Kryetari i PS-së, Edi Rama, kërkoi nga strukturat socialiste të Sarandës që të tejkalojnë çdo qejfmbetje për kandidaturat dhe të bashkëpunojnë për fitoren. Rama zhvilloi dje në mesditë, në sallën e konferencave në hotel “Butrinti”, një takim me pjesëmarrjen e të zgjedhurve në asamblenë e PS të rrethit të Sarandës. Takimi u zhvillua pa praninë e gazetarëve, duke e cilësuar atë si një takim pune organizativ. Duke folur për zgjedhjet e 8 majit, Rama u kujtoi anëtarëve të asamblesë së rrethit të Sarandës, që të mos përsëritet më ajo që ka ndodhur në zgjedhjet e legjislaturave më parë, si p.sh. në Bashkinë e Sarandës, ku moskandidimi i personit që kish shprehur dëshirën, u kthye atëherë në sulm për personin e zgjedhur nga strukturat në qendër për t’u kandiduar, gjë që çoi në humbje të PS në Sarandë. Sipas Ramës, kjo nuk është një betejë personale, por një betejë politike për fitoren e së majtës dhe jo të disa individëve. Nisur nga kjo tërheqje vëmendjeje nga kryesocialisti Rama, të gjithë personat socialistë që kanë shprehur dëshirën në strukturat e PS së rrethit për të kandiduar për kryetar bashkie apo komune në zgjedhjet e 8 majit, u shprehën se “do të mbështesim strukturat vendimmarrëse të partisë dhe se do të jemi në krah të atij kandidati që do të dalë për të kandiduar nga PS në qendër”. Ai ka kërkuar me forcë që të bashkohen grupimet dhe oportunitetet e vërejtura brenda partisë, në dëshirën e shpallur të njërit apo tjetrit për kandidat bashkie apo komune në një kandidat të përbashkët, pra në atë kandidat që do të jetë i pranueshëm nga të gjithë socialistët. Kryesocialisti kërkoi gjithashtu nga socialistët e Sarandës që të kenë një vëmendje të veçantë për listat zgjedhore, pasi anomalia e tyre është një nga mënyrat për vjedhjen e votave. “Saranda, -tha kryesocialisti Rama-, është e majtë në përbërje të vet, edhe pse këtu ka drejtuar dy legjislatura radhazi PD-ja, por këtë radhë nuk duhet lënë më që Saranda të drejtohet nga PD”. sh.d











