Përballë mungesës së figurave reale për kandidim dhe frikës se humbja e Tiranës mund të ndikojë dukshëm në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Rama duket tashmë i detyruar nga politika e tij që të rikandidojë. Eshtë e vërtetë që ky detyrim- përcaktim për rikandidimin, i ardhur nga krijimi i një politike të klonuar, pa identitete, mund t’i rijapë Ramës shansin për të rifituar Tiranën. Por, njëkohësisht, fokusimi i tij në Tiranë mund të shkaktojë më pas një dobësim në disa rrethe, ç’ka mund të sjellë një rezultat të përgjithshëm në disfavor të opozitës – një përfundim ky i ndikueshëm në mënyrë të drejtpërdrejtë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Por çfarë humb në këtë rast Rama dhe opozita bashkë?
Së pari, Rama rikthen frikën e shumë socialistëve se kreu i tyre është i fokusuar për Bashkinë e Tiranës dhe do t’i interesonte ajo përballë fitoreve të tjera. Së dyti, rikandidimi i tij vulos përfundimisht politikën pa identitet të dy viteve të fundit, ku janë dubluar institucionet dhe ku zëdhënësit e tij politik janë të emëruarit e tij, dhe jo të zgjedhurit e forumeve. Në këtë pikë, Rama humb shansin e parë për të akuzuar kundërshtarin se ka uzurpuar partinë e tij, ndërkohë që shqiptarët do të shikojnë një alternativë për të drejtuar qeverinë, pasi, pa ardhur në pushtet, ai i ka eliminuar të gjithë figurat reale, e jo më të jetë Kryeministër.
Rama nuk po mundet të marrë shembull as homologun e tij në Prishtinë, Isa Mustafën, i cili mori përsipër të drejtonte partinë në zgjedhje e të ishte në krye të listës për deputet, duke pranuar pa hezitim marrjen e përgjegjësisë së drejtpërdrejtë si lider i një partie që kërkonte ardhjen në pushtet.
Është fare e qartë se Rama e ka pasur të vështirë të pranojë rikandidimin. Por, i bindur se humbja e çdo kandidati tjetër do t’i faturohet atij, ai është ndier i vetëdetyruar nga politika e tij që të pranojë sfidën. Me këtë rast, ai mund të ketë llogaritur t’u thotë shumë shqiptarëve se mbetet i votuar dhe t’u bëjë presion edhe socialistëve se duhet të pranojnë vetëm zgjidhjet e tij, sepse pa idetë e tij s’mund të bëjnë asnjë hap.
Ky model në fakt është i ri për PS-në, e cila edhe pse ka votues tradicionalë, nuk e ka të lehtë të lërë jashtë emrave të besuar shumë nga socialistët e njohur në 20 vitet e fundit. E, nëse Rama kërkon t’u shpjegojë atyre se emrat e rinj janë në emër të ndryshimit, do të mjaftonte të kujtoheshim se pas tij vjen Gramoz Ruçi, “si i plotfuqishëm i kudogjendur i PS-së”, për të kuptuar se ndryshimi i emrave nuk ka asnjë lidhje me ndryshimin politik.
Ndërkaq, një version i besueshëm është fakti se rikandidimi i tij e acaron situatën politike të zgjedhjeve, çka na bën të dyshojmë, se, në rast mospëlqimi të rezultatit, Rama është gati të rikthejë një situatë të acaruar politike, plot akuza manipulimesh e të mbështesë edhe një herë idenë për zgjedhje të parakohshme, e cila nuk po i rimerr forcë edhe pas disa përpjekjeve për protesta masive.
Në këtë pikë, mbetet në një provim të rëndësishëm politik edhe mazhoranca. Kryeministri duhet të bëjë mirë llogaritë me një njeri që ka treguar tashmë se është gati të hartojë çdo praktikë për të treguar se ka manipulime, që më pas të shërbejnë për një situatë të tensionuar politike.
Frikën e krijimit të një situatë kontestimesh e ka lënë të kuptohet edhe qëndrimi më i fundit i kryesisë së PS-së, e cila thotë se do hyjë në zgjedhjet e 8 Majit edhe pse kërkon ndryshimin e kushteve aktuale, duke i lënë këto të fundit në një paqartësi kërkesash, çka do të thotë se çfarëdo përmirësimi të bëhet, sërish ata do të tregojnë se kushtet politike kanë qenë të pafavorshme.
Ky kaos mund të jetë edhe më i domosdoshëm, pasi aleatët e PD-së , LSI-ja, PR-ja, PDIU-ja, premtojnë se mund të marrin më shumë vota se sa aleatët e PS-së, Gjinushi, Milo, Ngjela apo ndonjë tjetër. Kjo shton edhe një frikë, se pushteti lokal, në rang këshilltarësh, mund të jetë në shumicë absolute në duart e këshilltarëve të partive të mazhorancës.
Ndaj, të gjitha këto pasoja, të lexuara fare mirë edhe nga vetë eksponentë të PS-së, të bëjnë të dyshosh se më shumë se sa garanci për të fituar Bashkinë, Rama po kandidon për të dhënë imazhin e zgjedhjeve të dyshuara e për të bërë të mundur me gjasë të rifitojë një kartë protestash popullore. Nëse do të jetë vetëm për këtë, Edi Rama do t’u vërtetojë shqiptarëve se është politikani që kërkon të vijë në pushtet me koston më të lartë të mundshme për jetën e shqiptarëve, pasi çdo ekstremizim i situatës ka pasoja direkte në jetën sociale të shqiptarëve.
© Panorama.al












