Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj protestave të zhvilluara sot para Parlamentit ku policia ushtroi dhunë ndaj qytetarëve protestueses, duke i sulmuar sërish këta të fundit.
Në një postim në “X”, Rama shprehet se sipas tij, përshkallëzimi i situatës drejt dhunës fizike, është një rrjedhojë e qëndrimeve të aktorëve politikë dhe mediatikë që ai i konsideron nxitës të tensioneve dhe si “korja e zezë e dështakëzemërakëve”.
“Kalimi në dhunë fizike është e vetmja gjë që mund të prodhojë tanimë korja e zezë e dështakëzemërakëve të bulevardit politiko-mediatik të Tiranës, koleksionistëve të precedentëve kriminalë dhe duarve të huaja pas tyre! Duhet akoma durim e pastaj i vjen radha reflektimit🦩❤️”, shkruan ai.
Kujtojmë se protesta e sotme para Parlamentit u shoqërua me tensione dhe përplasje fizike mes qytetarëve protestues dhe policisë.
Godina ishte e rrethuar me kordonë policie kur protestuesit rreth orës 10:00 u afruan me thirrjet e zakonshme të protestës maratonë për dorëheqjen e kryeministrit apo fundin e klasës politike.
Ata u përpoqën që të bllokonin qarkullimin e deputetëve, duke hedhur vezë në drejtim të tyre dhe drejt makinave të policisë. Në vijim, protestuesit tentuan të hynin në oborrin e parlamentit dhe në drejtime të tjera, pa mundur të çajnë kordonin e policisë.
Nga ana tjetër, deputetët të bllokuar nga qytetarët, zgjodhën rrugë të tjera për t’u futur në sallë, por edhe për të dalë, për të mos u përballur me ta.
Pikërisht rreth orës 12:50, kur seanca mbaroi, policia veproi ndaj protestuesve duke hedhur spraj piperi, gaz lotsjellës dhe ujë me presion, duke bërë të mundur shpërndarjen e protestuesve.
Siç është raportuar edhe më herët, dhe siç është dëshmuar edhe nga pamjet filmike, forca të shumta policore ndoqën protestuesit duke i rrethuar dhe prangosur ata, dhe në disa raste, duke i goditur me shkopinj gome.
© Panorama.al













