili shtoi se numri i të vrarëve është më i lartë, pasi rreth e rrotull rrugëve ka cipa trupash
Incidenti
Në hotelin “Rixos Al Nasr” në Tripoli, ku po qëndrojnë gazetarët e huaj, dje ka hyrë brenda një grua e terrorizuar duke deklaruar se ishte përdhunuar dhe torturuar nga djali i një zyrtari të lartë të Gedafit. Ndrysa ajo tregonte se çfarë i kishte ndodhur, njerëz të pushtetit kanë hyrë në hotel dhe e kanë marrë brutalisht atë, ndërsa gazetarët kanë ndezur menjëherë kamerat, duke filmuar ngjarjen. Iman al-Obeidi, gruaja e përdhunuar, u arrestua nga forcat e sigurisë. Zëdhënësi i qeverisë tha se askush nuk duhet të shqetësohet për të, pasi thjesht do të merret në pyetje, por ata nuk e lejuan të merret në pyetje nga gazetarët.
Armëpushim!
Regjimi i Muamar Gedafit ka kërkuar ndaljen e bombardimeve ajrore nga koalicioni ndërkombëtar. Ata vazhdimisht akuzojnë se nga bombat po vriten civilë dhe ka lëshuar një apel të ri për një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Apeli erdhi dje, pas një nate të gjatë bombardimesh nga ana e koalicionit, të cilat thuhet se kanë ndihmuar rebelët të avancojnë drejt Tripolit. Një zëdhënës i qeverisë së Gedafit, i ka cilësuar sulmet si “të përgjakshme, imorale dhe ilegale”. “Kërkojmë ndalimin e menjëhershëm të bombardimeve ajrore dhe një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, u shpreh zëdhënësi.
Dilemat në NATO: Kush përfshihet në mision?
NATO mori komandën e misionit nga SHBA-ja dhe drejtimi i operacionit “Odiseja në agim” kalon nën drejtimin e Gjeneral-Lejtantit, kanadez, Charles Bouchard. Kjo u vendos dje në takimin e Këshillit të Aleancës Veriatlantike. Por brenda NATO-s mbetet ende një dilemë. Franca ka kërkuar që, nëse mendon se Aleanca nuk ka agresivitet të mjaftueshëm, ajo mund të nisë vetë misionet e saj. Dje në Bruksel u takua Këshilli i NATO-s për të vendosur se sa thellë do të ndërhyjë për të vendosur zonën e ndalim-fluturimit në Libi. Uashingtoni ka treguar shumë dëshirë për të kaluar sa më shpejt misionin në duart e një tjetër drejtuesi. Është vendosur plotësisht, se NATO do të marrë komandën e plotë, përfshirë embargon e armëve, zonën e ndalim-fluturimit dhe bombardimet ajrore. Problemi tani mbetet te detajet, të cilat mund të vendosin mënyrën se si do të vazhdojë misionin. Por ka ndryshime të mëdha mbi kontrollin politik të misionit, të cilat pritet të zgjidhen në një konferencë të martën në Londër, ku do të përfshihen të gjitha palët. Konferenca e Londrës do të vendosë një grup kontakti që përfshin OKB-në, Ligën Arabe, Unionin Afrikan dhe anëtarë të opozitës libiane. Ky takim duhet të vendosë mbi nevojat humanitare të vendit dhe të ardhmen e tij politike, por edhe mundësinë e madhe të ndarjes. Do të ketë edhe një takim tjetër në Londër, të një grupi të vogël që ka synim të ushtrojë guidën ditore politike mbi fushatën ushtarake. Por mbetët për t’u vendosur nëse ai do të përfshijë Këshillin e NATO-s dhe aleatët arabë, apo, siç insiston Franca, vetëm “Koalicionin e vullnetit”, duke përjashtuar kështu Gjermaninë dhe Turqinë.
Lufta në Libi, prej një filozofi?
Një filozof francez, akuzohet se ka ndërhyrë në çështjet e shtetit pasi ka bindur Presidentin Nikolas Sarkozi për të njohur Komitetin Nacional të rebelëve si qeveri legjitime dhe të nisë luftën e ndërkombëtarëve në Libi. Bernard-Henri Levy, filozofi 62-vjeçar francez, ka provokuar polemika politike. Ai ka marrë pseudonimin “ministri i Jashtëm B” dhe besohet se ka qenë guida e Sarkozisë në “zhurmën diplomatike” për të siguruar mbështetje ndërkombëtare kundër Muamar Gedafit. “Çfarë ka ndodhur, është më e rëndësishme se fjalët”, tha ai. “Unë ndihmova evitimin e lumit të gjakut në Benghazi”, shtoi. Sipas revistës “Le Point”, aventura e Levysë në Libi nisi përpara se ai të largohej nga ky vend. Ai i ka telefonuar Sarkozisë, duke e pyetur nëse i interesonte kontakti me rebelët. Përgjigja ishte, “Po”. Pas vendosjes së kontaktit të parë, telefonatat për Sarkozinë janë shtuar nga rebelët, deri sa u sigurua edhe njohja e qeverisë paralele. Levy ka nxehur edhe ministrin e Jashtëm francez, Alain Jupe, i cili nuk i njihte të gjitha detajet. “Nikolas Sarkozi më ka telefonuar menjëherë pas vendimit të OKB-së. Ishte ora 11:30 e darkës. Ai më tha: Ne fituam!”, tha filozofi.
© Panorama.al











