
Sekretari i NATO-s, Anders Rasmusen, i cili jo pa qëllim ka vizituar Prishtinën një ditë para se të zbatohet marrëveshja për vendosjen e doganierëve kosovarë në pikat kufitare me Serbinë, paralajmëroi se NATO do të përdorë çdo mjet për të penguar dhunën në Kosovë.Ai vlerësoi se Aleanca Veri-atlantike nuk i përkrah vendimet e njëanshme të institucioneve të Kosovës, por i ka dhënë mbështetje qeverisë për të mos u kthyer në situatën para 25 korrikut. Pas takimit që ka pasur me Kryeministrin Hashim Thaçi, Rasmusen ka deklaruar se nuk ka kthim prapa, pasi NATO ka investuar për dymbëdhjetë vjet për rend dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ai është zotuar se trupat e KFOR-it do të veprojnë në bazë të mandatit, duke mos e mohuar edhe përdorimin e forcës. “Nuk do të komentoj për operacionin, detajet e tij, por trupat e KFOR-it do të veprojnë në vetëmbrojtje dhe në atë që e thashë, për të garantuar një ambient të qetë dhe sigurt”, theksoi Rasmusen. Kryeministri Thaçi ka përsëritur qëndrimin e qeverisë, se plani për vendosjen e doganierëve dhe policëve në Veri do të zbatohet më 16 shtator. Presidenti serb, Boris Tadiç, tha dje se “veprimet e njëanshme të Prishtinës, të paralajmëruara për të premten, mund ta kërcënojnë seriozisht paqen dhe stabilitetin e gjithë rajonit. Kështu do të legjitimohej ndarja e dhunshme dhe shkatërrimi i kufijve të një shteti sovran”. Ndërkohë, Kryeministri Hashim Thaçi ka pranuar dje, gjatë një interviste me “Kosova sot”, se ai e ka takuar më shumë se dy herë Presidentin e Serbisë, Boris Tadiç, madje i kanë dhënë edhe dorën njëri-tjetrit. Por kjo nuk ka ndodhur aspak në vende të fshehta, siç e ka komentuar Wikileaks, por në takimet e shumta ndërkombëtare, ku atij i duhej të sillet si burrështetas. “E vërteta është se nuk kanë ndodhur dy takime, por shumë më shumë takime në konferencat e ndryshme ndërkombëtare, si në Vjenë, Bruksel, Nju Jork dhe vende të tjera. Ato kanë qenë konferenca ndërkombëtare, ku nuk ka munguar as dorë-shtrëngimi. Prandaj, ne duhet të sillemi si burrështetas e jo si qyqarë. Nuk ka ç’të fshihet, nuk jemi të vetmit që jemi takuar me Presidentin Tadiç. Kemi pasur edhe dreka, edhe darka tërë delegacioni kosovar”, tha Thaçi.
Ambasadorët e Quint-it takojnë Thaçin
Ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së u takuan dje me Kryeministrin Hashim Thaçi, për të biseduar lidhur me zbatimin e procedurave të reja doganore, më 16 shtator. “Ambasadorët shprehën mirënjohjen e tyre për mënyrën se si qeveria e Kosovës ka bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë dhe kanë nxitur qeverinë kosovare që të vazhdojë këtë bashkëpunim për të konsoliduar autoritetin e Kosovës në porta gradualisht dhe qetësisht gjatë një periudhe kalimtare”, thuhet në komunikatën e tyre.
Takimi në ks
Vendet e Këshillit të Sigurimit kanë zhvilluar mbrëmë një takim me dyer të mbyllura për Kosovën, me një kërkese mjaft insistuese nga Rusia dhe Serbia, për të diskutuar mbi gjendjen në Veri dhe dërgimin e doganierëve kosovarë atje, një hap që Serbia e quan të papranueshëm. Kërkesa është dërguar në KS, me synimin që takimi të mbahej para 16 shtatorit, kur hyn në fuqi marrëveshja e qeverisë së Kosovës me KFOR-in dhe EULEX-in. Pjesa më e madhe e vendeve të KS-së e mbështesin Kosovën dhe nuk pritet të merret ndonjë vendim për të ndaluar vendosjen e zyrtarëve kosovarë në doganat e kufirit me Serbinë.











