Raundi i katërt, Kosovë-Serbi afër marrëveshjes

May 18, 2011 | 9:29

BRUKSEL- Kosova dhe Serbia mund të arrijnë sot marrëveshjen e parë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

Edita Tahiri ka thënë se pret një marrëveshje kornizë për çështjet energjetike dhe atë të lëvizjes së lirë. Në ditën e dytë të takimit në Bruksel, palët do të diskutojnë për dy tema të reja.

“Sa i takon asaj se çfarë pres unë të mërkurën, mendoj se mund të vijmë deri tek arritja e një marrëveshje kornizë për çështjet energjetike dhe atë të lëvizjes së lirë”, ka thënë ajo, gjatë një bisede telefonike, cituar nga Express.

Në prononcimet e mëhershme, shefja e delegacionit kosovar ka bërë të ditur se për çdo çështje që prek të dyja shtetet do të vlejë parimi i reciprocitetit për secilën zgjidhje. Kjo ka qenë kërkesë e delegacionit të Kosovës në ballafaqimet e mëhershme me palën serbe.

Pas përfundimit të takimit në Bruksel, të ndërmjetësuar nga Robert Cooper, zëvendëskryeministrja Tahiri përmendi çështjet ku ka pasur përparime.

“Sot kemi diskutuar për çështjet e hapura nga takimet e mëparshme. Veçanërisht jemi ndalur te lëvizja e lirë, tregtia e lirë, pastaj tek energjia dhe telekomunikacioni. Mund t’ju them se përafrime të qëndrimeve ka në çështjen e lëvizjes së lirë, të energjisë dhe telekomunikacionit. Por edhe për tregtinë e lirë, situata është mjaft optimiste”, ka thënë ajo.

Stefanoviq tha se me Prishtinën nuk pajtohen për statusin, por nënvizoi nevojën që të zgjidhen çështjet praktike.

“Respektojmë faktin se ne dhe Prishtina kemi qëndrime krejtësisht të kundërta për statusin, por këto probleme duhet të zgjidhen për të mirën e njerëzve”, tha ai.

I pyetur nëse statusi paraqet problem në dialogun teknik, Stefanoviq tha se është pala kosovare ajo që po përmend statusin, e jo Serbia.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Natasha Batler, e pyetur nëse Komisioni i ka vënë Serbisë përmirësimin e raporteve me Kosovën si kusht për anëtarësim në BE, ka thënë se “Serbia duhet të normalizojë raportet me Kosovën, po qe se do që të anëtarësohet”.

© Panorama.al

Te lidhura