Rama: Zgjedhjet, ndryshe nga 2009

Mar 23, 2011 | 11:21

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian, e nisi mëngjesin shqiptar me një takim në Presidencë, ku u takua me Kreun e Shtetit, Bamir Topi.Pas një takimi që zgjati rreth një orë, Presidenca zbardhi mesazhet e dhëna nga Miroslav Lajçak. “Partitë të respektojnë institucionin e zgjedhjeve dhe të pranojnë rezultatin”, mësohet t’i ketë thënë Lajçak Presidentit Topi. “Respektimi i institucioneve të shtetit, i zgjedhjeve dhe pranimi i rezultateve, është shprehje e demokracisë dhe e ekuilibrit, me një rëndësi të jashtëzakonshme për demokracinë aktuale dhe të ardhmen europiane të vendit dhe mbarë popullit shqiptar”, ka deklaruar drejtori Ekzekutiv i Shërbimit të Jashtëm në Bruksel. Lajçak ka mbështetur rolin e Presidentit, sidomos mesazhet dhe apelet e tij të përsëritura, të cilat janë në sintoni të plotë edhe me apelet e BE-së dhe të partnerëve ndërkombëtare. Nga ana e tij, Presidenti ka përsëritur qëndrimin e tij për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme vendore, të dekretuara për t’u mbajtur më 8 maj 2011, sipas të gjitha afateve kushtetuese dhe ligjore. Duke u fokusuar në situatën politike, të dy bashkëbiseduesit “nënvizuan nevojën dhe rëndësinë e gjetjes sa më të shpejtë të dialogut konstruktiv institucional mes forcave politike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të pushtetit vendor, në mënyrë që ato të jenë sa më demokratike, të drejta, korrekte, sipas standardeve dhe që rezultatet të pranohen nga të gjitha palët”, thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës. Më pas, i dërguari i BE-së zhvilloi një takim me kryeministrin Berisha. Në këtë takim, zoti Lajçak mori sigurinë se qeveria do të angazhohet që zgjedhjet vendore të zhvillohen sipas standardeve europiane, të lira dhe të ndershme. “Qeveria shqiptare dhe partitë e maxhorancës qeverisëse, u shpreh kryeministri Berisha, mbeten tërësisht të angazhuara dhe po punojnë me seriozitetin maksimal për trajtimin e problematikës së ngritur nga rekomandimet në raportin e OSBE/ODIHR-it, që zgjedhjet e 8 majit të jenë më të mirat të realizuara në Shqipëri” citohet t’i ketë thënë kryeministri Berisha, zotit Lajçak, informon zyra e shtypit pranë Kryeministrisë. Në përfundim të axhendës së tij në Tiranë, Lajçak u takua edhe me kreun e opozitës, Edi Rama. Tema kryesore e takimit ishte procesi i ardhshëm zgjedhor dhe procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjatë takimit, Rama theksoi edhe njëherë nevojën për të patur një proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor, që ndryshe nga zgjedhjet e vitit 2009, do të plotësojë të gjitha standardet e nevojshme. Lideri i opozitës nënvizoi disa prej masave që duhen ndërmarrë për të rikthyer besimin e shqiptarëve tek e drejta e votës dhe zgjedhjet e lira si dhe, njëkohësisht, e siguroi të dërguarin e Ashton, për gatishmërinë dhe angazhimin e Partisë Socialiste dhe Opozitës së Bashkuar për të bërë gjithçka ka në dorë në drejtim të një procesi të ardhshëm zgjedhor, të standardeve të plotësuara.

Kushtet e socialistëve

Partia socialiste, edhe pse jo zyrtarisht, i ka shprehur të dërguarit të posaçëm të BE-së disa kushte që do të garantonin zgjedhjet e 8 majit. Sipas socialistëve, kërkohet një rikompozim i KQZ-së, e cila duhet të formatohet sipas përbërjes së Kuvendit, 2 anëtarë të PS-së, dy të PD-së, një i LSI-së dhe një i PBDNJ-së, ndërsa anëtari i shtatë të jetë konsensual. Gjithashtu, socialistët kërkojnë akses tek përditësimi i listave zgjedhore, pasi sipas tyre po bëhen zhvendosje të zgjedhësve në mënyrë fiktive drejt Tiranës. Ndërsa, identifikimi elektronik i kartës së identitetit, është një tjetër element sigurie që socialistë kërkojnë për 8 majin.

Komisioni hetimor i 21 janarit
I dërguari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, e vuri theksin dje gjatë fjalës së tij në përfundimin e hetimit nga Komisioni Hetimor Parlamentar i ngritur nga maxhoranca parlamentare. Sipas tij, përfundimet e hetimit nga Komisioni Parlamentar duhet të dërgohen në Prokurori. “Mbështetje e plotë e hetimeve të pavarura, gjithëpërfshirëse dhe të shpejta të ngjarjeve të 21 janarit për të vënë para drejtësisë të gjitha shkeljet penale. Komisioni i posaçëm parlamentar të përfundojë hetimet dhe t’i çojë gjetjet në Prokurori”, kërkoi Lajçak pas takimeve që zhvilloi me krerët e politikës shqiptare.

Ashton shtyn vizitën në Tiranë e Ballkan, e parashikuar për në mars

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Katrine Ashton, nuk do të vizitojë Shqipërinë në fund të këtij muaji, ashtu sikurse dhe ishte parashikuar. Mediat kosovare duke iu referuar burimeve diplomatike të Këshillit të Ministrave në BE, thonë se një vizitë e baroneshës Ashton në rajon, të paktën këtë periudhe nuk do të ndodhë. Përveç Tiranës, Ashton kishte planifikuar të vizitonte Prishtinën, Beogradin, dhe Sarajevën.
Burimet në Bruksel thonë se vizita e përfaqësueses Ashton do të caktohet për një kohë tjetër, edhe pse ende nuk ka një datë të saktë se kur mund të realizohet ky tur i rëndësishëm i shefes për Politikën e Jashtme në BE, Katrine Ashton. “Dialogu i Beogradit dhe Prishtinës aktualisht është çështja më e rëndësishme në rrugën e Serbisë drejt BE-së”, shprehet Katrine Ashton, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë. Sipas fjalëve të saj, në përafrimin e Serbisë me Bashkimin Evropian, çështja më e rëndësishme është dialogu i Beogradit dhe Prishtinës, transmeton B92. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së foli për situatën në Serbi pas takimit të Këshillit të Ministrave të BE-së. Pyetjes se nën cilat kushte Serbia do të pranohet në BE, Ashton iu përgjigj se në takimin e lartpërmendur nuk është diskutuar për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, por fokusi ka qenë për BE-në. “Sa i përket Serbisë, ju e dini se ngjarja më e rëndësishme është fillimi i bisedimeve mes Beogradit dhe Prishtinës. Bisedimet janë për zgjidhjen e çështjeve teknike, mirëpo këtë duhet vështruar në kontekstin e pranimit të Serbisë në Bashkimin Evropian”, tha Ashton.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura