Rama: Opozita, jo bojkot zgjedhjeve lokale

Mar 1, 2011 | 13:20

TIRANË- Kreu i PS-së, Edi Rama ka deklaruar sot se opozita nuk do të bojkotojë zgjedhjet vendore, ndërkohë që ka theksuar se demonstratat do të intensifikohen përditë, pasi zgjidhje e krizës sipas tij është largimi i qeverisë dhe zgjedhjet e reja. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët Rama e ka quajtur bojkotin e zgjedhjeve vendore, thjesht “një ëndërr të Saliut dhe kusarëve të tij, por që nuk do të bëhet realitet”.

“Ne jemi të bindur që zgjidhja reale dhe e qëndrueshme e krizës së thellë për fajin e Saliut e që po e paguajnë njerëzit e këtij vendi fillon me largimin e Saliut dhe zgjedhjet e reja, të lira e të ndershme, por nga ana tjetër ashtu si kam nënvizuar në të gjitha takimet me miqtë dhe partnerët e Shqiërisë, bojkoti i zgjedhjeve vendore nga ana e opozitës është një ëndërr që Saliu, Ilir e kusarët e shohin prej kohësh por nuk do të bëhet realitet”- tha ai.

Rama përsëriti se opozita është e angazhuar në aksionin e saj politik për largimin e qeverisë dhe për këtë do të intensifikohen demonstratat. Sipas tij, zgjedhjet në kushte të tilla janë të pamunduara dhe për këtë opozita ka kërkuar të ndryshohen kushtet.

“Procesi i aksionit politik të opozitës është një proces i integruar dhe ka në zemër domosdoshmërinë për të larguar Saliun e për të sjellë në duart e cdo shqiptari mundësinë e gjykimit me votë të palëve me zgjedhje të reja të lira e të ndershme”- tha ai.

Në përgjigje të interesimit të medias, nëse ai do të jetë sërish kandidat për Bashkinë e Tiranës, Rama ka përsëritur se përgjigja do të jetë në kohën e duhur. “Rikandidimi është një çështje që do zgjidhet në momentin e duhur, por një gjë është e sigurtë që shumëkush në oborrin e regjimit po rend të buzëqesh para kohe me këngën e largimit”- tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura