Gjatë protestës së zhvilluar para Kryeministrisë, ish-zyrtari i Policisë së Shtetit, Krenar Ahmeti, i ka bërë thirrje kryepolicit Skënder Hita të mbroj qytetarët e tij nga dhuna e efektivëve gjatë protestave kundër qeverisë.
“Nëse më dëgjon drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, duhet ta dijë që është një njeri që, në bazë të ligjit të këtij shteti, është njeriu më i fuqishëm në këtë shtet. Ai do të ngelet me shkronja të arta në historinë e vendit, në Shqipërinë e re, nëse mbron popullin e tij”, tha ai.
Ai shtoi se policia ka detyrimin të mbrojë qytetarët dhe të veprojë vetëm në bazë të ligjit dhe jo t’i dhunojë.
“Jua them me kompetencën teknike që t’i japë urdhër të gjithë zinxhirit komandues që, në mënyrë kategorike, të mos e tejkalojnë forcën në qoftë se nuk është e nevojshme”, tha Ahmeti.
Krenar Ahmeti: Sot do t’ju flas me kompetencën teknike të një ish-oficeri të lartë të Policisë, që e di mirë menaxhimin e turmave. Nëse më dëgjon drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, duhet ta dijë që është një njeri që, në bazë të ligjit të këtij shteti, është njeriu më i fuqishëm në këtë shtet.
Ai do të ngelet me shkronja të arta në historinë e vendit, në Shqipërinë e re, nëse mbron popullin e tij. Unë e di shumë mirë, edhe ju e dini, se ai nuk mund të na shpëtojë nga vargonjtë e krimit të organizuar, por ka një shans shumë të madh ta mbrojë popullin e vet vetëm me një rrugë: duke zbatuar ligjin.
Zoti Hita, djali i fisit Hita, mbroje popullin tënd me ligj. Jua them me kompetencën teknike që t’i japë urdhër të gjithë zinxhirit komandues që, në mënyrë kategorike, të mos e tejkalojnë forcën në qoftë se nuk është e nevojshme.
Punonjësit e Policisë janë vëllezërit tanë, kolegët tanë, shokët tanë. Ju lutem, më besoni, edhe unë jam një nga ju. Jo dhunës. Në mënyrë kategorike jo dhunë. Ne kësaj klike dhe krimit të organizuar do t’ia hapim varrin me gjilpërë, por jo me dhunë.
© Panorama.al











