Rasti ‘Limaj’, prokuroria reagon për imunitetin

Mar 19, 2011 | 12:35

PRISHTINE- Prokuroria e Shtetit ka sqaruar gjithçka sa i përket çështjes së imunitetit për deputetin e Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj.

Kryeprokurori Ismet Kabashi ka thënë se asnjë deputet, duke përfshirë edhe Fatmir Limajn, nuk gëzon imunitet për veprimet e kryera para se të bëhej deputet.

Sipas Prokurorisë, deputetët gëzojnë imunitet nga ndjekja penale vetëm për veprimet e tyre të ndërmarra në kuadër të fushëveprimit dhe përgjegjësive të tyre si deputet.
“Prokuroria e Shtetit vlerëson se nuk ka bazë ligjore për të kërkuar heqjen e imunitetit për ndjekje penale për të cilën vepër deputeti nuk gëzon imunitet”, thuhet në një njoftim të lëshuar për medie nga Prokuroria e Shtetit.

Sipas njoftimit, kjo çështje është e rregulluar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me Ligjin nr. 03/L-11 për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit.

“Organi që zbaton procedurën penale nuk është i detyruar të vërtetojë sipas detyrës zyrtare se a gëzon një person imunitet apo jo dhe nga personi që gëzon imunitet varet se a do thirret në imunitet”, thuhet ndër të tjera në sqarimin e Prokurorisë.
Tutje, sipas njoftimit, thuhet se deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk mund të arrestohet dhe as të ndalohet përderisa është duke kryer detyrat e deputetit, pa pëlqimin e shumicës së të gjithë deputeteve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Çështja e kërkesës për pëlqimin e Kuvendit për arrestimin apo ndalimin e deputetit nuk është në kuadër të fushëveprimit dhe detyrave te Kryeprokurorit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit.

Në të njëjtën kohë, zyrtarë të EULEX’it i kanë bërë ftesë Qeverisë së Republikës së Kosovës që ta mbështesin këtë mision për arrestimet e fundit.

© Panorama.al

Te lidhura