Partia Socialiste deklaron se zgjedhjet e 8 majit janë të rrezikuara. Këtë e bëri të ditur dje kreu i PS-së, Edi Rama në një komunikim me mediat.“Zgjedhjet e 8 majit janë plotësisht në rrezik, ndërsa shqiptarët nuk mund të rrezikojnë të kenë një tjetër farsë si ajo e dy viteve më parë pa standarde dhe pa transparencë, që do të fundoste edhe më thellë besimin e çdo shqiptareje e çdo shqiptari tek e drejta e votës dhe zgjedhja e lira”, u shpreh Rama. Ai bëri publike tre kushtet e PS-së për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm më 8 maj. Një ditë pasi në Shqipëri ishte i dërguari i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak, kreu i opozitës, tha se PS-ja nuk po kërkon asgjë të jashtëzakonshme për të garantuar një proces të rregullt elektoral. Kushti i parë i selisë rozë është marrja nga qeveria e listave zgjedhore, të cilat, sipas Kodit Zgjedhor, nuk mund të ndryshohen më vonë se 60 ditë nga mbajtja e zgjedhjeve dhe afati i fundit ishte 8 marsi. “Së pari, ne kemi kërkuar dhe këmbëngulim në transparencën e listave zgjedhore, bazuar në Kodin Zgjedhor. Sipas këtij kodi, gjashtëdhjetë ditë para zgjedhjeve, asnjë shtetas shqiptar nuk mund të ndryshojë vendbanim për qëllim elektoral, çka do të thotë se pas datës 8 mars, asnjë person nuk mund të ndryshojë qendrën e tij të votimit”, tha Rama, teksa shtoi se ndryshimi i listës së zgjedhësve vazhdon edhe sot. Kushti i dytë i opozitës është vendosja pranë komisioneve të votimit e një mjeti për verifikimin e kartave të identitetit. “Së dyti, Partia Socialiste kërkon pajisjen e komisioneve me instrumente për verifikimin e kartave të identitetit të çdo votuesi. Vetëm kështu zgjedhjet mund të mbrohen nga përdorimi i kartave të falsifikuara të identitetit, çka do të krijonte sigurinë se çdo votues do të mund të votojë vetëm një herë dhe askush nuk do ta ketë të lehtë të kapërcejë mbi ligjin”. Ndërsa kushti i tretë ka të bëjë me hapjen e kutive të votimit. “Së treti, Partia Socialiste kërkon miratimin e parimit të transparencës, sipas të cilit çdo forcë politike që do të kërkojë transparencë apo hetimin mbi kuti votimi apo materiale zgjedhore pas shpalljes së rezultatit zgjedhor, do të ketë të drejtën për ta bërë këtë transparencë, në mënyrë që në kushtet e Shqipërisë të shmanget një pjesë e konsiderueshme e korrupsionin elektoral”, u shpreh dje në komunikimin me mediat kreu i PS-së, Edi Rama. Në të njëjtën kohë, lideri i opozitës, së bashku me parashtrimin e tre kushteve për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, tha se “secila prej tyre është plotësisht e realizueshme edhe sot e gjithë ditën për të mos lejuar falimentimin e zgjedhjeve të 8 majit”. Ai paralajmëroi përshkallëzimin e veprimit kundër qeverisë nëse kjo e fundit nuk do të dorëzojë listat. “E vetmja mënyrë që zgjedhjet të mos mbyten në llumin e manipulimeve është qëndresa jonë, dhe kjo është e sigurt në çdo hap, ndërkohë që në qoftë se lista e zgjedhësve nuk do të na jepet menjëherë në dispozicion, sikundër e kemi kërkuar zyrtarisht në bazë të ligjit, të Kodit Zgjedhor ekzistues, ne do të përshkallëzojmë veprimin tonë kundër këtij pushteti që kërkon të rivjedhë votat për të vazhduar të vjedhë Shqipërinë, të cilën e grabit dhe e vjedh pikërisht sepse nuk është aty ku është me vota por me vjedhje”, u shpreh Rama. Ai shtoi se nëse qeveria refuzon propozimet, opozita do të mbledhë forumet e saj, ku do të marrë vendimet përkatëse. “Ashtu sikundër në kushtet e vazhdimit të kësaj tentative të hapur për manipulim, ne do të thërrasim pa humbur kohë forumet më të larta të partisë e të opozitës për të marrë vendimet e duhura që Shqipëria të ketë zgjedhjet që meriton, jo një tjetër farsë ku të mos mundet të zgjedhë”, përfundoi fjalën e tij kryetari i Partisë Socialiste.
Reagimi ndaj deklaratave të Ristanit
“Sot, shkelësi profesionist i ligjit në krye të KQZ-së tha se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga shkelja e ligjit lidhur me komisionerët e emëruar në mënyrë të jashtëligjshme, si edhe gënjeu duke mohuar se ka fotokopjuar për llogari të Saliut dhe kundër ligjit materialet e ashtuquajtura sekrete të zgjedhjeve të shkuara, që iu mohuan publikut shqiptar dhe opozitës në Parlament për dy vite me radhë. Këtë e ka bërë dhe për këtë ne disponojmë prova”, u shpreh Rama, pak pas deklaratave të Arben Ristanit.
Kushtet e opozitës
1. Dorëzimi në Partinë Socialiste i listave të zgjedhësve.
2. Partia Socialiste kërkon pajisjen e komisioneve me instrumente për verifikimin e kartave të identitetit të çdo votuesi.
3. Partia Socialiste kërkon miratimin e parimit të transparencës, sipas të cilit çdo forcë politike që do të kërkojë transparencë, hetimin mbi kuti votimi apo materiale zgjedhore pas shpalljes së rezultatit zgjedhor, do të ketë të drejtën për ta bërë këtë transparencë.
© Panorama.al











